Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në luftën kundër korrupsionit

Placeholder Image

Këto fenomene parashikohet edhe në Deklaratën e Limës “Institucionet Supreme të Auditimit me qëllim arritjen e rezultateve dhe efektivitetit në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit, duhet të përpiqen në krijimin e një mjedisi të pafavorshëm për lulëzimin e tyre”…

Nga: Almida Kafia, Eni Kabashi      

Audituese, KLSH

Auditimi i sektorit publik i kryer prej Kontrollit të Lartë te Shtetit ka një ndikim pozitiv në rritjen e besimit të shoqërisë sepse përqendrohet në ruajtjen dhe përdorimin sa më të mirë të burimeve publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit është duke kontribuar përherë e më shumë nëpërmjet auditimeve që ai kryen, bashkëpunimit me të gjitha institucionet buxhetore nëpërmjet rekomandimeve që lë dhe komenteve që ata sjellin në përmirësimin e situatës në favor të një fryme përherë e më pozitive. Në këtë mënyrë KLSH promovon efikasitetin, përgjegjshmërisë, efektshmërinë dhe transparencën e administratës.

Në nivelin e sotëm të zhvillimit, auditimi është pjesëmarrës i rëndësishëm në sistemin e qeverisjes. Ai ka për qëllim mbështetjen dhe forcimin e mekanizmave të menaxhimit të institucioneve, si dhe vlerësimin dhe përmirësimin e efektshmërisë së menaxhimit të riskut dhe proceset e kontrollit. Më konkretisht, nëpërmjet kontrolleve të kryera nga auditimi pritet të krijohet një mekanizëm që të monitorojë dhe kontrollojë mashtrimin me qëllim minimizimin ose në kushtet më të mira eliminimin e tij.

Kontrolli i Lartë i Shtetit si institucion i pavarur, është një komponent thelbësor në një sistem demokratik, ku llogaridhënia, transparenca dhe integriteti janë pjesë e domosdoshme e një demokracie të qëndrueshme, efektive dhe të besueshme.

Këto fenomene parashikohet edhe në Deklaratën e Limës “Institucionet Supreme të Auditimit me qëllim arritjen e rezultateve dhe efektivitetit në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit, duhet të përpiqen në krijimin e një mjedisi të pafavorshëm për lulëzimin e tyre”.

Qëllimi i bashkëpunimit mes INTOSAI-t dhe anëtarëve të vet është promovimi i një roli proaktiv duke iu referuar luftës kundër korrupsionit në përputhje me kompetencat dhe autoritetet e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe kërkesave për pavarësi të organizatës.
Për shumë vite, ata kanë përkrahur luftën kundër korrupsionit, dhe si pjesë të punës së vet audituese, SAI-t janë të angazhuar më tepër për parandalimin e korrupsionit se pasjen si qëllim kryesor zbulimin e tij. Çka do të thotë se qasja ka qenë më tepër për të parandaluar korrupsionin, se sa zbulimin e aktiviteteve të paligjshme. KLSH-ja si institucion suprem i auditimit, ka zgjedhur të jap kontributin e tij në luftën kundër korrupsionit nëpërmjet bërjes së kallëzimeve penale për të gjitha ato raste kur janë konstatuar shkelje të rënda, shpërdorim të detyrës, mashtrime apo manipulime me pasoja të konsiderueshme financiare, të kryera nga zyrtarët e administratës shtetërore të çfarëdo niveli. Pasi në fund të fundit auditimi është projektuar pikërisht për të mbrojtur, shtuar dhe përmirësuar këto vlera.

Korrupsioni ka qenë dhe mbetet një ndër shqetësimet kryesore të qeverive, organeve legjislative, atyre të gjyqësorit dhe procedimit penal, si dhe, veçanërisht i të gjithë institucioneve që operojnë në fushën e financave publike. Dhe prej kohësh është theksuar se llogaridhënia dhe transparenca janë dy antidodat më të forta ndaj tij, të cilat nëse zbatohen, mund ta luftojnë dhe kufizojnë me efektshmëri korrupsionin dhe të rrisin mirëqeverisjen në sektorin publik.Duke pasur parasysh nevojën urgjente, sot më shumë se kurrë, ndiejmë se lufta kundër korrupsionit dhe rritja e transparencës dhe e llogaridhënies është kthyer në sfidën më madhore të kohës.

