Pse nuk bëzajnë 187 intelektualët e kryeqytetit?  

Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”

Nga Kristo Mërtiri/Ajo Thirrje jo dosido mbi dy dekada më parë, nuk iku si retë shtëllunga bashkë me tirazhin e një numri të gazetës partiake “RD” në atë fillim pranvere zhurmëmadhe. Dhe as nga titulli shkronjëmadh e jo pak sugjestionues: Atdheu na thërret! Aq më pak kur vetë doktor Berisha e pagëzoi publikisht si “Manifest” apo si porosi të madhe për demokracinë shqiptare nga “mendjet më të ndritura të kombit tonë”(?). Madje ky patetizëm ulërak, në disa rrethe të tjera intelektuale, mbaj mend që po përcillej edhe me shpoti  e pyetje therëse humoreske me e nën zë. “Lëçiteni mirë o njerëz, mos është ndonjë plagjiaturë e “Manifestit të Partisë Komuniste”(vepër programore e Marksit dhe e Engelsit)? Mos është Manifest Letrar e Artistik i padëgjuar ? Apo shkollë e re filozofike në tregun e lirë të pluralizmit politik shqiptar? Një vërsniku im nga Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, kur dëgjoi se thelbi i Thirrjes ishte për të votuar Doktorin, i vuri menjëherë kapak të rëndë muhabetit: Dëgjoni mua, se do më kujtoni një ditë por do jetë vonë. Ky është manipulim i stërholluar e dredharak për të bindur turmat që të votojnë ashtu si do ti, or tungjatjeta !…

Dhe rrjedha e ngjarjeve politike tashmë dihet. Rrëkerat e përrenjtë e betejave politike pa anë e fund, u kthyen në lumenj zhgënjimi përmes Tranzicionkaosit të pamerituar. “Shkëlqejnë sytë nën maskat hipokrite dhe dhëmbët e bardhë trembin sinqeritetin”, do të shprehej pa mëdyshje miku im po  të ishte gjallë, i madhi Petro Marko. Sepse vetë “shkërdhatokracia” nuk ka borie e as brirë. Ajo ka dalë sheshit dhe shpesh në sheshmejdan! Por në këtë shkrim, gjetkë e kam fjalën: Përse nuk bëzajnë sot e kësaj dite, shumica e asaj liste të paharruar nga “ajka” e Kryeqytetit? Disa prej tyre unë i kam njohur nga afër dhe nuk dëshiroj të lëndoj asnjërin, sidomos ca emra të shquar që kanë ikur në atë botë jo pa brenga e maraze. Të jem i sinqertë, kam pritur dhe pres shumë nga të gjallët e asaj Liste jot ë zakonshme, që dikur u përkëdhelën e u velën me furça partiake e tinëzare si “mendjet më të ndritura të kombit”(?!). Dhe kam bindjen, se ajo pritje e natyrshme për secilin nuk ka qenë e nuk është vetëm imja. Sepse Atdheu na thërret vazhdimisht e pa kushte dhe jo vetëm kur gjëmojnë daullet e liderëve partiakë të djathtë e të majtë. Më konkretisht :

Së pari, kur në Shqipërizën tonë po bëheshin shkrumb e hi disa tempuj të Arsimit e të Kulturës (shkolla e biblioteka); kur po shkretoheshin uzina, kombinate e toka pjellore, sa vetë u bënë të gjallë para publikut nga 187 intelektualët namuzqarë në metropol? Apo nuk e nxirrnin dot kokën nën kapotat e taborit urëndezur në emër të luftës “kundër komunizmit”?!… Më gjeni një Deklaratë a Thirrje me emrat e tyre të përveçëm. Sepse kjo heshtje drithëruese nuk është kurrsesi flor! Veç të tjerave, ajo hedh në erë dinjitetin e personalitetin e njeriut të kulturuar. Ndryshe mbetesh brenda llogores së një militanti kokëtul…

Së dyti, kur u rikthye dhimbshëm analfabetizmi në mal e në fushë dhe më pas u hapën me shpejtësi marramendëse edhe “fabrika diplomash” pa pikë djerse në Arsimin e Mesëm e të Lartë, kush ua mbajti gojën dhe duart lidhur? Aq më keq, kur gati të gjithë nënshkruesit e atij “manifesti” gjurmëlënës, janë me spaleta e grada të larta shkencore. Apo ngrenë krye vetëm “kur flet partia” dhe aspak kur tronditet ndërgjegjja e vërtetë qytetare e profesionale. Si nuk thanë dot dy fjalë publike, kur fëmijët e “pluralizmit” po mësoheshin nga arsimtarë të pashkolluar fare e rrogëtarë të rëndomtë deri nga sektori i blegtorisë?! Dhe nuk bëhet fjalë për 93 vjet më parë(1923). Por edhe atëherë dëgjohej ndonjë protestë e patriotëve të ndershëm : “ Kur një inspektor arsimi vizitoi një shkollë fshati në Korçë, pa se mësonjësi ishte analfabet. Dhe në Parlament ky skandal shtyu një patriot të fliste kështu: Qeveria mund të emërojë ministra analfabetë, ambasadorë analfabetë, gjeneralë analfabetë, funksionarë të lartë analfabetë, por jo kurrë një mësonjës analfabet !”. Po sot, në vitet e demokracisë? Ku janë strukur vallë ata akademikë hijerëndë; Profesorë krahëpendë; Doktorë; Docentë; Bashkëpunëtorë të Vjetër Shkencorë; Kandidatë Shkencash e ai vargan i gjatë me etiketën “I asociuar” dhe në cilat fole po ngrohin vezë e vegjetojnë si ethebutë e të drobitur mbi favore e privilegje? Apo ajo Thirrje ua shtroi udhët me dafina!…

