Ramës i duhet dhe një mandat i dytë për të finalizuar reformat

Nga Sadedin Çeliku

Çdo kush që do të lexojë këto rreshta do të çuditet nga shkrimi im për shkak se në mjaft shkrime qeveria dhe Kryeministri është kritikuar nga unë siç edhe e kam vlerësuar në mjaft raste për punën e dobishme që ka bërë kjo qeveri. Sigurisht që, rezultatet do të ishin më produktive në qoftë se kryeministri nuk do të merrte në mbrojtje disa ministra të korruptuar dhe disa parazitë, të paaftë e inaktive. Qëndrimet e mija kanë qenë dhe mbeten konstante dhe në koherencë të plotë me situatën që kalon vendi. Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk kam qenë dakord që shërbimet spitalore, shërbimet e transportit rrugor apo rruga e kombit të koncensionohen sikurse nuk jam dakord që të tjera shërbime publike të dublohen e të shtrihen në sigurimet shoqërore, në zyrat e regjistrimit pasurive dhe në sektorë të tjerë publik. Gjithsesi në këtë shkrim nuk dua të ndalem tek dobësitë që ka maxhoranca në qeverisje por me rëndësinë që ka vijimësia e qeverisjes së majtë dhe vazhdimi i reformave të nisura e të kryesuar nga zoti Edi Rama. Shqipëria tashmë i është futur rrugës së pakthyeshme të reformave, reforma këto që do sjellin efektivitete, drejtësi, transparencë, performancë në administrimin e shtetit, punësim, reduktim të problemeve të shumta sociale, arsimim dhe zhvillim ekonomik.  Reforma në drejtësi u bë e domosdoshme për shkak se vendi ynë ka një sistem të të korruptuar. Ky korrupsion është ulur këmbëkryq në të gjitha nivelet, nga politikanët e lartë e deri poshtë në nivelet e shërbimit. Lufta kundër këtyre fenomeneve në sistemin e drejtësisë përbën sfidën kryesore të qeverisë, luftë kjo që duhet të vazhdojë edhe në vitet në vijim deri në ç’rrënjosjen e korrupsionit. Pengesa në zbatimin e reformave të deritashme është korrupsioni. Miratimi i Vetting-ut është hapi i parë drejt reformimit të sistemit të drejtësisë, por mbetet për t’u parë zbatimi rigoroz i saj.

Reforma administrative-territoriale nisi në vitin 2014 dhe shënoi një kthesë historike sa i takon administrimit territorit. Ndarja e re territorial i dha fund fragmentimit të skajshëm administrative të vendit, duke e organizuar tashmë territorin dhe qeverisjen në vetëm 61 bashki, ndërkohë që abuzimi me fondet vendore thuajse i kurseu buxhetit rreth 100 milionë dollarë në vit. Reforma duhet të synojë shtrirjen e shërbimeve fshat në fshat, atje ku nuk ekzistojnë këto shërbime dhe sot. Reforma ende nuk është përfunduar dhe ka një rrugë të gjatë që të finalizohet. Lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal përgjatë territorit duhet të forcohet, konsolidohet dhe institucionalizohet dhe gjatë mandatit të ardhshëm.

Reforma në arsim filloi siparin me heqjen e licencave të universiteteve private të cilat u shndërruan në fabrika që prodhonin diploma universitare false. Disiplinimi i këtyre universiteteve në përputhje me legjislacionin ishte detyrë mjaft komplekse. Reformat e arsimit parauniversitar, profesional dhe ai i arsimit të lartë mjaft të debatuar, vendosja e mesatares, kanë krijuar premise të padiskutueshme për rritjen e cilësisë, specializimin dhe adaptimin e shkollave në përputhje me nevojat. Reformat e teksteve, e trajnimit dhe kualifikimit të mësueseve do të rrisin e konsolidojnë me tej mësimdhënien.

