“Piramidat” e hashashit

Nga Feti ZENELI/Historia e piramidave financiare në vendin tonë dhe ngjarjeve tragjike që pasuan mbylljen e tyre është ende e freskët në kujtesën e  shqiptarëve. Vendi sapo kishte lënë pas një sistem që u solli qytetarëve të tij vetëm varfëri dhe mjerim afrikan. Sistemi i ri u krijoi mundësinë njerëzve të binin në kontakt me ekonominë dhe jetesën e botës së qytetëruar, gjë, e cila i bëri ata më koshient për vështirësitë e pashembullta që kishin kaluar, por ndërkohë u nxiti ambicien për të ndryshuar sa më shpejt ekonominë dhe mirëqenien  e tyre. Shteti demokratik që po ngrihej ishte ende i dobët, dhe nuk mund t’i përgjigjej me të njëjtën shpejtësi plotësimit të kërkesave qytetare. Në këto kushte filloi të lulëzoj edhe veprimtaria e paligjshme; nxori kokë mashtrimi, vjedhja dhe korrupsioni; u intensifikua emigracioni; nisi këmbimi ilegal dhe privatisht i valutës; u ndie dobësimi i sistemit bankar, paaftësia paguese dhe kredituese; lulëzoi kontrabanda, etj. Si pjellë e shkatërrimeve në ekonomi, ç’organizimit shtetëror, spontanitetit dhe paaftësisë drejtuese, lulëzuan ato që u quajtën “firma piramidale”. Lindën si kërpudha njëra pas tjetrës, duke arritur në plotë 25 “firma e fondacione” të tilla, të cilat grumbulluan nga qytetarët rreth 1.2 miliardë dollarë depozita. Në krye të këtyre “piramidave” u vendosën njerëz matrapazë e aventurierë, të cilën gjetën mekanizmin e joshjes së njerëzve nëpërmjet “parasë që pjellë para”, duke ju ofruar interesa të larta. Preh e këtyre dallkaukëve të ekonomisë së tregut u bënë fillimisht ata individë që mendonin me naivitet se në kapitalizëm mund të fitosh pa punuar, por më vonë rrethi u zgjeruar, deri sa arriti në më shumë se 200 mijë kreditorë. Depozituan fillimisht ndonjë tepricë monetare dhe kursimet e fëmijëve të tyre emigrantë, pastaj kërkuan e gjetën burime të tjera financiare, dikush duke shitur edhe kalin, lopën e të imtat. Disa të tjerë arritën deri atje sa të shesin edhe shtëpinë e vogël, që e morën për 50 mijë lekë të vjetra nga shteti demokratik, duke ëndërruar që brenda vitit të dyfishonin kapitalin dhe të blinin një shtëpi më të madhe. Për çudi erdhën për të depozituar para edhe shqiptarë nga vende të ndryshme të botës deri nga Amerika e largët. Shteti, jo vetëm nuk i frenoi guximtarët mashtrues, por i përkrahu dhe i inkurajoi publikisht ata. Një mënyrë inkurajimi ishte dhe pranimi i medaljeve të “VEFA”-s dhënë presidentit dhe kryeministrit të kohës, ndërkohë që zërat e vetëm kundërshtues, por dhe ata jo me forcën e duhur erdhën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në një moment këtyre zërave të ulët iu bashkua edhe zëri i Ministrit të Financave, i cili shumë shpejt e pa veten përballë sharjes, kritikash e anatemimesh të shumta, përfshi dhe kolegët e vetë. Pastaj vijnë ngjarjet tragjike të ’97-ës, me të cilën çuditëm botën mbarë, që patën si shkak falimentimin e skemave piramidale dhe të ekonomisë në tërësi. Pa u zgjatur në detaje të mëtejshme të kësaj historie, ku ndërthuren elementë të shumtë jetës social-ekonomike dhe politike të vendit tonë, në vija të përgjithshme mund të themi se kemi të bëjmë më një veprimtari antiligjore, ku shteti bën “një sy qorr e një vesh shurdh”, por ç’është më e keqja kemi të bëjmë me një aktivitet ilegal që ushqen psikologjinë e të fituarit jo nga sektorët ekonomiko-financiarë tradicionalë si bujqësia, blegtoria, industria, tregtia, fasoneria, agro-përpunimi, pemtaria e kështu me radhë. Është një veprimtari që shoqërohet me kriminalitet dhe një sërë fenomenesh të tjera negative të kësaj natyre, pasojat e të cilave bien mbi shpatullat e qytetarëve të thjeshtë.

