Performanca e ujësjellësve në objektivin e auditimit të KLSH

Ndërthurja e çështjeve teknike me ato ekonomike dhe financiare, i bën auditimet e këtyre ndërmarrjeve komplekse dhe që kërkojnë grupe audituesish në përbërje të cilëve, veç përvojës së fushës nuk duhet të mungojnë dhe auditues me profesion në fushat inxhinierike. Nga rezultatet e deritanishme të auditimeve të shoqërive të kësaj fushe, midis të tjerave…

Nga Skёnder Hajdari*

Veprimtaria ligjore e shoqërive aksionere të ujësjellës-kanalizimeve, sipas statutit, përcaktohet kryesisht si shërbimi i furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve dhe largimit e trajtimit të ujërave të ndotura. Pra një nga aktivitetet më jetësore e humane, cilësia e të cilëve ndikon drejtpërsëdrejti jo vetëm në nivelin e mirëqenies së qytetarëve por dhe në shëndetin e popullatës në tërësi. Në këtë këndvështrim, menaxhimi dhe miradministrimi i këtyre ndërmarrjeve, është thelbësor për konsumatorët dhe taksapaguesit shqiptarë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të planit të auditimit, ka shqyrtuar dhe analizuar në vazhdimësi e me rigorozitet, veprimtarinë ekonomiko-financiare të Ujësjellësve sipas një programi të caktuar me qëllim, jo vetëm evidentimin e dëmeve ekonomike që i janë shkaktuar buxhetit të këtyre ndërmarrjeve dhe vënien para përgjegjësisë të shkaktarëve, por mbi të gjitha, dhënien e rekomandimeve me drejtimet dhe afatet përkatëse për përmirësimet organizative, në funksion të përmirësimit të këtij shërbimi, pra për rritjen e performancës të ndërmarrjeve të Ujësjellës -Kanalizimeve në vendin tonë.

Ndërthurja e çështjeve teknike me ato ekonomike dhe financiare, i bën auditimet e këtyre ndërmarrjeve komplekse dhe që kërkojnë grupe audituesish në përbërje të cilëve, veç përvojës së fushës nuk duhet të mungojnë dhe auditues me profesion në fushat inxhinierike. Nga rezultatet e deritanishme të auditimeve të shoqërive të kësaj fushe, midis të tjerave, një nga fenomenet e përgjithshme dhe më të shpeshta, është investimi i vazhdueshëm me kosto jo të vogël për kryerjen e shërbimeve të riparimit të pajisjeve elektro-mekanike siç janë elektromotorët e fuqive të ndryshme për vënien në punë të pompave të furnizimit me ujë të konsumatorëve. Një çështje kyç kjo e lidhur ngushtë dhe me furnizimin e vazhdueshëm e me cilësi të ujit të pijshëm për konsumatorët familjarë dhe jo vetëm, në vendin tonë. Konstatimet e kësaj natyre, shfaqin përsëritjen e investimeve pothuajse çdo vit, duke riparuar të njëjtat pajisje (elektromotorë) dhe për të njëjtën arsye.

Kështu p.sh., nga auditimet e shoqërive Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, Durrës dhe Lezhë, u evidentuan procedura prokurimi të kryera vazhdimisht për të njëjtat pajisje dhe me të njëjtin objekt prokurimi: “Avolxhim elektromotorësh”, të cilat zënë në disa raste 20% të prokurimeve gjithsej, e në këtë mënyrë dhe të pjesës më të madhe të shpenzimeve. Duhet theksuar fakti se këto shoqëri, kanë në përbërje të tyre një staf inxhinierik të kualifikuar që nuk u mungojnë as pajisjet për kryerjen e riparimeve/shërbimeve në rastin konkret por as ambientet/ofiçinat për kryerjen me sukses të riparimit apo shërbimit, gjë e cila jo vetëm që do të rriste gatishmërinë e tyre për furnizimin me ujë por njëkohësisht do të ndikonte ndjeshëm në uljen e shpenzimeve (dhe për pasojë dhe në koston e furnizimit) pra në rritjen e performancës së shoqërive të ujësjellësve.

