Shqipëria, Kosova dhe Serbia, sot dhe dje

Nga Nuri Dragoj/Ditët e fundit ka patur shumë debate lidhur me vizitën e kryeministrirt Edi Rama në Serbi, debate të cilat shpesh herë i kanë kaluar kufijtë e logjikës së ftohtë. A duhet të fliste dhe të flasë kryeministri shqiptar për çështjen e Kosovës? Patjetër që duhet të flasë. Madje e ka për detyrë kushtetuese të mbrojë interest e shqiptarëve kudo që ndodhen. Kjo bazohet në dokumentin bazë që inspiron bashkimin kombëtar, në Kushtetutën e Shqipërisë, miratuar me Referendum Popullor në vitin 1998. Aty aspirata e gjithë shqiptarëve formulohet në këtë mënyrë: “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit…”.

Javën që lamë pas, por edhe në vijim, politikanë dhe analistë kosovarë janë hedhur në sulm kundër kryeministrit shqiptar, pasi sipas tyre, çështjet që ka Kosova me Serbinë mund t’i zgjidhë vetëm ajo. Madje ndonjë shkon edhe më tej, duke aluduar se Sërbia dhe Shqipëria, ndonëse e kanë patur Kosvën fqinjë, kanë luajtur me gjakun e saj. Ky paralelizëm është mjaft i rrezikshëm. Mendoj se këto janë gjykime foshnjarake, pasi ishte tjetër regjimi komunist dhe tjetër Shqipëria e sotme demokratike, anëtare e NATO-s dhe që prêt nga çasti në çast të marrë statusin e kandidatit për në BE.

Rama duhet t’i kërkojë dhe t’i mbrojë të drejtat e Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë, madje me forcë. Ai nuk i tha kryeministrit serb ndonjë gjë të paqenë, por i kërkoi që shteti i tij ta njohë pavarësinë e Kosovës, madje sa më parë që të bëhet kjo, aq më mirë është për të dy palët. I kujtoi kreut të ekzekutivit të Beogradit Aleksandër Vuçiç, që pranimi i këtij fakti, pra i njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga Serbia, kërkon guxim, kurajo, emancipim politik e shoqëror, të cilat lideri serb nëse dëshiron mund t’i kapërcejë.

Të tjerë analistë e quajnë gjunjëzim kërkesën për intensifikim të marrëdhënieve midis palëve. Në fakt nuk është gabim të kërkosh fqinjësi të mirë dhe shkëmbime tregtare me interes reciprok. Pavarësisht nga problematika që mbart historia midis dy vendeve, e cila ka qenë e hidhur dhe armiqësore, sa më shumë të zbuten ato, aq më me qetësi do ta bëjë gjumin secili prej tyre. Historia botërore ka provuar se shkëmbimet e mendimeve midis qeverive përkatëse dhe rritja e nivelit në marrëdhëniet ekonomike midis tyre, ndikojnë në zbutjen e tensioneve politike. Vetëm dialogu mund të çojë përpara zhvillimin, por duke ruajtur respektin e ndërsjelltë, parimin e reciprocitetit. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në interes të Shqipërisë dhe të Kosovës. Rama kërkoi administrimin e Trepçes nga Kosova pasi i përket asaj. Dhe kjo është normale, madje një gjë të tillë, po me këtë forcë, nuk është kërkuar nga vetë kosovarët. Rama nuk pranon asnjë kontestim për njohjen e Kosovës. Ky është hap i guximshëm. Për kryeministrin shqiptar serbët duhet të sillen me shqiptarët ashtu siç vepruan gjermanët me francezët. Natyrisht kjo nuk është e lehtë, pasi duhet përparim më i madh i proceseve demokratike, në radhë të parë në Serbi, për t’u ndërgjegjësuar lidhur me këtë proces, të cilin Rama e konsideron të pakthyeshëm. Nëse Rama nuk do ta kërkonte një gjë të tillë, atëherë vërejtet tona do të ishin edhe më të mëdha.

