Pushtimi i Shqipërisë më 1939, tradhti apo pamundësi?!

Nga Safet Ramolli

 7 prill 1939 natyrshëm ka zënë vend jo vetëm në historiografinë shqiptare por edhe në atë ballkanike, evropiane dhe më gjerë. Kjo sepse Shqipëria atëmot u sulmua ushtarakisht dhe u pushtua nga fqinji i saj perëndimor i përtej detit, Italia. Si u është përcjellë shqiptarëve ky zhvillim historik?!! Gjatë viteve 1945 – 1991, ky fakt historik opinionit shqiptar i është ofruar si tradhëti e hapët dhe e pastër e qeverisë shqiptare të kohës në përgjithësi, dhe veçanërisht si tradhëti e “satrapit Zog”, mbret i Shqipërisë në atë mot. Në gjithë literaturën shkollore të të gjitha niveleve, në botën akademike dhe shkencore, pra në të gjitha botimet shtetërore, kjo frazeologjizëm është përcjellë si një aksiomë, çka do të thotë si një e vërtetë, që nuk ka nevojë për diskutim apo debat. Ish kreu i Shtetit Shqiptar është akuzuar si tradhëtar i popullit shqiptar, i cili i shiti interesat kombëtare për të siguruar interesat e tij personale dhe të oborrit mbretëror. Si argument është sjellë politika e ndjekur prej tij ndaj qeverisë italiane, si një oportunitet i hapët duke bërë lëshime që cënojnë interesat e popullit shqiptar. Mandej është sjellë si argument edhe shitja e interesave ekonomike kombëtare, futjen e ekonomisë shqiptare në borxh të pashlyeshëm në ekonominë italiane. Po ashtu si argument është sjellë edhe politika e gjunjëzimit pa kushte ndaj politikës italiane. Njëherësh, për konsum ideologjik, janë servirur edhe argumente të tjera të llojeve nga më të ndryshmet.

Por për një njeri të zakonshëm, që zotëron një nivel mesatar intelekti dhe që njeh dokumentacionin shtetëror të kohës në një shkallë të pranueshme, çështja është e ndryshme nga ajo e servirura nga ideologjia dhe propaganda e shtetit shqiptar në vitet 1945-1991. Por edhe në të pastajmen, deri edhe në ditët tona, shumica e historianëve pothuajse kanë lundruar në të njëjtën kënetë si edhe paraardhësit e tyre. Ata në shumë pak raste dhe vetëm për çështje të veçanta janë distancuar nga trajtimi syqorrazi i politikës shtetërore për periudhën 1925-1939. Ndërkohë, disa të tjerë kanë mbajtur qëndrime ekstremiste duke mos i ngarkuar asaj periudhe asnjë të metë, që në ndonjë rast dhe për çështje të veçanta, kanë qënë diametralisht të kundërta me interesat kombëtare. Përgjithësisht, është i njohur fakti që Shqipëria atëmot ka patur marrëdhënie preferenciale me Italinë, krahasuar me shtetet e tjera fqinje dhe më larg. Këto marrëdhënie kanë njohur “ngrohje” dhe “ftohje”, “miqësi” dhe “armiqësi”, “ngritje” dhe “ulje” etj. etj. Por në tërësi, kreu i Shtetit Shqiptar ka bërë përpjekje të vendosë raporte respektimi dhe reciprociteti midis palëve. Kur e ka kërkuar situata, ai me forcë dhe argumente ka mbrojtur interesat kombëtare, deri në acarim dhe ftohje të marrëdhënieve.

Po atëhere si shpjegohet sulmi ushtarak dhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia?!! Nëse mbreti i shqiptarëve, do të kishte tradhëtuar interesat e shqiptarëve, do ta kishte shitur vendin tek Italia, gjithnjë sipas trajtimit që i bën politika zyrtare e viteve 1945-1991, për çfarë arësyeje madhore ish-Mbreti do të ballafaqohej deri në prishje të marrëdhënieve dhe armiqësi të hapur me Italinë? Nëse do të ishte kështu, ai, duke qënë për 15 vite në krye të piramidës shtetërore, por edhe me pushtet gati të kontrolluar, e kishte “komoditetin” e duhur, që të ishte larguar me kohë dhe qetësisht nga vendi dhe nuk do të ndodhej në Durrës edhe në mëngjezin e 7 prillit. Nga ana tjetër, ai bashkëshorten me fëmijën vetëm dyditësh, e largoi nga Shqipëria pas një vendimi unanim të Parlamentit Shqiptar, me argumentin për të siguruar vazhdimësinë apo trashëgiminë e familjes. Unë mendoj se nuk kemi të bëjmë me tradhëti ndaj atdheut dhe shitje të tij, por me pamundësi për t’u shmangur nga konflikti, që kishte hyrë në rrjedhën e luftës së përbotëshme, si dhe me paaftësi për t’u përballur me sukses me një kundërshtar shumë herë më i madh në numur dhe po po kaqë më i armatosur.

