Prish e ndreq, ndreq e prish

Fejton nga Hyskë Borobojka/Ky refren prej katër fjalësh e gjashtë rrokjesh, që njëri e ndreq dhe tjetri e prish apo anasjelltas, ka një histori të vjetër në vendin tonë e përsëritet dekadë pas dekade. Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, një kryetar i nderuar Komiteti Ekzekutiv i një rrethi, mblodhi specialistët kompetentë dhe vendosi të ndërtonte unazën e qytetit. Ajo do kalonte rreth e rrotull, nga zona fushore e rrëzë kodrave. Qytetarë që do të udhëtonin me urban në Unazën e Re. Do ta shinin bukurinë e qytetit të tyre si në pëllëmbë të dorës. Puna filloi me vrull e hare, por s’qe kismet të mbaronte. Kryetarin e nderuar e larguan dhe vendin e tij e zuri një tjetër. Ky i fundit, sa u ul në karrigen e kryetarit të Komitetit, pa nga dritarja ata që po punonin dhe pyeti:

-Çfarë po bëjnë ata me kazma e lopata?

-Po ndërtojnë “unazën” e qytetit tonë, shoku kryetar! – i thanë.

-Të prishet! – urdhëroi kryetari i ri.

Pas ca kohësh e larguan këtë kryetar dhe erdhi përsëri kryetari i parë. Ai kur pa se s’dukej asnjë shenjë nga punimet për ndërtimin e unazës, pyeti:

-Ç’u bë unaza?!

-E prishi kryetari që ju zëvendësoi! – e sqaruan.

Atij i erdhi keq që gjithë ajo punë e mirë që ishte bërë, ishte prishur me një fjalë goje dhe dha urdhër të ndërtohej përsëri. Por s’qe e thënë që qytetarët e tij ta gëzoni, pasi kryetarin e nderuar e larguan përsëri. Pas kësaj unaza e qytetit ka mbetur gjysmake edhe sot e kësaj dite.

Është bela e madhe me disa kryetarë. Secili prej tyre ka mendjen e tij e bën s’i thotë koka. Në kooperativën e Zhepovës, në rrethin e Përmetit, në vitin 1986 dërguan një kryetar të ri. Ai sa pa rrugën që të shpinte në fshat, tha:

-Unë dua rrugën time, s’mund të eci në rrugën e tjetrit!

Dhe urdhëroi të ndërtohej një rrugë e re nga Suha në Zhepovë. Partia shtet, i ndërronte kryetarët e kooperativave, si mbreti gratë. Kur vajti në Zhepovë kryetari i tretë, vendosi të ndërtonte rrugën e tij, pasi ata të parët rrugët e tyre i kishin bërë pa “kompetencë”, ndërsa ai do ta bënte me “shkencë”. Akoma s’ishte përfunduar rruga e kryetarit të tretë, kur në Zhepovë arriti kryetari i katërt. Kur pa kooperativistët që po punonin për ndërtimin e rrugës së tretë, në vend t’i përshëndeste e t’i uronte: “U lumshin krahët”, u tha:

-Ju bëni rrugën tuaj, unë do bëj timen!

Pas tij vajti kryetari i pestë që ndërtoi rrugën e pestë. Vragat e të pesë rrugët të kryetareve, që rrotullohen brigjeve e kodrave, takoheshin në një pikë të vetme, në kurrizin e fshatarëve të varfër.

Por refreni “Nreq e pish, prish e ndreq” prej katër rrokjesh e gjashtë germash, kalon nga një epokë në tjetrën, nga sistemi monist në atë pluralist. Njëri nga kryetarët e Bashkisë së Tiranës, për t’i ardhur në ndihmë trafikut të rënduar në kryeqytet, vendosi të ndërtonte një mbikalim te “Zogu i Zi”. Puna filloi sëmbari, me “kompetencë” apo me “shkencë” (s’e vë dorën në zjarr). Por mbikalimi i gjorë, s’pati fat të priste shiritin e përurimit, pasi një tjetër vendosi dhe e prishi. Se kush e pagoi faturën e shpenzimeve për ndërtimin dhe prishjen e tij, e di xhepi i taksapaguesve të afërt.