Dikush shkruante në një gazetë ditore se kombi shqiptar nuk ka një qendër, por është komb policentrik. Kjo për shkak se nuk ekziston një autoritet i vetëm shqiptar dhe se pjesë të këtij kombi janë administruar nga pesë qeveri të ndryshme. por meqë Shqipëria mbeti shteti i vetëm i pavaruar, kur për mbi një shekull shqiptarët e Kosovës u qeverisën nga Federata Jugosllave, besojmë se Shqipërisë i lind e drejta të marrë në dorë rolin e përkujdesjes edhe për  bashkëkombasit e vet që banojnë në  Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.

Nuk besoj se është me vend as pohimi i presidentit, sipas të cilit gjithçka duhet të udhëhiqet nga Kosova, por kjo nuk do të thotë që Rama para se të ndërmarrë vizita të tilla të mos konsultohet me liderët e politikës kosovare.

Ngritja e tonit të politikës së Prishtinës përballë Tiranës, shton gëzimin në Beograd e Athinë. Lufta brenda llojit është e më e rrezikshme se përplasjet në mendime të përfaqësuesve të kombeve të ndryshme. Është koha kur pozitë dhe opozitë duhet të gjejnë gjuhën, të paktën për çështjet më madhore të kombit. Aktualisht mungon racionalizimi i politikave të ndërveprimit, të paktën në ata sektorë që bëjnë fjalë për zhvillimin e indetitetit kombëtar. Por mosmarrëveshjet midis disa politikanëve të Kosovës me kryeministrin shqiptar, nuk mund të zgjidhen duke bërë debate televizive, por duke u ulur në tryezë, ku të rrihen rrugët më të dobishme, alternativat më të pranueshme.

Shtimi i oreksit për interesat personale te disa politikanë të sotëm, ka bërë që të vlerësojnë më shumë disa metra katrorë truall ku do të ndërtojnë pallatin e familjes së tyre, se sa atdheun. Ata çirren e bërtasin kur dikush u prek ndonjë pëllëmbë tokë nga prona personale, shpesh e pamerituar, por ndërkaq heshtin para gjëmës së madhe që i kanoset kombit. Këta mjeranë të politikës disponojnë miliona euro nëpër llogari bankare dhe shpesh gratë e tyre shërbejnë si llogaritare të bizneseve të pista. Politikanët e sotëm ndryshojnë shumë nga ata të një shekulli më parë. Abdyl Frashëri deklaronte “s’kam ç’e dua pasurinë, kur s’ndihmojë Shqipërinë”. Ai dhe shokë të tij e shitën pasurinë për të bërë Shqipërinë, ndërsa sot, një grup i caktuar njerëzish po shesin Shqipërinë për të bërë pasurinë, pasi bien viktimë e politikës së fqinjëve.

Nxitimet e kryeministrit Rama

Po ku gabon Rama në politikën e jashtme? Besoj se duhet të jetë më i kujdesshëm në katër drejtime. Së pari, kur shkohet vizitë zyrtare në një tjetër shtet, aq më shumë në vende që ka problematika të mbartura, të cilat ende nuk janë zgjidhur, kryeministri duhet të jetë i përgatitur mirë, ta njohë me hollësi historinë e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, të tregohet i matur në çdo fjalë që thotë. Natyrisht, një njeri nuk mund të dijë gjithçka, por para se të marrë rrugën, ai nevojitet të ulet me orë të tëra në tavolinë dhe të thërrasë ministrin e Punëve të Jashtme bashkë me ekipin që mbulon rajonin apo që kanë njohuritë e nevojshme për shtetin në fjalë, të thërrasë historianë, akademikë, këshilltarët e vetë, të cilët duhet të jenë me thinja në kokë dhe jo me minifunde apo flokë të lyer me llakë. Vetëm në këtë mënyrë kryeministri nuk do të gabojë.

Së dyti, fjalimi diplomatik kërkon më shumë kontroll. Rama është mjeshtër në të folur, ka nivel të mirë intelektual dhe tregon guxim, por ka maninë e përdorimit të fjalive letrare, të batutave, ironisë e të tjera, të cilat ndonëse e bëjnë ligjërimin të këndshëm për mjedise të ndryshme, nuk janë aq të përshtatshme në fjalimet diplomatike. Aty duhet të flitet shkurt, me fjali të qarta dhe të kuptueshme, me qëllim që mesazhi të përcillet direkt dhe të godasë menjëherë.