   Po bëjmë kujdes t’i shmangemi trajtimit që është bërë nga historiografia e shkruar shqiptare e periudhës 1945-1991, por edhe më vonë, e cila, sikurse dihet, ka qenë skajshmërisht e politizuar, prandaj po sjellim në vëmendjen e lexuesit disa qëmtime nga disa intelektualë shqiptarë dhe personalitete të tjera të Ballkanit dhe më gjerë kryesisht të fushës së historiografisë, të cilët na prezantohen si të mirĭnformuar për këtë çështje.

  Jo vetëm në historiografinë shqiptare por edhe në atë ballkanase e më gjerë, 7 prilli 1939 ka hyrë në mjaft raste, apo përgjithësisht, nën frazeologjizmin: “E Premtja e Zezë”. Ky epitetim mjaft i goditur, nuk vjen vetëm për  faktin që ishte një ditë e premte ajo e agresionit të armatosur, por sidomos për cënimin e lirisë dhe të tërësisë teritoriale. Shqipëria, e rropatur ndër shekuj, u bë një ndër viktimat e para të koalicionit ushtarak famëkeq, i cili jo vetëm kishte në plan por edhe po zbatonte realisht copëtimin dhe pushtimin hap pas hapi të vendeve të ndryshme në Evropë, Azi, Afrikë. Historiografia shqiptare e periudhës 1945-1991, por edhe më vonë, këtë ngjarje të rëndësishme për vendin, e ka konceptuar dhe sjellë për popullin përmes shkollimit në të gjitha nivelet, por edhe përmes propagandës masive, në mënyrë të njëanëshme, duke deformuar disa të vërteta dhe realitete, që historia sidomos, duhet t’i mbajë mirë parasysh dhe t’i interpretojë jashtë udhëzimeve politike, por edhe emocionale dhe personale. Ajo disa ngjarje i ka “futur” në kallëpe steriotipe, dhe i ka servirur si aksioma që nuk lypin apo pranojnë as diskutim, as edhe logjikë tjetër përveç vetvetes. Pushtimi i huaj paraqitet si një rrjedhojë e keqqeverisjes, (diçka nga kjo akuzë edhe duhet pranuar S.R)), e cila nuk mori masat e duhura për të përballuar sulmin e huaj, qoftë në pikëpamje të përgatitjes por edhe të komandimit e drejtimit të operacioneve ushtarake. Akuzat shkojnë skajshmërisht deri në pabesueshmëri, vallha ajo kishte sabotuar duke nxjerrë armatimin jashtë luftimit që në depo. Unë gjykoj se lexuesi shqiptar duhet ta ketë të qartë, se pushtimi i Shqipërisë ishte pjesë e planit famëkeq botëror Gjermani-Itali-Japoni për rindarjen e botës, për rrjedhojë edhe një zhvillim i pashmangshëm nga drejtuesit e shtetit shqiptar. Më tej, duhet pranuar se përballimi me sukses i sulmit ushtarak italian, ishte realisht i pamundur, sepse Shqipëria në këtë kohë kishte vetëm katër batalione ushtarake (të dislokuara në Shëngjin, Durrës, Vlorë e Sarandë) ndërkohë që Italia fashiste ishte përgatitur për të kryer veprime ushtarake me vende me potencial ushtarak më të fuqishëm në të gjitha pikëpamjet. Njëherësh duhet mbajtur parasysh edhe fakti, që pajisja me armatim e ushtrisë shqiptare ishte e varfër jo vetëm në sasi por sidomos në teknologji. Sikurse do ta nënvizojmë edhe më poshtë, Italia sulmoi edhe me mbështetjen e aviacionit, armatim që Shqipëria nuk i dinte as emrin, por edhe me mjete luftarake detare, që gjithashtu Shqipëria nuk i posedonte. Më mirë se sa historinët gjëndjen konkrete na e jep populli përmes krijimeve deri edhe të kënduara, kur shprehet për det të mbushur me vaporë, për qiell që nxiron nga avionët, për luftëtarë që bjenë therror për liri e vatan, etj. etj. Historiografia shqiptare nuk ka argumentuar, apo nuk ka bindur fqinjin tonë, Greqinë, për faktin që sulmi ndaj Greqisë vërtet u krye nga territori shqiptar, me pjesëmarrjen edhe të disa shqiptarëve si pjesë e forcës së armatosur, por vendi ishte i pushtuar, administrimi i vendit dhe komunitetit bëhej nga pushtuesit, dhe pjesëmarrësit shqiptarë në veprimet luftarake ishin pjesë e fuqisë së armatosur të pushtuesit. Ka edhe mjaft probleme të tjera, të cilat i përkasin fushës së studjuesve të mirëfilltë të historisë dhe ushtrisë. Pra, qeveria e kohës, mund të qortohet se nuk kishte menduar mjaftueshëm për rritjen dhe fuqizimin e potencialit mbrojtës, por assesi pse nuk e përballoi me sukses ofensivën ushtarake të huaj. Sikurse do ta shohim edhe më poshtë, ushtria italiane zotëronte aeroplanë luftarakë në numër më shumë se sa oficerë kishte ushtria shqiptare. Të pretendosh që Shqipëria duhej t’i kishte mposhtur operacionet ushtarake italiane, është më shumë se sa një absurditet dhe mungesë logjike realiste.

