Për qytetin dhe njeriun urban

Nga Gëzim Tushi/Nuk ka njeri në Shqipëri në qoftë se nuk është i verbër apo nihilist nga inati që nuk është i njohur dhe të mos vlerësojë pozitivisht ndryshimet e mëdha të infrastrukturës, të paktën të qendrave kryesore urbane të qyteteve të mëdha e të vogla të vendit tonë. Një aksion i maxhorancës qeveritare shumë kompleks, që është vlerësuar si pjesë përbërëse e Programit të Rilindjes Urbane.

Ajo që është me rëndësi në këtë proces është fakti që politika, shteti dhe buxheti i tij vetëm iniciuan programin tërësor të rilindjes urbane, por në fakt projektet konkrete, modalitetet arkitekturore, rregullimet infrastrukturore urbane dhe kërkesa për disiplinimin hapësinor dhe jetik të ambienteve dhe sipërfaqeve të qyteteve tona, përgjithësisht kanë qenë detyra komunitare, të bazuara në idetë dhe perceptimin e realizuar nga debatet e zhvilluara nga elita qytetare lokale, kulturore, shoqërore e profesionale në bashkëpunim me kontributet profesionale të arkitektëve dhe urbanistëve tanë kombëtarë apo rajonalë.

Qytetet shqiptarë për gati dy dekada e gjysmë u braktisën dhe fatalisht ka kohë që u lanë në lojën e zhvillimit të lirë dhe orientimit urban spontan. Kjo ka bërë që qytetet kanë qenë të dorëzuara përballë zhvillimeve kaotike, që kanë ardhur si pasojë e thyerjes së barrierave të kufizimeve të lëvizjes së lirë urbane. Esenca e tranzicionit u personifikua me procesin mekanik të kapërcimit spontan të “kufirit” të ngurtë tradicional të ndarjes deterministe e orientimit mekanik të ndarjeve fikse midis popullsisë qytetare dhe fshatare, ndërmjet qytetarit urban dhe atij rural. Nën ndikimin e papërballueshëm të zhvillimeve demografike, u zhvilluan procese eruptive, të cilat u shoqëruan me nevojën e zhvillimit intensiv të “risive urbane”.

Por është e natyrshme që pas këtij procesi gati tërësisht voluntarist, risitë urbane të ndryshimit të raporteve dhe zhvillimit të qyteteve, janë zhvilluar jo vetëm nën efektin e presioneve të modernitetit dhe përmirësimit të hapësirave të jetës qytetare dhe mënyrës së jetës së qytetëruar, por dhe nën presionin e zgjeruar demografik të zgjerimit të lëvizjeve urbane duke bërë gati të papërballueshme tendencën e largimit nga fshati drejt qyteteve, sidomos atyre me dimension metropolitan.

Nga ana tjetër kjo solli transformime të dimensioneve urbane dhe arkitekturës tradicionale të trashëguar të qyteteve tona, sepse në mënyrë të natyrshme ridimensionimi i raporteve të popullsisë qytetare e fshatare, zgjerimi pakontrolluar i migracionit të brendshëm bënë që paradoksalisht thelbi i këtij procesi të transformimeve urbane, ka qenë dhe është akoma vazhdon të jetë i lidhur me shkatërrimin e shtëpive të vjetra shpesh herë jo pa vlera historike e arkitekturore, duke nxjerrë jashtë loje mënyrën arkaike e fragmentare të organizimit të lagjeve dhe qendrave të banuara në qytetet tona. Në të njëjtën kohë me shpejtësi të rrufeshme u bë dhe vazhdon të ndodhë zëvendësimi i tyre me pallate të larta dhe rikompozime urbane të lagjeve me formate moderne.

Situata që është krijuar ka sjellë shumë pengesa e vështirësi për jetën normale të njeriut që të jetojë si qytetar. Pavarësisht të metave që mund të konstatohen apo natyrës kritizere që lidhet me angazhimet politike të individëve apo me inate biznesi, për të qenë analog me problemet e vërteta të këtij lloj urbanizimi, duket qartë se është e nevojshme që tani duhet të kemi tjetër përfytyrim urban dhe perceptim arkitektonik për rilindjen e qyteteve tona. Natyrisht duke mbajtur parasysh dhe duke vlerësuar njëkohësisht kostot sociale dhe morale të qytetit të madh.

Kjo sepse jetojmë në kohë moderne dhe kjo e bën të njohur defektin universal të qyteteve, i cili është bazamenti material i ndërtimit të qytetërimit që shfaqet dhe është më shumë se sa një strukturë materiale e sociale e organizuar, më së shumti është sikurse thotë Xhon Djui, si “një agregat dëshirash dhe vullnetesh të palidhura me njëra tjetrën”. (Xh Djui “Publiku dhe problemet e tij”, f. 40)

Zhvillimi aktual i qyteteve tona dhe modelet e rindërtimit të jetës urbane në tërësi nuk mund t’i lihen kaosit, spontanitetit, anarkisë urbane dhe subjektivizmave arkitekturore. Sepse këto lloj perceptimesh dhe zgjidhjesh shpesh herë të improvizuara e spontane ka krijuar kushte tejet të përshtatshme e favorizuese që qytetari autokton apo i ardhur dhe që bashkëjetojnë në qytetin e sotëm urbanikisht anarkik, me jetë sociale urbane kaotike, në të vërtetë ai është duke jetuar vërtet në jetën metropolitane, por që është më shumë jetë urbane e ekspozuar ndaj shkeljes së ligjeve dhe logjikës urbane duke nëpërkëmbur çdo gjë që është autentike dhe e bukur.

