Ruani çadrën…
FEJTON nga Thoma Goga
Në fillim çadrat janë shpikur për t’u mbrojtur nga shiu. Po dhe nga dielli duhet të ruhet njeriu. Njëri të lag dhe gjuhën në gojë, tjetri të përcëllon. Sidomos kur të bie pingul në kokë. Ndaj mendja njerëzore shpiku çadra edhe për rrezet diellore. I keni parë në plazh? Të gjithë e duan nga një çadër. Shumica e plazhistëve ruajnë kokën, kurse nga mesi e poshtë theken, nxihen e përvëlohen. Koka ka rëndësi se aty është truri, ose si i thonë në gjuhën popullore; “komiteti qendror”…Nejse, unë nuk e kam llafin këtu.
E kam te çadra si objekt. Shqiptari është mësuar të rritet me pushkë. Madje, siç thotë dhe një shkrimtar i njohur, i dukej se pushka ishte zgjatim i kolonës vertebrale. Në mungesë të armës, mbante çadrën që i ngjante sikur kishte pushkë. Dhe e varte pas qafës, në jakë të xhaketës. Kjo ishte arsyeja që kurrë nuk e humbiste çadrën. I dukej se po humbiste pushkën…
Po unë kam një mik të mirë që ka humbur dhjetë çadra. E kam mik për kokë të mikut, ndaj nuk po e quaj “humbameno”. Sikur të ishin pushkë, do kishte hyrë dhjetë herë në burg mavria, sepse në kohën e “çadrës- pushkë”, të rrasnin brenda. Një ditë dolëm si zakonisht për kafe. U ulëm në një bar -lulishte. Kudo jeshillëk ishte. Si me shaka i kërkova të më tregonte historitë e humbjes së dhjetë çadrave. Thjesht për gallatë. Dhe miku im filloi. Hajde histori, hajde. Nga këto kam fiksuar vetëm dy prej tyre. E para ishte e thjeshtë fare. Sapo kishte blerë një çadër dhe, duke pritur autobusin e fshatit, po i këndonin zorrët.
– Ç’të bëj, – tha mavria, – ne fshatarët hamë shumë fasule. Dhe hyra në një nga ato banjot publike. Mbarova punë dhe ika. Çadra mbeti atje pa hapur fare. Hallall kush e ka gjetur. Kurse historia tjetër ishte më e lezetshme.
– Një natë po kthehesha në shtëpi. Kisha hedhur një dopio raki. Kur m’u çuan qentë e lagjes. Çudi si nuk më njohën? Mbase ngaqë kisha rrokullisur një dopio raki. Nuk më kishte bërë vaki. Ishte dhe balua im. Po mbrohesha me shkelma dhe me çadrën që mbaja në dorë. Kur ma rrëmbeu një qen dhe ia mbathi me të katra. O po sikur të ishte në ato garat ndërkombëtare, të thom. Duhet të ketë qenë qen bir qeni. E fiksova mirë grabitqarin. U qetësova disi se shpëtova atë çast. “Po si?”, do thoni ju. Çuditërisht qentë e tjerë iu turrën qenit që rrëmbeu çadrën time. Hallall edhe kjo çadër, thashë, shyqyr që shpëtova nga qentë.
Si u qetësova, fillova të vras pak mendjen. Ore t’i jenë turrur për t’i marrë çadrën time?! Çne, se qentë nuk mbajnë çadër. Kot nuk ka dalë dhe ajo shprehja; aq sa mban qeni brekë, aq mban dhe Lekua lekë. Kur s’mban lekë, pse të mbaj çadër…Prandaj them se nuk do i jenë turrur për çadrën. Do kenë pasur ndonjë hall tjetër. Të nesërmen, kur isha esëll fare e po shkoja në punë, e zgjidha edhe enigmën. Më doli para qeni që më kishte marrë çadrën. E njoha menjëherë. Ishte buçja e Salushit, që e kam dhe “kundërshtar politik”…Aty i rashë hilesë; qentë e tjerë i ishin turrur buçes. “Pse ju turrën buçes?”, thoni ju. Sikur s’e dini?! Punë qensh dhe unë budallai mendova se ziheshin për çadrën…
Rrëfimi i mikut tim më vuri në mendime të tjera. Qeshja nënzë dhe tundja kokën. Si mbaroi rrëfimin, më pyeti:
– Si thua ti; kujt i takon merita që shpëtova atë natë; buçes apo çadrës?
Ngaqë nuk dija kujt i takonte “dekorata”, ia preva shkurt dhe unë.
– O po shyqyr që shpëtove kokën, d.m.th “komitetin qendror”…
Paguam kafetë dhe ikëm. Filluan ca pika shiu. Miku im vështroi retë e zeza dhe ngriti jakën e xhupit.
– Bli çadër se do lagesh, – i thashë.
– Jo more, të ma rrëmbejë buçja e Salushit,- tha dhe qeshi.- Nuk kam kokë për çadër…