Së treti, po kur u hapën varrezat zezona me foshnja, me të rinj e nuse të reja nëpër male e dete hidhërimi nga gomonet, varkat dhe motoskafët e vdekjes; po kur u hapën depot ushtarake me municione e armatim luftarak dhe shteti ra si kuti kartoni përballë nënave shamizeza që nuk po shterojnë ende edhe sot në kob e zi, ku ishin ngujuar ata 187 intelektualë kalanderë? Se historia mban shënim e nuk është kurrë shurdhmemece dhe as analfabete! Apo ngrinin supet me spaleta pushtetore dhe mbushnin bulçitë dhe xhepat rreth emrave vezullues të universiteteve private në kryeqytet e në periferi. Apo ishin duke gogësitur pas shpërblimeve të majme e të fëlliqura nga “antikomunizmi” i tyre kallp e jo pak qesharak ?!…

Së katërti, po kur u poqën e u dogjën të gjallë dhe u hodhën në erë nga “krimi shtetëror” 30 njerëz të pafajshëm e hallexhinj të mjerë në Gërdec, në cilën “majë Olimpi” u ndodhën vallë dhe nuk bëzanë ? Po kur u pushkatuan “pa gjyq”(jo para e pas Çlirimit, por në 2011) katër qytetarë me duart në xhepa buzë shkallëve të përgjakura Kryeministrore, në cilat shpella dimëronin si kunadhet e dhelprat mercenare të politikës faqezezë ?… Ndërsa tani vonë disa prej tyre po kakarisin e mërmërijnë prapa shpine e pas gjerdheve të shkollave e klinikave private të ngritura me “rroga shtetërore”; prapa shpërblimeve financiare të ndryshme nga duart e pushtpushteteve që shkojnë e vijnë kaluar në yzengji etj. etj. Ashtu pa cipë në faqe, të djathtë por edhe ca të majtë, i vërviten si çakej Edi Ramës që nuk po i kthen ende në toka pjellore “kënetat” e krijuara në mbi 20 vite. I hakërrehen nga vilat, makinat, apartamentet e studiot luksoze dhe “përgjërohen” për shumicën që lufton përditë të sigurojë bukën e gojës së vet e të fëmijëve! Në një kohë kur pinjollët dhe sojesorollopi i tyre notojnë në bollëk e maskarallëk brenda e jashtë Shqipërizës tonë hallemadhe. Një hipokrizi e pashoqe !…

Së fundi, më thoni, kush po prononcohet publikisht nga ajo Listë e gjatë famëkeqe me intelektualë laramanë,pas bërjes transparente të pasurive të Rektorëve e Dekanëve të rinj nëpër Universitetet shtetërore ditët e fundit ? Kush ua ka zënë kokën me derë bashkë me të dyja bulçitë e panginjura në vite? Apo janë thjesht fryte të prostitucionit politik, qytetar e profesional dhe nuk e kanë matur ende kohën e fjalët edhe pas dy dekadave rrumpallë e plot hosanara. Kush ua vrau vallë “pavarësinë” e “lirinë” e trumbetuar dikur? E citon bukur një miku im poliglot: “Kur njeriu shkruan, duket menjëherë nëse shkruan mirë apo keq. Por kur nuk shkruan asgjë dhe rri gojëkyçur, askush në botë nuk mund të marrë vesh a e bën ai këtë se është plot me mend apo se nuk ka fare…”. Sepse mençuria, në fund të fundit, është edhe armë e njeriut të kulturuar. Mirëpo, nganjëherë ndodh që më të mësuarit nuk janë më të mençurit! Jo më kot frashërlliu i madh i viseve të mia, filozofi i veçantë kombëtar Sami Frashëri, deklaronte hollë e açik: Është trimëri e madhe të heshtësh në tubimin e lajkatarëve!…

Të rrallë e fare pak ishin ata individë që e vuajtën shpirtërisht dhe reflektuan realisht e herët kur panë rrokullimën e lëngimin e mëmëdheut. Sepse në këtë botë të trazuar, kur e pranon dobësinë e vet, njeriu bëhet i fortë, thoshte babai im i ndjerë. Por jeta ka provuar e dëshmon qartë se kush nuk urren vesin, nuk e do virtytin… Të kuptohemi, intelektualët e vërtetë janë në opozitë me pushtetet e majta e të djathta dhe mbrojnë të varfrit e të paprivilegjuarit. Jo rastësisht pushtetet i kanë zët e frikë të ndershmit. Jo rastësisht, në pluralizëm u përsëritën burgosjet e gjyqet politike ! Fjala vjen, nuk mund të harrohet ajo njolla e zezë dhe ligëshane në trupin e së Djathtës : Kur rilindësi i papërsëritshëm e dinjitoz i ditëve tona, Akademiku i nderuar Rexhep Qosja, filloi të bënte vërejtje e kritika të pastra publike për qorollepsjet e pushtetit të ri diktatorial, këtij intelektuali të vërtetë kombëtar iu sulën me kuç e me maç nga kolibet e pista partiake e antishqiptare. Si nuk bëzanë hiç ato 187 “mendje të ndritura” ? O tempora, o mores ! Shkurt, të mos harrojmë të paktën Gorkin e pavdekshëm, të urtin e ditur dhe thënien e tij lapidare : Heshtja e njeriut të mençur i bën më shumë dëm shoqërisë se sa të folurit e shpifarakut!…

SHKARKO APP