Shoqëritë aksionere dhe sfidat për auditimin e tyre

Nga Selime Bregu*/Sipas të dhënave të INSTAT, megjithëse shoqëritë anonime nuk zënë një përqindje të konsiderueshme në numrin e përgjithshëm të kompanive në Shqipëri, ato përbëjnë pa asnjë dyshim pjesën më dinamike të bizneseve private e publike, të cilat japin kontribut të rëndësishëm në prodhimin e përgjithshëm bruto të ekonomisë shqiptare, në rritjen ekonomike, në investimet dhe në shtimin e vendeve të punës.

Numri i shoqërive publike në vendin tonë ka ardhur duke u reduktuar, si pasojë e procesit të privatizimit, ndonëse me ritme të ngadalësuara në vitet e fundit si rezultat i shumë faktorëve, si dhe të falimentimit të atyre degëve që nuk i janë përgjigjur dot ndryshimeve strukturore në ekonominë shqiptare. Megjithatë, shteti ende ruan një pjesë të konsiderueshme pronësie në disa degë të ekonomisë duke i dominuar ato si: prodhimin dhe transmetimin e energjisë elektrike, ujësjellës-kanalizime, prodhimin e hidrokarbureve, transportin hekurudhor, etj. Për arritjen e rezultateve të programuara nga shoqëritë dhe ndërmarrjet publike, pra në tërësi për entet publike dhe kryerjen e aktivitetit në përputhje me ligjet dhe rregullat përkatëse, është e interesuar shoqëria në tërësi, pasi këto janë pronë shtetërore dhe si e tillë duhet të jenë transparente dhe efektive në veprimtarinë e tyre. Veprimtaria audituese e KLSH-së në shoqëritë publike i ka shërbyer rritjes së efektivitetit nëpërmjet rekomandimeve për përmirësimin e situatës në drejtim të menaxhimit, administrimit dhe organizimit, duke marrë masa për shmangien e shkeljeve të konstatuara për të ardhmen, por dhe duke vënë para përgjegjësisë materiale dhe sipas rastit dhe penale, shkaktarët e dëmtimeve të aseteve shtetërore.

Natyrisht shteti, sikurse edhe çdo pronar  privat, kur zotëron paketën e aksioneve, ka të drejta të plota për të vendosur për treguesit ekonomikë dhe financiarë të shoqërisë publike, lidhur me: të ardhurat vjetore, shpenzimet gjithsej dhe nga këto, për pagat, investimet, numrin e fuqisë punëtore, pagën mesatare vjetore, etj. Krahas mangësive në cilësinë e përgatitjes e tyre, vërehen shkelje në afatet ligjore të parashikuara për hartimin e programeve ekonomiko-financiare të zhvillimit të kompanive publike. Në përgjithësi nuk ka një harmonizim dhe bashkërendim të punës për hartimin e treguesve të këtij programi midis drejtorive brenda shoqërisë, duke e konsideruar një veprimtari rutinë të tyre. Shoqëritë dhe ndërmarrjet publike në hartimin e programeve vjetore nuk kanë ose nuk mbështeten sa duhet në planet strategjike afatgjata dhe programet afatshkurtëra, duke kërkuar për këtë qëllim dhe miratimin nga ministritë e linjës dhe jo vetëm të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në cilësinë e pronarit. Veç këtyre është konstatuar se, kjo ministri ka lejuar ndryshime të vazhdueshme të programeve ekonomike gjatë vitit, duke prishur balancën edhe të atyre programeve që në ndonjë rast kanë qenë optimal për nga përgatitja. Mangësitë e mësipërme duke u bashkuar me mungesën e thelluar të raportimeve dhe analizave periodike nga drejtoritë dhe bordet drejtuese, bëjnë që niveli i realizimit të programeve ekonomike dhe financiare të jetë i ulët dhe performanca menaxhuese të shfaq mangësi dhe të meta.

Në të shumtën e rasteve, jo më pak mangësi shfaqin bordet e shoqërive dhe ndërmarrjeve publike: këshillat mbikëqyrëse dhe ato drejtuese. Bordet trajtohen si organe pa shumë përgjegjësi, pa iniciativë, shtojca të administratës së shoqërive, me status të kufizuar dhe që mund të ndryshohen sa herë që ndryshojnë drejtuesit politikë të dikastereve. Organizimi dhe funksionimi ligjor i organeve drejtuese janë çështje të auditimit të shoqërive publike. Këshillat drejtues apo mbikëqyrëse të shoqërive publike, në të shumtën e rasteve nuk përmbushin kriteret ligjore të cilësisë së përbërjes, duke e konsideruar si burim shtesë të ardhurash për individë të pushtetshëm të radhës, sesa si menaxherë në administrimin e shoqërisë. Duke qenë të tillë, në mjaft raste largohen pa përmbushur afatet dhe shkaqet ligjore të qëndrimit, largimit dhe të zëvendësimit, duke mos respektuar dhe kërkesat numrin e mbledhjeve dhe tematikën e çështjeve për të cilat këto borde janë përgjegjës ligjërisht, sikurse është mosmarrja në analizë dhe shqyrtimi periodik i veprimtarisë së shoqërisë aksionere. Vendimeve të marra, në mjaft raste u mungon referenca ligjore ose dalin jashtë kompetencave te tyre. Po kështu edhe drejtuesit ekzekutivë shpesh marrin vendime të kundërligjshme si në lidhje me largimet nga puna, copëzimin e prokurimeve në rolin e autoritetit kontraktor, paaftësisë në realizimin e treguesve të programuar, etj.