Fenomeni “Prish e ndreq, ndreq e prish”, vazhdon të ndodhë edhe më sheshin “Skëndërbej” Heroin Kombëtar s’e thërriste, si dikur, Ministria e Bujqësisë të dorëzonte kalin, se do bëhej tufëzim i kafshëve, por në demokraci, urdhëroi kryetari i bashkisë t’i prishnin lulishten e trashëguar ndër vite. Urdhri është urdhër, nuk diskutohet, por zbatohet. Lulishtja e bukur, me pemë dekorative e lule u prish dhe në tërë “pronën” e të Madhit Skëndërbe, filluan të hapen kanale, hendekë, llagëme aq sa. Sheshi u kthye në gropa, brigje, batak, baltë e llucë. Që të kapërceje nga njëra anë e sheshit në anën tjetër, duhet të ishe njeri me fat, që të mos qololliseshe brenda tyre…

-More, – pyesnin qytetarët, – me “kompetencë” apo me “shkencë” po i kryen këto punë kryetari ynë?!

-Pyesni kryearqitektin e Tiranë! – thanë disa.

Ka apo s’ka kryearkitekt kryeqyteti i Shqipërisë, nuk dihet, mbase është “inkonjito” (i fshehur). Detyrën dhe të drejtën e tij e gëzon çdo kryetar i zgjedhur në krye të pushtetit lokal.

Pushteti i bashkisë nuk është i trashëguar, si puna e fronit mbretëror. Bëhen zgjedhjet dhe ikin një kryetar e vjen një tjetër. Kështu ndodhi edhe me Bashkinë e Tiranës. Kryetari i ri, kur pa hendekët e brazdat, që kishte hapur kryetari i parë, urdhëroi:

-Të prishen!

Dhe pasi i mbushi gropat e hendekët, me “kompetenca” apo më “shkencë”, filloi ta ndërtojë sheshin sipas shijeve të tij, duke i dhënë një formë të re, jo vetëm me trotuare e bordura, por edhe me pemë dekorative. Madje, projektoi, punoi e mbolli edhe një parcelë me bar. Si duket mendoi edhe për ushqimin e kalit të Skënderbeut.

Mbaron mandatin kryetarit të një krahu të politikës dhe vendin e tij e zuri një i zgjedhur nga krahu tjetër. Edhe ky, sa u ul në karrigen e drejtimit të bashkisë, hodhi sytë nga sheshi e tha:

-Ç’është ky shesh pa shijë, pa ngjyrë, pa erë?! Të prishet që nga themeli! E di unë si do t’ia zbukuroj sheshin të Madhit Skëndërbej?!

Urdhri i kryetarit, vëth në vesh për vartësit. Në fillim sheshi u thur nga të katër anët me gardh të lartë. U zunë rrugët e qarkullimit, aq sa drejtuesin e automjeteve s’dinë nga të kalojnë.

-Mos keni merak, – premton si ngaherë bashkia, – Së shpejti gardhet do të hiqen dhe kur ta shikoni bukurinë e tij, do të lini sytë e mentë.

Kështu deklaron Bashkia e Tiranë. Por qytetarët, që janë velur me premtime boshe, zor se do ta përtypin edhe këtë zotim. Zoti na ruajtët e na shpëtoftë. Por kut të bëhen zgjedhjet e reja për pushtetin lokal dhe në krye të bashkisë zgjidhet një kryetar tjetër, me fantazi të shfrenuar dhe e prish përsëri, për të vazhduar nga e para fushatën me katër fjalë “Prish e ndreq, ndreq e prish”?! Kjo nuk dihet. Vetëm një gjë është e sigurt. Urdhëruesit e refrenit “Prish e ndreq, ndreq e prish”, kur do ta futin dorën në xhep për të shlyer faturën e këtyre katrahurave?! Por ata e dinë se investitorët, si për ndreqjet edhe për prishjet, janë taksapaguesit e varfër, që “ndihmohen” me rriten taksave dita-ditës.

SHKARKO APP