Reforma në bujqësi është mjaft e rëndësishme dhe deri tani ka filluar të japi rezultatet e para. Rritja e eksporteve në 1, 5 miliard dollarë u bë e mundur nga dhënia e 20 % të subvencioneve të prodhimit bujqësor. Kjo do të mundësojë reduktimin e informalitetit dhe në rritjen e prodhimit. Bujqësia ka potenciale dhe mundësi reale zhvillimi ende të pashfrytëzuara, por duhen çuar deri në fund reformat që lidhen me tokën, infrastrukturën rurale dhe bonifikimet ujore.

Reforma Energjetike kërkon kohë të përfundojë thotë Kryeministri Rama. Rritja e kapaciteteve energjetike, përfundimi i mjaft hidrocentraleve, liberalizimi i tregut energjetik, krijimi i bursës gjatë vitit ardhshëm do të çojnë në furnizimin më të mirë të popullatës me energji elektrike por dhe me tarifa më të lira të cilat do të realizohen si rezultat i konkurrencës në tregun energjetik. Kjo reformë ka lehtësuar mjaft barrën e financave publike në vend. Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, Shqipëri-Maqedoni, linja unazore e Shqipërisë së jugut, ndërhyrja në H/C e Komanit, Fierzës dhe Vau Dejës do të mundësojnë shfrytëzimin me efektivitet të burimeve si dhe do të konsolidojë më tej këtë industri të fuqishme.

Politika e Jashtme është administruar me kujdes. Si asnjëherë tjetër kreu i qeverisë ka folur me dinjitet për mbrojtjen e shqiptarëve në Kosovë, Preshevë dhe kudo që janë, por ka ngritur dhe diskutuar dhe për të drejtat e çamëve, problem ky i pa ngritur nga asnjë kryeministër tjetër. Por ka folur me zë të lartë dhe për marrëveshjen famëkeqe e të gabuar të tjetërsimit të detit.

Sigurisht që ka pasur dhe mund të ketë reagime nga qëndrimi i drejtë shqiptar por në fund të fundit duket se zëri i Shqipërisë ka filluar të dëgjohet edhe nga selia e Brukselit. Politika e jashtme e ndjekur nga qeveria ka qenë në koherencë të plotë me interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve në përgjithësi. Sidoqoftë gjykoj se marrëdhëniet me fqinjët duhen normalizohen dhe çështjet problemore midis Shqipërisë e Greqisë, Shqipërisë e Serbisë duhen negociuar dhe sigurisht që ato do të marrin kohën e vet.

Pra është qartë se reformat e nisura duhen përfunduar. Maxhorancës aktuale, e cila mendoj se e tillë do të mbetet edhe pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, i duhet dhe një mandate tjetër që ta futi vendin në rrugën e zhvillimit.

Opozita është me mjaft probleme, e dobët dhe e papërgatitur për të ardhur në pushtet. Ajo ende nuk ka një strategji e program se si duhet të vijë në pushtet Premtimet e deritashme të shefit të opozitës janë në ajër dhe pa bërë asnjë llogari.

Qeveria paraardhëse, sot në opozitë, ka lënë një gropë të zezë të cilën duhet ta heqë kjo qeveri. Borxhi publik në masën 73% të PPB e ka futur ekonominë në kolaps dhe kësisoj i duhet kësaj maxhorancë ta ulë atë dhe ta çojë në më pak se 60%. Kjo detyrë kërkon dhe një mandate tjetër. Por ka dhe mjaft probleme të tjera që i takojnë politikës jashtme që kërkojnë kohë të futen në rrugën e zgjidhjes siç janë integrimi i vendit në BE dhe gjetja e rrugëve për zgjidhjen e problemeve me Greqinë por dhe me ndonjë vend tjetër.  Zgjedhjet po afrojnë dhe maxhoranca në pushtet duhet të bindë shqiptarët se meritojnë të vazhdojnë të qeverisin vendin edhe për katër vite të tjera sepse në fund të fundit janë ata që me votën e tyre vendosin gjithçka. Të presim ç’do të ndodhë.

SHKARKO APP