Kryerja e procedurave të prokurimit në mënyrë të përsëritur për të njëjtat pajisje dhe me të njëjtin objekt prokurimi, tregon qartazi se shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve, nuk kanë marrë asnjë masë për mos përsëritjen e defekteve ose më saktë për mirëmbajtjen e elektromotorëve. Në këtë mënyrë, Këshillat teknikë dhe Sektorët e mirëmbajtjes, nga mungesa e marrjes së masave, nuk kanë treguar profesionalizëm në punën e tyre për të implementuar sisteme mbrojtjeje elektrike

për të shmangur defektet e ndryshme që vijnë nga rritja e rrymave elektrike e në vazhdimësi nxjerrjen jashtë pune të pompave të furnizimit me ujë të konsumatorëve. Mos kryerja e një analize tekniko-ekonomike të thellë e serioze, tregon në radhë të parë se këto Këshilla, nuk kanë funksionuar siç duhet, por mbi të gjitha, nga vetë shoqëritë e Ujësjellësve, nuk është bërë mjaftueshëm për shmangien e kryerjes së procedurave të prokurimit dhe njëkohësisht të investimeve në mënyrë të vazhdueshme. Pra, në përgjithësi shoqëritë e ujësjellësve nuk marrin në kohë masat e nevojshme për mirëmbajtjen e aseteve të tyre nga vetë stafi inxhinierik. Kjo do të siguronte jo vetëm uljen e kostove të riparimit të elektromotorëve/pompave të furnizimit të konsumatorëve, por dhe krijimin e mundësive për përdorimin e këtyre fondeve në funksion të uljes së humbjeve të rrjeteve të furnizimit me ujë siç janë zëvendësimi i linjave të amortizuara me linja të reja si dhe vendosja e matësve jo vetëm tek vendburimet e ujit por dhe tek konsumatori.

Janë pikërisht këto mangësi, arsyeja kryesore e mungesës së furnizimit të vazhdueshëm me ujë të popullatës, që ndikojnë direkt në uljen e ndjeshme të performancës së shoqërive të Ujësjellës – Kanalizime në vendin tonë. Vazhdimësia e furnizimit me ujë lidhet edhe me aftësinë e ndërmarrjes së ujësjellësit për të mbajtur rrjetin e shpërndarjes nën një presion të caktuar shërbimi dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të tij në eliminimin e humbjeve të ujit të prodhuar. Konkluzione të tilla janë arritur, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë auditimeve të shoqërive të Ujësjellës Kanalizime, nuk ka konstatuar mangësi në sasinë e prodhuar të ujit, pasi vendi ynë, konsiderohet dhe është i favorizuar gjeografikisht përsa i përket pasurisë ujore. Ky fakt, dëshmon qartë, se problemi nuk është se duhet prodhuar më tepër ujë por se duhet menaxhuar uji i prodhuar, kjo vihet re dhe nё humbjen e lartё nё shpërndarjen e ujit qё këto shoqëri kanё, ku nё disa raste, 50% e ujit tё prodhuar kalon nё humbje teknike, pa futur kёtu dhe humbjen ekonomike qё vjen nga keqmenaxhimi apo pamundësia nё arkëtimin e faturave.

KLSH, në mënyrë të vazhdueshme ju ka rekomanduar shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve, që të orientojnë shërbimet, në mënyrë të tillë që të rikuperohen plotësisht kostot operacionale të mirëmbajtjes dhe shpenzimet kapitale për riparime dhe zëvendësime, jo nëpërmjet procedurave të prokurimit të cilat kërkojnë jo vetëm kohë, e cila penalizon konsumatorin, por mbi të gjitha rrisin kostot e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm.  Rekomandimet e dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që kanë të bëjnë me marrjen e masave nga Ujësjellësit për pajisjen e klientëve ekzistues dhe ata të rinj me aparate matës uji, rritjen e investimeve për përmirësimin e rrjetit shpёrndarёs, ku ekziston dhe humbja mё e madhe duke ulur kostot për mirëmbajtje dhe shpenzimet në tërësi, janë ndjekur me rigorozitet e përparësi, për të influencuar pozitivisht në përmirësimin e performancës së shoqërive të Ujësjellës Kanalizime. Në analizën vjetore 2015, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka vënë theksin në ndjekjen sistematike të zbatimit të rekomandimeve për subjektet e audituara, si një shqetësim i përhershëm edhe i Bashkimit Europian.

*Auditues, KLSH

SHKARKO APP