Korrupsioni paraqet një pengesë serioze për menaxhimin efektiv të burimeve dhe alokimin e tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Tolerimi i tij përkthehet në abuzim të pushtetit çka nënkupton qeverisje të keqe si pasojë e mungesës së përgjegjshmërisë dhe kjo e ‘kalb’ një shtet nga brenda. Lufta ndaj tij duhet të jetë e tillë ku të sigurohemi se nuk ka vend ku të fshihet, duke rritur transparencën e buxheteve qeveritare, informacionit tatimor dhe prokurimit publik për të penguar evazionin fiskal dhe për të vënë në dukje vjedhjen ose keqpërdorimin e taksave.

Ekzistojnë rregulla dhe norma të sjelljes dhe etikës, të shkruara dhe të pashkruara, që drejtojnë sjelljen e nëpunësve publikë,  por procesi i korrupsionit është shumë i padukshëm duke lenë shumë pak apo aspak prova të dokumentuara.

Raportimi dhe auditimi i mirë i ushtruar nga institucionet e pavarura të auditimit ndihmojnë në zvogëlimin e keqdeklarimeve të cilat fshehin veprimet mashtruese, kequdhëzojnë dhe shtrembërojnë drejtimin e përdoruesve të raporteve të auditimit. Auditimi ofron sigurinë e dëshiruar që raportet dhe deklarimet e tjera financiare apo jo financiare mund të jenë të besueshme dhe pasqyrojnë me vërtetësi rezultatet e veprimtarisë së subjektit publik. Roli dhe përgjegjësia e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni më i lartë i auditimit publik, është që të kontribuojë në transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve shtetërore, nëpërmjet auditimeve të tij.

Lufta kundër korrupsionit, në të cilën KLSH dhe institucionet e tjera shtetërore janë të angazhuar, është një luftë e vazhdueshme, pa kompromise, ndaj çdo institucioni apo nëpunësi. Partneriteti mes tyre do të jetë një plus i madh që do të ndihmojë në mposhtjen e ‘virusit’ të tij. Nëse i referohemi shifrave, sipas analizës vjetore të vitit 2015 numri i kallëzimeve penale të denoncuara në organin e prokurorisë gjatë harkut kohor të tre viteve 2012-2015 është rreth 3.1 herë më tepër se kallëzimet penale të kryera në katër vitet së bashku 2008-2011, përkatësisht nga 52 në 159 kallëzime penale, ndërsa numri i personave të kallëzuar penalisht rezulton rreth 4 here më i lartë, shifra këto që vitin aktual po vazhdojnë të rriten. Njëkohësisht janë lidhur disa marrëveshje bashkëpunimi me OJF të ndryshme me qëllim bashkimin në këtë kazus, me revistën Monitor duke hapur edhe një dritare tjetër komunikimi me publikun me qëllim rritjen e transparencës dhe modernizimin e institucionit.

Lufta ndaj këtij fenomeni është një luftë e gjatë e cila nuk mund të zhduket ‘me magji’, ashtu siç u deshën kohë të arrihet në këto nivele, eliminimi i saj kërkon dyfishin e kohës për të shkuar drejt këtij synimi. E rëndësishme është parandalimi duke mos u lejuar rritjen e nivelit në sistem. Bashkëpunimet dhe trajnimet me vendet homologë kanë bërë të mundur marrjen dhe dhënien e shembujve të përvojave më të mira nga vendet evropiane, të cilat na tregojnë se po të kemi një bashkëpunim të gjithë shoqërisë, institucioneve ligjzbatuese dhe institucioneve të pavarura atëherë mund të arrijmë të kemi ‘triumfin’ e kërkuar, gjë për të cilën KLSH ka kohë që po punon me sukses.

SHKARKO APP