Politikës i duhen militantë, jo “injorantë të devotshëm”…

Nga Gëzim Tushi/Këto ditë një vajzë po më tregonte se ishte duke bërë aplikim për anëtarësim në një parti politike nga që kishte dëgjuar se ajo do të merrte një ministri dhe duke qenë anëtare e saj mund të kishte shanse që të punësohej në të. Problemi që më erdhi në mendje dhe që dua ta formuloj në këtë shkrim ka të bëjë me faktin që në shoqërinë tonë po shfaqet dukshëm fenomeni i militantit të manipuluar, që bëhet i tillë vetëm nga interesi personal dhe fare pak nga identiteti i ndonjë aspirate politike. Ky mentalitet nuk është fenomen i ri për shoqërinë tonë, as dukuri e sui generis e politikës sonë, që njerëzit sidomos të rinjtë herë për arsye të shëndetshme të dëshirës për të kontribuar në politikë e herë për qëllime diabolike, ndjekin modën e kohës duke u dhënë pas idesë se duhet bërë gjithçka për të siguruar “kënaqësitë e lakmueshme” që vijnë vetëm prej angazhimit në politikë.

Jemi përballë ca realiteteve shqetësuese të mënyrave që aplikohen dhe qëllimeve që fshihen në tipologjinë hipokrite të lidhjeve të qytetarit me politikën, sidomos kur është fjala për raportet padrejtësisht favorizuese të militantëve abuzivë përballë vlerave të vërteta të qytetarit të ndershëm e rezultativ. Kjo demokracia jonë mund të ketë shumë probleme dhe mangësi, por e lënë vetëm në duart e militantëve është një e keqe e madhe me efekte sociale dhe një nga arsyet shtesë që po i zhgënjen shqiptarët. Kjo sindromë kanceroze i detyron të rinjtë të deziluzionohen nga demokracia dhe shfaqen shpesh herë me shpresa të humbura. Dhe që pastaj të ndodhur në këtë situatë tentojnë të “marrin rrugët e botës”.

Ka një paradigmë historike që tregon, se kur ata që hyjnë në politikë dhe bëhen militantë mendojnë vetëm për vete, kanë dhe përgjegjësinë për pasojën shoqëruese që lidhet me tronditjen e rendit social. Prandaj megjithëse ne heshtim apo bëjmë kritika pa bukë, në të vërtetë është bërë shumë shqetësues kjo forcë e madhe omnipotente, ky totalitet i forcës së politikës në këtë vend, që jo vetëm po i bën dëm vetes dhe cilësisë së saj, por po sjell dëme strukturore e pasoja me rrezik publik.

Ka ardhur koha që problemi i raporteve të qytetarit me totalitetin e politikës të bëhet objekt i madh i debatit publik në vendin tonë. Sepse po ngatërrohen keq raportet, po deformohet kushti universal i drejtësisë si paanshmëri nga që përmes mekanizmave të deformuar po krijohet një kontradiktë shformuese me efekte degraduese sociale, që ka vënë përballë “skuthat” e inkorporuar apo të favorizuar, që sigurojnë sukseset e tyre duke u lëpirë si servilë organikë pas politikanëve dhe përballë tyre janë shumë herë të dëshpëruar njerëzit e zellshëm të këtij vendi, që kanë zgjedhur sistemin e kontributit dhe meritës. Nuk është kaq i thjeshtë sa e bëjnë mediat këtë kontradiktë. Përkundrazi situata është thelbësore me pasoja që kanë filluar të japin nga njëra anë frute të hidhura për njerëzit e zellshëm e punëtorë dhe parajsa herë të pamerituara e herë korruptive për skuthat që kanë gjetur mjete të lëpihen pas politikës.

Kjo politikë e favorizimit të militantëve është një paradigmë e zbatuar mekanikisht në Shqipëri në tërë këto 26 vite të demokracisë. Kjo sindromë është bërë krejt patologjike, sepse gjithnjë e më shumë politika është mbushur me skutha të rinj, por të plakur e të deformuar nga perceptimi abuziv dhe i deformuar i “licencës së militantit” që sjell privilegje pa kërkesa e kushte të tjera. Është fatale për të ardhmen kultivimi i kësaj kulture të deformuar të mbivlerësimit abuziv të “patentës së militantit”, të luftëtarit butaforik që vjen vërdallë në oborret e partive, që qëndron në kafenetë e selive për tu përshëndetur dhe parë nga lidershipi politik, duke qëndruar në “pritje të Godosë elektorale dhe përfitimeve favorizuese.

Të gjithë këta militantët e oborreve dhe shoqëruesit “luftarakë” të mitingjeve nuk bëjnë gjë tjetër veçse mburren, sajojnë heroizma betejash të paqena me kundërshtarët politikë, duke e përdorur si mjet për të zënë poste favorizuese, të përfitojnë të ardhura pa meritë apo edhe me plane korruptive.

Është e sigurt që një pjesë e këtyre militantëve janë dinakë e të rrezikshëm për hapësirat e njeriut të ndershëm e të zellshëm, sepse duke qenë të bindur se nuk kanë mundësi për rrugën e meritës e kanë mësuar artin e të jetuarit në mënyrë të përkryer lehtësisht kurrizin e njerëzve të zellshëm të këtij vendi.

Nuk kam asgjë me militantët dhe nuk është turp të jesh simpatizant qoftë edhe i flaktë i një partie politike, qoftë kur është në pushtet apo gjendet në opozitë. Nuk është këtu problemi. Problemi është se nga mënyra si po e shikojnë politikën jemi të detyruar të shtrojmë pyetjen që e kanë besoj shumica e shqiptarëve: Çfarë na duhen militantë apo njerëz që “artin e militantit” e përdorin thjesht si mënyrë për t’u dhënë vetëm dhe tërësisht pas interesit të tyre?