Ja vlerësimi i disa personaliteteve për këtë çështje

   Janë disa personalitete në zë shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë analizuar dhe janë shprehur për këtë çështje. Gati si gjithë historiografia shqiptare edhe ata thuajse janë të dyzuar. Disa gjykojnë dhe mbajnë qëndrime të influencuar nga marrëdhëniet personale, që kanë patur me ish mbretin e shqiptarëve. Të tjerë nisen nga simpatia që kanë për popullin shqiptar të keqtrajtuar nga “historia” në rrugëtimin e tij, pra nga qëndrimet dashakeqe të Fuqive të Mëdha; të tjerë janë më objektivë, por janë të pafuqishëm për të ndikuar drejtpërdrejt, prandaj edhe të pamundur të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Prandaj edhe mbreti i shqiptarëve ka patur dhe ka fatin e keq që të trajtohet më shumë se sa i dyzuar: herë si tradhëtar e satrap që shiti interesat e kombit dhe vrau patriotë shqiptarë; herë si njeri që ka edhe disa merita sepse bëri përpjekje për krijimin e një shteti me tipare perëndimore, çaramatosi popullsinë dhe mori përsipër të garantonte jetën dhe pasurinë e shtetasve; herë të tjera si hero dhe “Skënderbe i dytë” duke i ngritur edhe një shtatore në kryeqytet apo duke emërtuar bulevarde, rrugë e institucione shtetërore me emrat e familjes mbretërore, dhe deri duke i rikthyer prona e pasuri. Por këtë fat në Shqipëri e kanë patur të gjithë ata që kanë drejtuar Shtetin Shqiptar në gjithë rrugëtimin e tij historik, duke rrezikuar që vendi të mbetet pa histori dhe pa personalitete drejtuese.

Po bëjmë kujdes më poshtë të sjellim vlerësimet dhe qëndrimet e tyre ashtu si ata i kanë servirur, pa bërë koment, në mënyrë që lexuesi të mund të gjykojë dhe të bëjë vlerësime.

  Pas asaj që nënvizuam më lart, dëshirojmë të nënvizojmë se, nga studimi i materialeve historike, literaturës bashkëkohore, analizave të ndryshme për zhvillimet në fjalë, na imponojnë të pohojmë e të pranojmë, se mjaft kohë më parë në kulisat politike dhe shtabet ushtarake të disa vendeve evropiane, përgatitej gllabërimi i territorit shqiptar prej fqinjëve të përtej detit. Këto qëndrime e sjellje ishin planëzuar, shprehur dhe realizuar faktikisht që prej dy-tre vjetësh në Afrikë, në Kinën e largët, por edhe në rajone të tjera.

Zhvillimet pas 7 prillit 1939, jo vetëm në kufijtë jugëlindorë të vendit tonë por edhe në Evropën Qëndrore e Lindore, na servirin dokumente dhe zhvillime konkrete, të cilat na bëjnë të konkludojmë se, vendi ynë ishte pjesë përbërëse e planeve pushtuese të shteteve, që kishin marrë përsipër, sikurse pohon qartazi Xhorxh Kastellan, “të qepnin e të shqepnin territore” në pjesë të ndryshme të globit.