Është e rëndësishme të theksohet se shoqëritë publike, akoma nuk kanë arritur të zbatojnë plotësisht si duhet ligjin nr. 10296, datë 8.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” dhe Udhëzimin e Ministrit të Financave nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, të cilat janë “busulla” orientuese e stafeve drejtuese në administrimin ekonomik, financiar dhe ligjor të tyre.

KLSH, kohët e fundit e i ka dhënë një vlerësim të veçantë çështjeve që lidhen me ngritjen dhe funksionimin e auditit të brendshëm në shoqëritë publike. Kjo për vetë faktin se ekzistenca e specialistëve të aftë, të ndershëm dhe profesionistë në administrimin financiar të shoqërisë dhe njësia e auditit të brendshëm në funksion të plotë në përputhje me ligjin, zvogëlojnë ndjeshëm nivelin e riskut të abuzimeve. Shtrirja e gjerë e funksioneve/operacioneve që mbulon auditimi i brendshëm, duhet që ai te ndihmojë shoqëritë publike në përmbushjen e vizionit të tyre, misionit, objektivave korente, strategjike etj., duke kontribuar kështu sistematikisht në vlerësimin, disiplinimin dhe përmirësimin e efektivitetit të menaxhimit të risqeve, të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe proceseve të menaxhimit dhe administrimit.

Mbajtja e evidencës kontabël, respektimi i afateve për nxjerrjen, shqyrtimin dhe miratimin e bilanceve, saktësia e dokumentacionit bazë financiar, ndonëse ka përmirësime si rezultat i informatizimit të këtij procesi, përsëri konstatohen probleme. Në fushën e menaxhimit financiar janë vërejtur abuzime në shpenzimet për personelin, mungesë të dokumentacionit justifikues në kryerjen e pagesave, abuzime në përdorimin e kursit të këmbimit të valutës, mos shlyerje në afat të detyrimeve të ndryshme kontraktore, mungesën e manualeve për procedurat e vendosjes së likuiditeteve në depozita etj.

Për të gjitha këto mangësi, KLSH në çdo rast ka evidentuar shkallën e përfshirjes së personave përgjegjës dhe ka rekomanduar masa për ndëshkimin e tyre. Në këtë çështje KLSH konstaton se edhe ekspertët kontabël të miratuar të cilët bëjnë certifikimin e bilanceve vjetore, nuk tregohen të vëmendshëm në dhënien e opinionit të tyre, pasi ka raste kur mungon inventarizimi vjetor i aseteve apo mangësi që evidentohen nga auditimet e tjera dhe që nuk gjejnë pasqyrim ose nuk ndikojnë në dhënien e opinionit për to.

Administrimi i marrëdhënieve të punës përbën aktualisht një nga drejtimet e rëndësishme të auditimit të shoqërive publike nga ana e KLSH. Në këtë drejtim edhe pse ka raste të rralla që nuk tejkalohet numri gjithsej i punonjësve i përcaktuar në programin ekonomik, nuk respektohet si duhet struktura organike e shoqërisë, duke tejkaluar numrin në një sektor a degë të veçantë dhe duke lënë pa plotësuar një tjetër. Ndonëse nga ana e subjekteve konsiderohet si “devijim” i vogël, audituesit tanë kanë argumentuar ndikimin që jep një veprim i tillë në performancën jo të plotë menaxhuese të stafit në tërësi. Veç kësaj, kompanitë publike nuk i kanë shpëtuar dhe shtesave të punonjësve sezonalë në mënyrë të pajustifikuar, duke rënduar shpenzimet dhe ulur eficiencën e tyre.

Në vitet e fundit ka marrë përmasa më të gjera fenomeni i ndëshkimit nga gjykata të shoqërive publike me gjoba, si rezultat i largimit të punonjësve pa shkaqe të përligjura, në kundërshtim me kodin e punës, duke sjellë rritje të panevojshme të shpenzimeve dhe ulje të derdhjes së detyrimeve tatimore. Veprime të tilla nga ana e drejtuesve të shoqërive publike, kanë bërë që të shtohen elementët ndëshkues ndaj tyre në raportet finale të auditimit të KLSH.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, KLSH, gjatë viteve 2012-2016, gjatë auditimeve të tij ka kërkuar marrjen e masave disiplinore për nivelin e lartë drejtues, përfshirë dhe këshillat mbikëqyrëse dhe drejtuese të shoqërive publike, për performancë të dobët në menaxhimin e aseteve publike.

Është kërkesë e kohës që shoqëritë publike të ndjekin parimet për një qeverisje të mirë, që do të thotë njohje, respektim dhe zbatim i ligjeve, si dhe një kulturë të lartë menaxhimi, me elementë kryesorë të saj: përgjegjësinë, ndershmërinë, konfidencialitetin dhe transparencën, për të rritur sigurinë, integritetin dhe eficiencën e tregut, duke ndihmuar kështu në rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit.

*Audituese, KLSH

SHKARKO APP