Përshpejtimi i kalimeve në Sukubinë – Muriqan, imperativ i kohës
Nga Gjekë Gjonaj/Sezoni veror po vjen. Bashkë me të edhe fluksi i madh i automjeteve në të gjitha pikë-kalimet në Mal të Zi. Referuar përvojës së viteve të shkuara më problematike pritet të jetë situata në pikën e kalimit në Muriqan, midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Hapja e kësaj pike të përbashkët në vtin 2009, e para e këtj lloji në Ballkan, e financuar nga Bashkimi Evropian, u cilësua nga kryeminsitri malazez Millo Gjukanoviq dhe kreu i Qeverisë shqiptare Sali Berisha si një ngritje e miqësisë dhe e bashkëpunimit të shkëlqyer në mes dy vendeve fqinje në rrugën e tyre të përbashkët drejt BEsë. „Ky është një atribut i vullnetit tonë të mirë për t‘u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe të perspektivës sonë euroatlantike. Duke arritur standardet, ndër të tjera edhe në menaxhimin e pikave kufitare, ne do të përshpejtojmë procesin e liberalizimit të vizave me vendet evropiane“, është shprehur asohere kreu i qeverisë malazeze. Ndërsa homologu i tij shqiptar Sali Berisha ndau mendimin se “Shqipëria i konsideron si mjaft të rëndësishme marrëdhëniet me fqinjët veriorë në zhvillimin ekonomik dhe kulturor, dhe shtoi se ndërtimi i kësaj pike të përbashkët do të ndikojë fuqishëm në zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Nuk ka dilemë se kjo pikë e përbashkët doganore ka shënuar një periudhë të re në marrëdhëniet e mira ndërshtetërore të Malit të Zi dhe Shqipërisë duke u reflektuar si një shembull i mirë dhe pozitiv për rajonin dhe më gjerë. Ajo ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë në zhvillimin dhe bashkëpunimn reciprok në shumë fusha mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Njëherësh e ka shkurtuar distancën midis dy qyteteve të lashta Shkodrës dhe Ulqinit në 38 kilometra , ka hapur lidhje të mira dhe të shpejta me portin e Tivarit,me bregdetin e Malit të Zi dhe me shtetin e Kroacissë, dhe ka lehtësuar procedurat e kalimit të qytetarëve të të dy vendeve. Shtetasit malazezë dhe shqiptarë tashmë mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime në vend të pasaportave dhe në hyrje-dalje nuk kanë nevojë që dokumentat e tyre t’i tregojnë dy herë pasi kontrolli bëhet miks nga punonjësit e të dy vendeve.
Këto lehtësime kufitare nuk janë të mjaftueshme. Është kërkesë e vazhdueshme dhe imperativ i kohës që shërbimet të thjeshtësohen edhe më tej, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata të automjeteve dhe pritjet disa orëshe, të mundimshme të personave që vendosin të kalojnë përmes këtij vendkalimi , veçmas gjatë stinës së verës.
Mbetet që përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi dhe të Shqipërisë të ulen e të bisedojnë për një zgjidhje të shpejtë, efikase e të qëndrueshme, në të mirë të të dy palëve. Poashtu duhet punuar edhe në hapjen e disa pikave të reja kufitare me ç’gjë banorëve të fshatrave kufitare t‘u mundësohet kalimi i kufirit me kushte të caktuara.