  Por për këto zhvillime, rajonale fillimisht, dhe ndërkontinentale më vonë, ka mjaft qëndrime konkrete. Ali Këlcyra, një ndër eksponentët aktivë të politikës shqiptare, vite më parë qe shprehur publikisht, se Shqipëria dhe Ballkani rrezikonin ekzistencën e tyre. Më 2 shkurt 1939 publikohet shkrimi: “Shqipëria koloni e fashistëve”; pasi ishte shprehur më 6 maj 1930, se: “Moria e fashistëve italianë të pajisur me armatim e pjesëtarë të njësive të posaçme fashiste që vendosen vazhdimisht në Shqipëri me pretekste të ndryshme, është një farë pushtimi i kamufluar”. Më 4 dhjetor 1931, në gazetën “La Repyblik”, ai pohonte “Fashizmi i pasur, i fuqishëm që ka si program ekspansionin në Ballkan, shfaqet në rolin e tij të vërtetë kur përdor të gjitha forcat për të sunduar Shqipërinë, si faza e parë e marshimit drejt lindjes”. Në librin “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi”, autori mjaft i informuar Tanush Frashëri, sjell pasazhin: “Pa kontrollin e LK (Lidhjes së Kombeve S.R) për natyrën kombëtare të lëvizjes brenda kufijve të Shqipërisë vendi ynë do të jetë gjithmonë i kërcënuar prej pushtimit fashist. Jemi të bindur se së shpejti populli italian do ta kuptojë se kjo politikë fashiste në Shqipëri, nën nxitjen e klikës kamorriste po mbush xhepat e disa personave të cilët do të rrënojnë vendin tonë dhe vetë popullin italian”, e përfundon artikullin “L’Italie ri interviendarft-alle pas en Albanie” (Italia vallë nuk ka për të ndërhyrë në Shqipëri), nr. 21, 24 gusht 1928.

   Fan Noli, një personalitet madhor i popullit shqiptar, më 1931, shprehet se Italia shpejt a vonë “do të marrë tapinë mbi Shqipërinë”, dhe pas kësaj Musolini “do t’i japë shkelmin A. Zogut, …, do t’i hajë kokën shpejt a vonë si një e një që bëjnë dy”, dhe, si një Kasandër parashikon, se “Ahmeti me bejlerë do të rrëmbejë valiçet dhe do të ikin natën, posa të mos kenë përkrahje të jashtme, se e dinë që populli nuk i do”. Më 21.02.1933, përsëri A. Këlcyra, rishprehet: “…megalomania musoliniane e ka shpënë Duçen të citojë Makiavelin se në politikë është më mirë të ta kenë frikën se sa të të duan”; në vijim të politikës së Romës së lashtë ai e ka hedhur vështrimin në Shqipëri, që e konsideron si një mbështetje për t’i zgjatur kthetrat e tij në tërë Ballkanin.

Skënder Luarasi, një ndër vullnetarët shqiptarë në Brigadat Internacionaliste në Spanjë, pohon në Radio Barcelona: “Nuk ka në Shqipëri një qytetar me pesë pare mend në kokë, që të mos kuptojë se pas Abisinisë dhe Spanjës, do të jetë populli shqiptar viktima e tretë e lakmisë fashiste. Mjerë Shqipëria po të fitojnë gjeneralët fashistë luftën, që i kanë shpallur Republikës së Shqipërisë”.

  Për të “Premtjen e Zezë” 1939, është shprehur edhe “Mbretëresha e Maleve”, Edit Durhami, kur i pohon Faik Konicës: “Jam e shqetësuar për gjëndjen e Shqipërisë. Nuk më pëlqen borxhi i madh kundrejt Italisë. Italianëve nuk u duhet besuar, dhe nuk shoh se çfarë mund t’i pengojë ata që të mos rrëmbejnë një port si pagesë për këtë, në rast se e quajnë të përshtatëshme”.

