Sejko për “Reuters”: Banka e Shqipërisë synon të frenojë euroizimin e ekonomisë

Ekonomia shqiptare po ndjek trendin rritës.

Një marrëveshje trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej 330 milionë euro ndihmoi në koordinimin më të mirë të politikës fiskale e monetare dhe solli rritje graduale të qëndrueshme dhe kontroll më të mirë të borxhit publik, tha Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, në një intervistë për prestigjozen “Reuters”.

Duke u ndalur në situatën zgjedhore, Guvernatori theksoi se qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 25 qershorit duhet të përqendrohet në reformat strukturore.

Sipas tij Banka e Shqipërisë synon të frenojë euroizimin e ekonomisë, në mënyrë që të mbrojë sistemin e saj bankar nga goditjet e kursit të këmbimit.

“Nuk është fjala për heqjen e euros nga ekonomia e Shqipërisë, e cila është një kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Por plani është për të nxitur gradualisht rritjen e përdorimit të lekut në financa dhe ekonomi”, tha ai.

Banka gjithashtu do “të ruajë dhe mbrojë stabilitetin financiar pasi një nivel i lartë i huadhënies në euro do të ekspozonte sistemin bankar shqiptar ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit”, shtoi Guvernatori .

Një dekadë më parë, 80 për qind e huadhënies ishte në valutë, kryesisht euro dhe pjesa tjetër në lekë, por raporti që atëherë ka ndryshuar në 55 për qind në euro dhe 45 për qind në lekë, e ndihmuar nga ulja e normës bazë në një nivel të ulët rekord prej 1.25 për qind .

Sejko tha se banka po inkurajonte bankat komerciale të mbajnë depozita në lekë dhe bankat po u tregojnë klientëve që të konvertojnë kreditë në lekë.

Në lidhje me arritjet në sektorin bankar, Guvernatori vuri në dukje se plani për të reduktuar kreditë të këqija kishte bërë të mundur që ky tregues të ulet nga 23.5 përqind e totalit të kredisë në 2013 në 16.6 përqind në prill 2017.

“Kjo tregon se politika jonë është duke funksionuar” theksoi kreu i sistemit bankar, ndersa vijoi se banka do të mbajë një politikë stimuluese deri në fund të vitit 2017.

“Nëse kjo monetare stimuluese do të vazhdojë apo jo, do të varet nga treguesit makroekonomikë në të ardhmen,” tha Sejko, duke treguar sinjale të rritjes së rritjes në eurozonë, të cilat ndikojnë Shqipërinë nëpërmjet tregtisë dhe investimeve.

SHKARKO APP