Personalisht mendoj se duke qenë në këtë fazë janë imperative disa detyra me rëndësi kolosale urbane, që duhet ndrequr krahas dhe paralelisht me ndryshimet material, estetike e arkitekturore që realisht ka ndodhur dhe që nuk mund të mohohen. Padyshim një rëndësi të madhe aktuale për thellimin e procesit të ristrukturimit urban të qyteteve tona, ka konceptimi i drejtë dhe garantimi në çdo qytet të “hapësirave absolute”.

Në se kthejmë kokën pas dhe shikojmë zhvillimet dhe ndryshimet që kanë ndodhur duhet të themi se kanë ndodhur masakra të vërteta urbane, përtej limiteve të jetës së qytetëruar dhe me pasoja katastrofike. Në të gjithë qytetet pothuaj është dërmuar “hapësira absolute”e qyteteve dhe e të “mirës së përbashkët”duke shkatërruar pa mëshirë zonat natyrore dhe hapësirat e gjelbra që nuk duheshin cenuar, që duheshin mbrojtur dhe garantuar nga shkatërrimet dhe zaptimet urbane, qoftë kur janë bërë për qëllime elektorale apo më saktë nën presionet e zhvillimeve politike apo ekonomike me të cilat përballen realitetet e sotme të gjymtuara urbane të pothuaj të gjithë qyteteve tona.

Natyrisht bashkë me politikën ka qenë edhe puna e arkitektëve dhe urbanistëve dhe roli i tyre abstrakt dhe konkret në planifikim dhe rindërtim të hapësirës urbane. Subjektivizmi, konformizmi apo aprofesionalizmi i një pjese prej tyre i bën ata “bashkëfajtorë” në masakrat urbane, që shpesh ka cenuar nevojën dhe identitetin e hapësirave absolute që duhet të mbrohen nga dhuna dhe shkatërrimet urbane, siç janë dëmet e hapësirave në bregdet apo të hapësirave të gjelbra të qyteteve tona. Në qytetet tona për shkak të mungesave ligjore, voluntarizmit urban dhe anarkisë arkitektonike është bërë i pamundur funksionimi i ekuacionit urban që rregullon lirinë e individit me nevojën e kontrollit urban.

Nuk mund të mohohet e vërteta se zhvillimi urban i qyteteve tona ka bërë të mundur për herë të parë në historinë e qytetërimit tone, të ketë mundësi më të gjëra për lulëzimin e pakufizuar të lirisë individuale dhe të shfaqjes së personalizuar të subjektivitetit të njeriut të përveçëm. Por pas pyllit duhen parë edhe drurët sepse ndryshimet materiale dhe përmirësimet e infrastrukturës urbane, kanë pothuaj pak ndikim në ndërtimin e lidhjeve e marrëdhënieve sociale dhe mbi të gjitha ata pasqyrohen saktë në esencën e jetës që zhvillohet në qytetet tona. Të cilat po aq sa kanë nevojë për përmirësime të dukjes urbane, kanë kërkesa për ndryshime në thelbin e jetës sociale që zhvillohet në to.

Fjala vjen, qytetet shqiptare dikur me thelb social e komunitar të shfaqur, me jetë të përbashkët dhe kufij të përzier të interesave publike e synimeve qytetare, tashmë janë duke vuajtur plagët e vetmisë, të ndarjes nga njëri tjetri me “mur beton” të dhe rënimin evident të “thelbit komunitar”që duhet të ketë medoemos jeta urbane në qytetet tona. Nuk është normale, madje duhet konsideruar alarmante situata kur në qytetet tona po përthahet ndjenja e komunitarizmit urban. Madje, situatat tregojnë se në qytetet tona është duke u shfaqur, madje duke ndodhur ajo që sociologët urbanë e konsiderojnë “fshirje mendore të ndjeshmërisë njerëzore”.

Nga ana tjetër duhet të mendojmë se çfarë duhet bërë, si mund të veprojmë për të ndalur procesin e “intoksikimit të qyteteve” tona nga konsumizmi pa fre, intoksifikimi atmosferës nga përdorimi frenetik i automobilave që shoqërohen nga përshpejtimi i degradimit ekologjik të jetës urbane. Mbi të gjitha duhet menduar se çfarë duhet bërë për të ndalur degradimin e mënyrës superliberale të jetesës dhe ndikimet që ajo ka mbi të mënyrat eksentrike të jetuarit të njerëzve në qytetet tona.

Padyshim, të gjitha këto tregojnë se përveç përmirësimit të infrastrukturës urbane dhe ndryshimeve të tjera materiale që kanë pësuar materialisht qytetet tona, është e udhës të mendojmë se përballimi i problemeve të shumta të jetës në qytet nuk mund të bëhet pa një proces urban gjithëpërfshirës thelbi i të cilit kërkon “zgjimin qytetar” të njerëzve urbanë…

SHKARKO APP