   Zonja Margaret Macmillan, e mbesa e kryeministrit të Anglisë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, në librin madhor “Paris 1919, gjashtë muaj që ndryshuan botën”, sjell me vërtetësi dhe argumente bindëse dramën se si u luajtën fatet e popujve në skenën e madhe botërore gjatë Konferencës së Paqes në Paris në analizë të përfundimit të konfliktit gjakosës të përbotshëm. Në këtë libër Shqipëria gjen pasqyrim të gjerë dhe real, çka historiografia shqiptare nuk na i ka ofruar ndonjëherë. Me keqardhje, ajo shprehet se Shqipëria ndodhet e mjerë, me shumë armiq të fuqishëm dhe me shumë pak miq të dobët. Pas një analize të gjerë dhe konkrete, ajo arrin në përfundimin jo shumë të këndshëm por real, se Shqipëria ishte e dobët dhe qeveria e saj e pasuksesëshme. Njëherësh na sjell në vëmendje edhe vlerësimin dhe qëndrimin burrëror proshqiptar të presidentit amerikan të kohës Willson. Në këtë konferencë u muarrën vendime të rëndësishme për botën, por që për Shqipërinë ishin në linjën e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, pra që cënonin tërësinë territoriale. Realiteti që evidenton zonja Margaret, se Shqipëria ndodhej midis shumë armiqsh të fuqishëm dhe pak miqsh të dobët, por edhe me qeverisje të dobët dhe pa efektivitet, krejt natyrshëm do të ndodhej e pafuqishme për të përballuar me sukses sulmin ushtarak që do të pasonte pas pak vitesh.

Por duhet pranuar e pohuar se, për shkak të gjëndjes aktuale të qeverisjes së vendit, por edhe të burimeve njerëzore e materiale të kufizuara, vendi ynë u gjend i papërgatitur dhe jo plotësisht i gatshëm të përballonte me sukses sulmin ushtarak të jashtëm prej një fuqie ushtarake të konsiderueshme, e cila kishte marrë përsipër të kryente agresion edhe në disa vende të tjera të rajonit ballkanik dhe evropian. Ushtria Shqiptare ishte e vogël në numër, e shkërmoqur në pikpamje organizimi, e paarmatosur me armatim e municion bashkëkohor por edhe në sasinë e domosdoshme, si dhe e komanduar jo me profesionalizmin e duhur, për rrjedhojë edhe pa efektivitet; vendi ishte i pafuqishëm në pikpamje ekonomike për të mbështetur veprimet luftuese; drejtimi e komandimi i luftëtarëve shqiptarë vuajti edhe nga paaftësia e Shtetit për të marrë në dorë gjendjen e krijuar, e mjaft të tjera si këto.

   Bernd J. Fisher, për “Të Premten e Zezë” në Shqipëri, shprehet edhe sa vijon: “Konti Çiano, ish ministër i jashtëm i Italisë dhe dhëndërr i Musolinit, pohon: Ose në bashkëpunim me Jugosllavinë dhe copëtimi i Shqipërisë, ose pa ata (jugosllavët S.R) dhe pushtimi i Shqipërisë”. Në fillimviti 1938, në opinionin publik gjithnjë e më shumë qarkullonin zëra ngulmues se Italia do ta pushtonte Shqipërinë. Këtë fakt e shpalos krejt qartë disa herë zoti Tanush Frashëri, autor i librit “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi” si p.sh: Më 4 shkurt 1939 në Jugosllavi ishte krijuar kabineti i ri qeveritar pas rrëzimit të Stojadinoviçit, për rrjedhojë “Këshilli i Kurorës” nuk mund të bënin asnjë kundërshtim me armët për të përballuar invadimin e Shqipërisë, në qoftë se nuk do të kishin siguruar më parë përkrahjen e aleatëve të tyre”.

  Bernd J. Fisher pohon edhe sa vijon: “Në orën 5.30 minuta të mëngjezit të 7 prillit, “E Premtja e Zezë”, Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Saranda u sulmuan prej 40 deri 50 mijë trupash të mbështetura prej 400 aeroplanësh dhe 12 anije lufte”.