Po kush i përkrah dhe u hap këto rrugë të lehta atyre që nuk kanë vlera personal, që ngjiten si shushunja pas partive dhe bëhen abuzivë socialë përballë njerëzve të zellshëm e të vullnetshëm?

Padyshim që janë vetë politikanët dhe ambiciet e tyre, që për tu realizuar kanë nevojë për këtë lloj militantësh të cilët me servilizëm organik fare të lexueshëm kudo që ndodhen në mbledhje, në FB, në rrugë i trajtojnë liderët e tyre si prijës dhe për pasojë dinë vetëm të bëjnë deklarata besnikërie banale për ta. A është ky lloj militanti që i duhet partive politike, të cilat në jo pak raste në mënyrë të padrejtë u kanë kthyer krahët, ose nuk duan ta dinë se ku janë dhe çfarë bëjnë dhe cili është kontributi i njerëzve të zellshëm të këtij vendi?

Partitë politike i kanë hapur dyert për një kategori karrieristësh militantë, që janë shndërruar në lakej të liderëve qendrore e lokalë, që bëjnë llogari bizantiniste pa skrupuj personal përtej çdo caku moral. Projektet politike të partive në Shqipëri nuk mund të arrijnë objektivat në se në radhët e tyre futin pa doganë këta lloj njerëzish militantë për interesa kalimtare, një pjesë prej të cilëve nuk ka asnjë vlerë e aftësi profesionale përveç artit qesharak të lakeut politik. Kjo shtresë e skuthëve të politikës paradoksalisht ka shanse gjithnjë e më shumë të penetrojë në poret e infektuara karrieriste të skakierës politike. Nga që kanë aftësi që me mjetet e amoralitetit personal dhe shitjes pa çmim të dinjitetit mund të rrëmbejnë qëllimet e mira të njerëzve të zellshëm e punëtorë. Militantët e politikës, sidomos ata që janë të rinj kanë filluar të luajnë role diabolike, duke u bërë substancë me role të shumëfishta për të realizuar abuzivisht përmes karrierës politike pa meritë, qëllimet e tyre pragmatiste për vete, por të dështuara për shoqërinë shqiptare.

Tani që po afrojnë zgjedhjet e reja elektorale lakejtë po nxitojnë të bëjnë planet dhe të ndërtojnë strategjitë individuale. Ata kanë filluar të dalin në skenë e të bëhen interpretë të dëshirave të shefave të tyre të vjetër. Këtë e bëjnë me shpirt prej skllavi, me kameleonizëm evident. Këta persona pa personalitet e të njohur për servilizëm, mungesë qëndrueshmërie, për hir të së vërtetës janë bërë me shumicë në partitë shqiptare. Sepse ata e kanë kuptuar se nga mënyra se si ndërtohen marrëdhëniet me politikën dhe politikanët, politika në këtë vend ka kohë që nuk është më mision, ai vazhdimisht po shndërrohet në biznes personal. Në këtë perceptim politikën e kanë sjellë lakejtë që i janë ngjitur vazhdimisht asaj që kanë ambicie, e cila është një cilësi e domosdoshme e atyre që merren me politikë, por kanë harruar që nuk mjafton shfaqja vetëm e ambicies personale e pashoqëruar nga shumë cilësi, aftësi e vlera të tjera që kanë të bëjnë me mbajtjen e “ngarkesës së angazhimit”.

Është e vërtetë që politika shqiptare i ka nëpërkëmbur respektimin e konsideratave etike e meritokratike përtej nivelit të pyetjes së vjetër: A ka moral në politikë duke e katandisur atë në një dëshirë për narcisizëm individual? Po çfarë presin qytetarët nga politika si mjet për t’í mbrojtur nga e keqja sociale, kur ajo po krijon bindjen masive se, pikërisht “politika është bërë dera që të çon drejt pasurisë”. Këtë të vërtetë e kanë kuptuar skuthat e politikës, të vjetër dhe të rinj.

Nuk e di, por kjo kulturë finoke për t’í dhënë asgjë, kjo mënyrë e penetrimit në politikë për qëllime që nuk lidhen me të do t’i bëjë gjithnjë e më shumë mosbesues njerëzit ndaj politikanëve të këtij vendi, të cilët gjithnjë e më pak po bëhen të besueshëm në jetën publike. Postet dhe detyrat publike nuk janë pronë e partive politike që t’í ndajnë me militantët e tyre. Ato janë kontratë publike për njerëzit e zot të këtij vendi. Në të kundërt kjo rrugë do sjell një ftohje të përgjithshme të shqiptarëve me politikën dhe politikanët e saj. Militantët dhe skuthat janë të pamjaftueshëm për ta mbushur këtë vakum social.

Politika duhet të kuptojë se edhe ky komponent ka peshë sociale dhe prandaj po e bën të zymtë realitetin për të rinjtë tanë. Që të largojmë këtë zymtësi është e nevojshme të kultivojmë kulturën që e mban pushtetin sa më larg nga shokët personalë, militantë të vërtetë apo skutha qofshin. Nëse do të perifrazoja politologun J. Ramoneda, do të thoja se tani është koha për militantizëm ndryshe. Kjo do të thotë që e vërteta e militantit nuk mund të jetë ndryshe nga ajo e qytetarit. Politika natyrisht që ka nevojë dhe nuk mund të bëjë pa militantët e saj, por ajo nuk ka nevojë për “injorantë të devotshëm”. Republika është e shqiptarëve jo vetëm e militantëve.

SHKARKO APP