Përsëri Ilir Meta

Nga Dr. Bledar Kurti/Teksa i afrohemi fundit të vitit, nën analizën e përgjithshme politike dhe aktorëve të saj kryesor, mund të thuhet me siguri që ky vit ka qenë viti i Ilir Metës. Në vazhdim të rolit themeltar që Meta luajti në procesin e reformës në drejtësi, duke arritur me mjeshtëri detantën politike midis shumë palëve kombëtare dhe duke integruar rekomandimet ndërkombëtare në situatën e rëndë politike në vend, kulmoi në suksesin me votim unanim të kësaj reforme. Por pas një vere të nxehtë, përsëri kryetari i Kuvendit të Shqipërisë e nisi këtë vjeshtë me një protagonizëm pozitiv duke bërë një sërë propozimesh në lidhje me reformën zgjedhore, duke mbajtur qëndrime reformatore në lidhje me legjislaturën e ardhshme dhe duke ofruar përpara opinionit publik zgjidhje dhe mbështetje për çështje të cilat janë tejet shqetësuese për vendin, si për shembull problemi i kanabizimit të vendit.

Në lidhje me reformën zgjedhore, Ilir Meta e nisi këtë vjeshtë me apelin drejtuar të gjitha partive politike që të kufizojnë pjesëmarrjen e biznesmenëve në Parlament dhe poste publike, pasi sipas tij kjo kategori mund t’i bëjë presione qeverisë dhe vetë politikës për interesa personale. Gjithashtu, në propozimin e tij prej katër shtyllash për një reformë të vërtetë zgjedhore, Meta propozoi dekriminalizimin e partive, si edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve dhe opsionin e listave të hapura. Në një Parlament të mbushur me biznesmenë, me përfaqësues të popullit me të shkuar të dyshimtë, me përfitues të pazareve të sistemit porporcional me lista të mbyllura, dhe me një numër fiktiv deputetësh për qark, që qytetarët nuk i dinë as emrat përfaqësuesve të tyre pasi janë tërësisht anonim dhe nuk e kanë ngritur zërin asnjëherë për shqetësimet e komunitetit, është e padiskutueshme që Ilir Meta ka cekur thelbin e një reforme efikase zgjedhore.

Por, pas deklaratës së Ministrit të Drejtësisë që përveç Policisë së Shtetit në operacionet antikanabis të angazhohen edhe Forcat e Armatosura, Kryetari i Kuvendit vazhdon të mbajë qëndrimin që çdo institucion shtetëror që mund të japë kontributin e tij duhet të përfshihet, duke vënë në dukje që ky problem madhor është vërtetë një sfidë për vendin dhe kërkon një luftë më të rreptë ndaj këtij fenomeni.

Edhe Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, deklaroi së fundmi që nuk mjafton puna e Policisë së Shtetit për ta luftuar kanabizimin e vendit dhe se ky fenomen nuk është larg vëmendjes së Brukselit. Të gjitha këto zëra, qëndrime dhe rekomandime për luftën kundër kanabisit, kanë dalë nga figura kryesore të LSI me ofiqe të rëndësishme në qeveri, duke e bërë kështu partinë e Ilir Metës, të vetmen forcë politike në maxhorancë që shfaq shqetësimin real dhe propozon një zgjidhje për këtë fenomen që po shkatërron vendin dhe po pengon integrimin.

Teksa qeveria e trajton publikisht dhe mediatikisht çështjen e kanabizimit si një punë rutinë, madje të suksesshme, shifrat e deklaruara nga vetë Policia e Shtetit apo media kryesore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke i marrë të mirëqena dhe pa as edhe një nuancë skepticizmi, tregojnë që situata nuk është nën kontroll dhe vendi nuk është aspak në gjendje normale.

Vetëm në javët e fundit ky është bilanci i luftës anti-kanabis dhe disa publikime që tregojnë gjendjen reale:

Shtator 2016, Policia e Shtetit asgjëson 100 mijë rrënjë kanabis dhe sekuestron 6 ton kanabis; Në fund të shtatorit Dt 30/09/2016 kapet ngarkesë prej 200 kg kanabis në Vlorë; Dt 02/10/2016 një gazetë kombëtare publikon një material shtesë të raportit italo-gjerman, i cili përveç 360 zonave të evidentuara të parcelave me lëndë narkotike, tregon për përfshirjen e dy baxhanakëve me poste drejtuese në policitë e qarqeve; Dt 03/10/2016 mjeku nga Kamza Mhill Gecaj poston foton e duarve të një paciente me pasoja të rënda shëndetësore nga puna në korrjen e kanabisit; Dt 04/10/2016 zbulohen parcela në Staravec të Dibrës; Dt 05/2016 gjenden 10 ton hashash në Vlorë; Dt 05/10/2016 sekuestrohen 10 500 rrënjë kanabis në Mat; Dt 06/10/2016 sekuestrohen 1200 rrënjë kanabis në proces tharje në Durrës;  Dt 07/10/2016 Huffington Post shkruan që: “Shqipëria po na mbyt me drogë.”; Dt 08/10/2016 vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri deklaron: “Po, kemi një problem me kanabisin!”; Dt 09/10/2016, një gazetë kombëtare boton deklaratën e një qytetari me inicialin T tregon se si mbushen furgonët në Kamzë, Tapizë dhe Bathore me punonjësit e kanabisit, ndër ta edhe fëmijë 10- vjeçarë; Dt 09/10/2016 gazetari i RAI, Leonardo Zellino shfaq një reportazh për parcelat e kanabisit në Krujë; Dt 09/10/2016 Agjencia Franceze e Lajmeve “AFP” shkruan për një situatë të rëndë të kanabisit në Shqipëri; Dt 12/10/2016 gazeta zvicerane Lematain DIMANCHE shkruan mbi gjendjen e rënduar me parcelat e kanabisit në Tepelenë; Dt. 12/10/2016 sekuestrohen 30 kg kanabis dhe armatim i rëndë i groposur; Dt 14/10/2016 arrestohen katër trafikantë pasi rekrutonin gra për fushat me kanabis; Dt. 14/10/2016 gjenden 42 kg kanabis në Gjirokastër; Dt. 18/10/2016 sekuestrohen 1.2 ton kanabis në Krujë; Dt. 20/10/ 2016 Greqia sekuestron 1 ton kanabis të ardhur nga Shqipëria; Dt. 21/10/2016 sekuestrohet 41 kg kanabis në Vlorë; Dt 21/10/2016 sekuestrohen 400 kg kanabis në Përmet; Dt 21/10/2016 asgjësohen 310 rrënjë kanabis në Mat; Dt 23/10/2016 policia greke sekuestron 175 kg kanabis të ardhur nga Shqipëria; Dt 24/10/2016 sekuestrohen 343 kg kanabis, fara dhe armë në Fier; Dt 24/10/2016 policia italiane sekuestron 700 kg marijuanë të ardhur nga Shqipëria; Dt 25/10/2016 sekuestrohet 1.4 tonë hashash në Mamurras.

Këto të dhëna vetëm brenda pak javëve dëshmojnë për një gjendje tejet të rëndë në të cilën gjendet vendi në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. A duhet parë gjysma e gotës plot për punën që ka bërë policia e shtetit në sekuestrimin e sasisë së kanabisit apo gjysma tjetër bosh për faktin që po shohim një shtim dhe jo reduktim të rasteve të kultivimit dhe trafikimit mbetet për tu debatuar, por një gjë nuk ka hapësirë për debat, dhe ky është fakti që jemi në një gjendje aspak normale. Për këtë arsye, qëndrimi i Ilir Metës që çdo institucion shtetëror që mund të japë kontributin e tij duhet të përfshihet në këtë luftë anti-kanabis është mëse i duhur, dhe qeveria dhe institucionet duhet të hartojnë një plan më të rreptë dhe më të gjerë.

Ashtu si në shumë raste të tjera, Ilir Meta po shërben si një spirancë për anijen qeverisëse me një maxhorancë që po udhëton në det të trazuar dhe përmes shumë stuhive. Jemi mësuar të shohim që në dy dekada e gjysmë çdo qëndrim politikani vjen për përfitim kapitali politik. Me qëndrimet e tij për reformën zgjedhore, dhe sidomos për problemin e kanabizimit të vendit, Meta nuk është në kërkim të asnjë kapitali politik, por si politikan profesionist ndërmerr hapa të tilla nga fakti që di t’i marrë dhe sepse i shërbejnë vendit.

Duke analizuar të gjitha aksionet dhe qëndrimet e tij politike shihet që kanë qenë gjithmonë të suksesshme, ndaj edhe përtej kësaj vjeshte, në çdo qëndrim apo reformë të duhur të radhës do jetë përsëri Ilir Meta.

SHKARKO APP