    Mbrojtësit e qytetit të Durrësit, nën komandën e nacionalistit Abaz Kupi, me cilësinë e komandantit të Xhandarmërisë, ndonëse të pakët në numër dhe duke patur vetëm pesë gjerdanë me fishekë, mundën të zmbrapsin valën e parë të sulmit italian. Abaz Kupi për lexuesin shqiptar më së shumti njihet me emrin Bazi i Canes, një emërtim pejorativ ky, i përdorur nga qeverisja shqiptare 1945-1991. Por në fakt ai ka qenë dhe mbetet një personazh i rëndësishëm, që dominoi në situatën politike në Shqipëri, e cila kulmon me organizimin e rezistencës ndaj pushtimit italian më 7 prill 1939, me nismën e tij, dhe që vijon me organizimin e Lëvizjes Nacional-Ҫlirimtare duke qenë ndoshta ndër liderët më të shquar të saj. Gjithësesi i mënjanuar, më pas i mohuar, pas Konferencës së Mukjes, në të cilën ishte përfaqësues i Frontit Nacional-Ҫlirimtar. Por rezistenca në luftë “me një mbret 40 milionë”, sikurse shprehet populli, në orën 9. 00 u thye në qytetet: Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin, kishte marrë fund. Vetëm në Durrës u vranë më se 200 italianë, dhe ndoshta më shumë shqiptarë. Një pohim nga kancelaritë italiane ve në dukje edhe sa vijon: Konti Çiano, i shoqëruar nga Filipo Anfuzo, vëzhgonte me avion zhvillimin e luftimeve. Por në këtë situatë, duke parë zhvillimin e veprimeve luftarake, jashtë etikës dhe protokollit italian, Anfuzo detyrohet të përsëritë disa herë: “… në rast se shqiptarët do të dispononin një brigadë zjarri të pajisur mirë, ata mund të na kishin hedhur në Adriatik…”. Një pohim jo i këndëshëm ky të cilin e evidenton Bernd J. Fisher, i cili pohon prerazi dhe qartë, se në operacionin e 7 prillit, forcat ushtarake shqiptare luajtën një rol relativisht të vogël, “… mungesat e mëdha me armë zjarri, municione dhe organizim, do ta sakatonin shumë shpejt aftësinë e qëndresës shqiptare “.

Xhorxh Kastellani, autori i librit madhor “Histori e Ballkanit“, botuar më 1996, pohon: “… Musolini i filloi veprimet luftarake të Konfliktit të Dytë Botëror me pushtimin e vendit më të vogël në Ballkan, Shqipërisë, “Të Premten e Shenjtë”të vitit 1939, por përballë politikës së italianizimit, shqiptarët manifestuan shpejt pakënaqësinë e tyre “.

  Kështu, edhe pse i ndodhur në rrethana të disfavorëshme, populli i thjeshtë u ngrit nën “komandën e ndërgjegjes kombëtare e atdhetare”. Në mbarë Shqipërinë, mjaft shqiptarë u drejtuan drejt brigjeve të Adriatikut e Jonit. Në Durrës bije dëshmor për atdhe dhe nder, Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani etj; në Vlorë bije Hamit Vishko, në Sarandë Mitro Dhimërtika, dhe dhjetra e qindra të tjerë.

    Pastaj vijuan dëshmorët e tjerë, të cilët janë kaqë shumë për një “copë“ vend dhe një “grusht” popull si ky i yni. Njëzet e tetë mijë (një shifër e diskutueshme kjo nga historianët, e sidomos nga politikanët S.R) mbetën të rënë për Atdhe, për të transmetuar apelin: Ky vend dhe ky popull ka mbijetuar në sajë të dëshirës, vullnetit dhe sakrificave të shumta për të qënë i lirë. Pushtimi për shqiptarët ka qënë gjithmonë një akt i dhunëshëm, sepse i cënohej liria, sovraniteti dhe tërësia territoriale, të cilat ndër shekuj i ka patur të shenjta e të shtrenjta. Hap pas hapi u organizua një qëndresë e fuqishme, edhe pse fillimisht thuajse spontane, pas atij çorganizimi shtetëror dhe mungese fuqie njerëzore e materiale për t’u përballur me sukses me pushtuesit.

Është fakt i njohur historik, që kreu i Shtetit Shqiptar, Ahmet Zogu, në këtë moment krize të pashpresë, në mëngjezin e kësaj dite u largua nga vendi i tij. Këtë ndodhi disa nga personalitetet e huaja, të cituara edhe më sipër, e analizojnë dhe interpretojnë gati në unison në përmbajtje, por në forma të ndryshme në aparencë. Editt Durham, shprehet mbreti Zog i Shqipërisë “… ua mbathi me të shtënën e parë dhe i la atdhetarët shqiptarë të luftonin të vetëm kundër forcave me epërsi dërrmuese”; Xh. Kastellan, nënvizon: ”… Zogu ishte larguar përmes maleve me dëborë…”.  Por gjithësesi, edhe nga disa të huaj është pohuar prerazi dhe qartë se, populli shqiptar i ndodhur përballë rrezikut të shpërbërjes, zgjodhi alternativën e qëndresës së armatosur. Vatrat e qëndresës kundër pushtuesve, në fillim e deri në ditën e çlirimit në fundvitin 1944, u shndërruan në legjendë. Nga dita e parë e pushtimit e deri në çlirimin e plotë, kudo ku e deshte interesi i mbrojtjes së Atdheut, u derdh gjaku i shtrenjtë i shqiptarit.

SHKARKO APP