Nëse do t’i kthehesha historisë së sotme të kanabisit, që ka pushtuar gjithë vendin këto muajt e fundit, natyrisht që nuk kam ç’të shtoj më shumë se ç’thashë më lartë për “piramidat financiare” për sa i përket paligjshmërisë, qëndrimit indiferent të qeverisë, masivizimit të fenomenit, braktisjes së aktiviteteve tradicionale të ekonomisë, fitimit të shpejt, inkurajimit të kriminalitetit, shthurjes së shtetit, fuqizimit financiar të grupeve mafioze, thellimit të ndarjes sociale, përkeqësimit të klimës së investimeve në ekonomi, shtimin e varfërisë, të papunësisë, etj. Në një analizë profesionale, që revista “Monitor” i kushtonte “industrisë së hashashit” rendiste 10 probleme që ajo krijon në jetën social-ekonomike të vendit, duke filluar me largimin e fuqisë punëtore nga bujqësia dhe fasoneria për shkak të pagesë ditore deri në 5 mijë lekë që ofrojnë kultivuesit grosist të kësaj bime narkotike. Me këtë pagesë shumëkush nga zonat rurale, por edhe ato urbane nuk ka interes të punojë në punë krahu që paguajnë relativisht pak, si në bujqësi, fabrika, madje edhe si kamerierë në bare e restorante. Kjo është goditja e dytë për bizneset, pas emigracionit masiv të vitit të kaluar, ku shumë sipërmarrje u vunë në vështirësi për të siguruar prodhimin, sipas kontratave me partnerët, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Por bujqësia mbetet sektori më i goditur nga mbjellja e kanabisit, edhe për shkak të zhvendosjes së vëmendjes nga këto lloj punësh, pasi përveç të tjerash kush nuk kultivon bimë narkotike në fshat ka filluar të quhet “spiun”. Fakt është se deri para një viti, si rezultat i maturimit të shumë sektorëve, bujqësia filloi të tërheq vëmendjen e bizneseve, por edhe individëve që kishin disa para të lira mënjanë për të investuar. Gjatë muajve të këtij viti kemi një panoramë tjetër në bujqësi, gjë e cila u vu re edhe në çmimet e larta të perimeve në sezonin veror, si asnjëherë tjetër më parë. Fjala vjen, vitet e kaluara, në muajin gusht, me 100 lekë mund të blije nga tre kilogramë domate ose tre kilogramë kastravecë në tregjet ushqimore të kryeqytetit, ndërsa këtë verë nuk blije dot asnjë kilogram të këtyre dy lloj perimesh. Të njëjtën goditje ka marrë edhe blegtoria, pasi kultivimi i kanabisit dhe llojeve të tjera të drogave të kësaj familjeje bëhet kryesisht në male, pikërisht në zona të cilat janë përdorur tradicionalisht si kullota për bagëtitë e imta. Përhapja e përdorimit të hashashit nga të rinjtë është një problem tjetër që krijohet në këtë drejtim, pasi aktualisht Shqipëria nuk përbën vetëm një rrugë tranziti të drogave ilegale, por ajo është dhe vendi ku droga kultivohet, prodhohet, tregtohet lokalisht dhe abuzohet. Në përgjithësi, kultivimi i drogës dhe konsumi i saj është burimi më madhor i konflikteve sociale në vend. Vrasjet, burgimi dhe dhuna në familje shkaktohen apo lidhen në mënyrë direkte apo indirekte më së shumti me aktivitetin e drogës. Një problem tjetër është kriminalizimi i përshpejtuar i ekonomisë me pastrimin e parave të gjeneruara nga ky aktivitet i jashtëligjshëm. Sipas ekspertëve dhe raporteve të ndryshme, përveç ndërtimit, fusha të tjera ku pastrohen paratë e drogës përfshijnë biznese të tilla si hotele, restorante, karburante, veprimtari prodhuese, fabrika moderne përpunuese, kompani import-eksporti, infrastrukturë, prodhim energjie, biznese të lojërave të fatit, miniera, turizëm dhe agjenci turistike. Denatyrimi i votës dhe fuqizimi i krimit të organizuar janë gjithashtu probleme po kaq të rënda që dikton industria e kanabisit. Të dhënat tregojnë se çdo vit në Europë harxhohen mbi 24 miliardë euro për drogën, ku një pjesë e mirë e këtyre fitimeve u kalojnë grupeve kriminale shqiptare. Dhe në fund, siç vërejnë ekspertët, më e rrezikshme është se orientimi drejt këtyre aktiviteteve me norma të shpejta kthimi po shmang vëmendjen nga riorientimi aq shumë i nevojshëm i ekonomisë drejt sektorëve të qëndrueshëm, duke krijuar një situatë të ngjashme me atë të viteve ‘95-‘96, ku njerëzit u pasuruan me shpejtësi, pa punuar, por duke investuar paratë e tyre në “piramidat” që mbinë si kërpudhat në atë periudhë të toleruar dhe të pangacmuar nga shteti i kohës. Masivizimi i kësaj dukurie dhe rritja e ofertës ka çuar në rënien e çmimit të hashashit, duke u bërë një tjetër faktor për probleme sociale, apo konflikte, teksa kultivuesit, apo tregtuesit nuk do të arrijnë të marrin fitimin e parashikuar kur i hynë këtij “biznesi”. Çmimi ka zbritur tashmë në 200 euro/kg, ndërsa llogaritë fillestare ishin bërë për rreth 500-600 euro/kg. Një raport sekret i agjencive ligjzbatuese në Shqipëri ka listuar plot 363 zona, në të cilat kultivohet kanabisi. Vendi ynë konsiderohet një prej prodhuesve kryesor të kanabisit në Europë duke mundur të kalojë mbi një mijë ton marijuanë në vit. Trafikantët nga Jugu në Veri bashkëpunojnë me drejtues lokale dhe oficerë të policisë, për të garantuar mbrojtjen e parcelave me drogë kundrejt pagesës prej 10 euro për rrënjë, ose duke dhënë si këmbim 30 për qind të prodhimit në fund. Të dhënat sekrete kanë evidentuar se trafikantët veç bandave të armatosura, po përdorin edhe dronët për kontrollin e hapësirave me kanabis. Tendenca e kultivimit këtë vit i ka kaluar parashikimet. Ndërsa prej vitesh po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik në vend, të orientuar nga zhvillimi i qëndrueshëm, kultivimi i hashashit po lulëzon në çdo cep të vendit. Një “biznes” në pamje të parë fitimprurës dhe që sjell një “cash” të shpejtë në shtëpi dhe në ekonomi, por që në pak kohë pritet të japë pasoja shkatërruese për themelet ende të brishta të ekonomisë shqiptare, të ngjashme me atë të piramidave financiare të viteve ‘95-‘96 dhe ngjarjeve që pasuan në ‘97-ën.

SHKARKO APP