Reforma në Drejtësi, ja sa do i kushtojë një gjyq shqiptarëve

Reforma në drejtësi ka sjellë edhe ndryshimin në tarifat gjyqësore. Pyetja më e shpeshtë që bëjnë qytetarët pas miratimit të reformës në drejtësi është se sa do të kushtojnë tarifat për gjyqet? “News 24” disponon projektligjin për ‘Tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në Republikën e Shqipërisë” i cili është hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë.

Sipas tabelës, për të hapur një gjyq civil në gjykatën e shkallës së parë duhet ë paguash 2500 lekë nga 3600 lek që është aktualisht. Gjithashtu sipas ligjit, është detajuar edhe pagesa në rastet dërgimit të çështjeve në gjykatat e tjera.

Neni 4
Tarifa gjyqësore e përgjithshme
1. Tarifa gjyqësore e përgjithshme për çdo nivel gjykimi përllogaritet mbi bazën vlerës së çështjes gjyqësore civile, administrative ose penale si më poshtë:
a) 1% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të parë;
b) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë;
c) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Gjykatën e Lartë;
d) 5.000 (pesëmijë) lekë për gjykimin e ankimeve të veçanta;
e) 2.500 (dymijepesëqind) lekë për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale;
f) 5.000 (pesëmijë) lekë për paraqitjen e ankimit kundër vendimit penal në gjykatat e apelit;
g) 5.000 (pesëmijë) lekë për paraqitjen e rekursit kundër vendimit penal në Gjykatën e Lartë.
h) 5.000 (pesëmijë) lekë për gjykimin e çështjeve penale në ato raste kur gjykata vihet në lëvizje me kërkesë nga i dëmtuari akuzues. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje, tarifa është 2.500 (dymijepesëqind) lekë;
2. Nëse vlera e padisë nuk mund të përcaktohet, për shkak të natyrës së veçantë të mosmarrëveshjes, tarifa e përgjithshme gjyqësore është 5.000 (pesëmijë) lekë. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje vlera e tarifës është 2.500 (dymijë e pesëqind) lekë.
3. Përcaktimi i vlerës së padisë bëhet nga personi, i cili ka ngritur padinë përpara gjykatës.
4. Në rast se përllogaritja e vlerës së padisë mungon, kjo konsiderohet si e metë e padisë dhe gjykata ja kthen atë paditësit për përcaktimin dhe përllogaritjen e vlerës së padisë.
5. Përcaktimi i vlerës së padisë në paditë e mbrojtjes së të drejtave të pronarit, si vlerë e padisë do të merret vlera e sendit që kërkohet t’i kthehet pronarit apo vlera e sendit që kërkohet të kompensohet.
6. Në rastin e detyrimeve kontraktore, që përbëhen nga pagesa periodike mujore, gjashtëmujore ose vjetore, vlera e çështjes përcaktohet bazuar në ekuivalentin e një pagese që duhet të shlyhet për 12 muaj.
7. Kur gjykata e shkallë së dytë gjykon si gjykatë e shkallës së parë, si dhe në ato raste kur Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar, tarifa e përgjithshme gjyqësore do të jetë e njëjtë me atë që zbatohet për gjykimet në shkallë të parë.
8. Për çështjet gjyqësore të parashikuara në Aneksin 1 të këtij ligji zbatohen tarifat e parashikuara në këtë Aneks. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit për këto çështje vlera e tarifës është sa gjysma e vlerës së tarifës së shkallës së parë.
9. Tarifa gjyqësore e përgjithshme për paraqitjen e çështjeve gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese është 5.000 (pesëmijë) lekë. Kjo tarifë paguhet vetëm në ato raste, kur Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të individëve.
10. Tarifat gjyqësore për gjykimet administrative në të gjitha nivelet janë sipas Aneksit 2 të këtij ligji. Paditë për shpërblimin e dëmit kontraktor dhe jashtë kontraktor, si dhe paditë për marrëdhëniet e punës që janë objekt i gjykimit administrative, tarifa e tyre për të gjitha shkallët e gjykimit administrative është sipas tarifave të përgjithshme për gjykimet e këtyre çështjeve nga gjykata civile për çdo shkallë gjykimi.
11. Vlera minimale e tarifës gjyqësore të përgjithshme është 700 (shtatëqind) lekë dhe ajo do të paguhet në këtë masë për paditë me vlerë deri në 700.000 (shtatëqind mijë) lekë.
12. Kur çështja gjyqësore kthehet për rigjykim nga gjykatat më të larta, nuk paguhet sërish tarifë gjyqësore e përgjithshme.
13. Shpenzimet gjyqësore ne proceset civile, administrative dhe penale llogariten sipas legjislacionit procedural në fuqi.
14. Në procesin penal detyrimi për të paguar shpenzimet gjyqësore të përgjithshme është në ngarkim të të pandehurit nëse ai deklarohet fajtor dhe dënohet me vendim përfundimtar.

/BW

SHKARKO APP