Reflektime mbi integrimin Atlantik të Ballkanit

Nga Halil Rama/“Reflektime mbi integrimin Atlantik të Ballkanit “,-kjo ishte tema e Konferencës Ndërkombëtare që u organizua nga Këshilli Atlantik i Shqipërisë, në bashkëpunim me   Departamentin e Diplomacisë Publike të NATO-s dhe me Institutin për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Kjo konferencë  me përfaqësues nga  Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Turqia, Serbi, etj, u fokusua në disa aspekte  te gjendjes së sotme të sigurisë në rajon si dhe mbi rezultatet e Samitit të NATO-s që u zhvillua këto ditë në Bruksel, siç janë angazhimi më direkt i Aleancës në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, krijimin e një organizmi të veçantë në NATO vetëm për këtë qëllim dhe domosdoshmërinë që çdo vend anëtar duhet t’i përmbahet detyrimeve financiare dhe detyrimeve të tjera sipas vendimeve të marra bashkërisht.

Presidenti i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Dr.Arian Starova, në fjalën e  hapjes  theksoi rëndësinë që merr aktualisht puna për njohjen më shumë të Organizatës së Atlantikut të Veriut nga ana e opinionit publik dhe sidomos nga ana e rinisë. Në këtë drejtim, Dr. Starova, veç aktiviteteve që janë zhvilluar vitin që kaloi dhe këtë vit, sidomos me universitetet në Tiranë dhe Durrës,  parashtroi edhe planet e Këshillit Atlantik që, në bashkëpunim me qeveritë vendore, universitetet, por edhe me shkollat e mesme të organizojnë ekspozita të ndryshme fotografike, biseda etj., mbi NATO-n dhe misionet e saj. Në bashkëpunim edhe me Këshillat Atlantike të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, do të synohet që  këto veprimtari të shtrihen edhe në rajon, duke krijuar grupe të përbashkëta lektorësh.

Pjesëmarrësit, veç arritjeve që ka përjetuar rajoni ballkanik,  u  ndalën edhe  në fenomenet dhe ngjarjet që tronditën kohët e fundit seriozisht këto arritje. U theksua se Nacionalizmi i sëmurë mund të shërbejë vetëm për mbijetesë politike. Aplikimi me rigorozitet dhe prioritet i politikave integruese,  integrimi i plotë në NATO dhe BE mund të krijojë mundësi reale për një zhvillim harmonik dhe pa kriza etnike e sociale në rajon.

Në këtë kuadër rol pozitiv do të luante edhe rifillimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Të pranishmit reaguan me tone kritike për faktin se, integrimi në strukturat euroatlantike,  jo vetëm për vendin tonë, por edhe për ato të rajonit, po ecën më ngadalë se sa janë mundësitë. Nga njëra anë, BE dhe NATO kanë investuar burime të konsiderueshme në këtë rajon dhe vazhdojnë të riafirmojnë angazhimin e tyre për zgjerim, nga ana tjetër,vonesat që vihen re mund të sjellin  pasoja të rënda negative politike, ekonomike, por edhe të sigurisë  për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Është shumë e nevojshme që në rajonin Ballkanik të mbizotërojë një klimë më e fortë besimi dhe respekti reciprok. Vend i rëndësishëm iu kushtua bashkëpunimit sidomos midis të rinjve të Ballkanit për të njohur dhe respektuar vlerat, traditat dhe kulturën e vendeve fqinje.

Konferenca përshëndeti krijimin dhe vënien në funksionim të Organizatës për Bashkëpunim të Rinisë Rajonale, në frymën e iniciativës së Kancelares Merkel për Ballkanin Perëndimor. Drejtues të saj sollën në konferencë përvojën e deritanishme dhe planet për forcimin e saj në të ardhmen.

Konferenca theksoi rëndësinë që merr sot forcimi i mëtejshëm i  kapaciteteve ushtarake të NATO-s, përshëndeti dhe u solidarizua me hapat e fundit politike dhe ushtarake që Aleanca ka marrë për të forcuar më shumë sigurinë në kufijtë e saj. Diskutantët në fjalët e tyre theksuan  nevojën që NATO duhet t’i përshtatet më mirë situatës që është krijuar, sidomos  luftës kundër terroristëve ndërkombëtarë të të gjitha ngjyrave, jo vetëm brenda territorit ku shtrihet NATO, por edhe më gjerë. Konferenca përshëndeti anëtarësimin e Malit të Zi  në Aleancë dhe  theksoi nevojën e vazhdimit të politikës së dyerve të hapura në rajonin tonë.

Në fund të punimeve të konferencës Dr. Arian Starova, në cilësinë e Presidentit të Këshilli Atlantik të Shqipërisë i dorëzoi z. Aleksandër Dedovic, President i Alfa Centar në Malin e Zi,  një letër falënderimi për punën e palodhur në përhapjen e vlerave euroatlantike, jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon si dhe për kontributin e çmuar në forcimin e miqësisë midis dy vendeve.

SHKARKO APP