Së treti, edhe sikur ta njohë në mënyrë të shkëlqyer situatën, të dijë shkaqet që e kanë prurë në atë shkallë dhe rrugët e shërimit të saj, është nevoja të bëjë konsultime. Kur shkon në Serbi për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë, nuk do të ishte keq të diskutonte dhe me përfaqësues të politikës së Kosovës, të merrte mendimin e tyre për çështje të caktuara, sepse vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të ndikojë në shpejtimin e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe njohjes së shpejtë të shtetit të pavarur për shqiptarët e kosovar. Nëse do të vepronte në këtë mënyrë nuk do të qenë krijuar incidentet e tipit të Andriçit.

Së katërti, Shqipëria është një vend i vogël dhe kryeministri, si përfaqësues i saj, mbetet po kaq i vogël për të bërë politikë të madhe. Shqipëria nuk nuk mund të jetë faktorë në politikën e jashtë të Europës, aq më tepër të luajë rol në Botë. Madje edhe në rajon duhet të tregohemi më të kujdsshëm. Më tepër të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interest tona kombëtare, se sa t’u japim leksion të tjerëve. Bie fjala, nuk na takon ne t’i japim mend Anglisë, nëse duhet të dalë apo të hyjë në Bashkimin Europian. Nuk mund të deklarojë kryeministri i Shqipërisë që, në rast se fiton Donald Trump, marrëdhëniet e shqiptarëve me amerikanët do të ftohen. Ky është gjykim foshnjarak, sepse nuk jemi ne që imponojmë popullin amerikan, cilin personalitet do të zgjedhi për president. Rama si kryeministër i një vendi të vogël duhej të shprehej se populli shqiptar kërkon marrëdhënie të mira me SHBA, kushdo që të vijë në Shtëpinë e Bardhë. Natyrisht nuk e ndalonte askush që në rrugë diplomatike të shprehte papajtueshmëri me deklaratën e Trump, për t’i kërkuar ndjesë Serbisë lidhur me ngjarjet e vitit 1999, kur dihen masakrat e frikshme që serbët kryen ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sepse pas këtyre qëndrimeve e deklaratave,j na duhet të dëgjojmë Vuçiç të thotë se “Rama është politikan botëror dhe unë vetëm për Beogradin”, se Rama është politikanë më i zoti se unë etj.

Politika e rindarjes së Kosovës

Në thelb, qëndrimi i kryeministrit Rama për çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e Kosovës dhe shtetit të saj të pavarur, kanë qenë të drejta. Ai e ka kuptuar që deklaratat e kryeministrit Serb, Aleksandër Vuçiç, për Trepçen, Mitrovicën, Luginën e Preshevës etj., janë pjesë e përpjekjeve të tyre për të përfituar sa më shumë nga trungu i Kosovës. Është vijim i politikës së Ilia Garashaninit, i cili në gjysmën e dytë të shekullit të XIX shpalli projektin serb me emrin “Naçertania”*, objektiv i të cilit ishte kthimi i principatës së vogël serbe në shtet të madh, duke i konsideruar serbe të gjitha tokat mbi lumin Shkumbin. Ajo u mbajt e fshehtë për një kohë të gjatë dhe u bë publike në vitin 1906. Naçertania ishte krijim i qarqeve borgjeze dhe nacionaliste, kërkesë e faktorit të brendshëm ekonomik e social, me qëllim zgjerimin e trojeve serbe në dëm të kombësive të tjera. Përzënia e shqiptarëve nga trojet e veta, në bazë të Naçertanias, ishte caktimi i tatimeve të mëdha, mos hapja e shkollave shqipe, rrahjet e shumta nga xhandarmëria serbe, arrestimet, burgimet dhe vrasjet pa kriter. Mbi bazën e saj, disa dekada më pas, Çubrilloviçi e avancoi programin. Ai shtoi kritere të reja për shkombëtarizimin, duke forcuar masat represive të shtetit, me mos njohjen e tapive të vjetra, shqiptarët të përjashtohen nga shërbimet shtetërore, vetqeverisëse, fetare e tj. Por edhe sot, politika serbe nuk ka hequr dorë nga një praktikë e tillë.

 E njëjta politikë ka vijuar edhe në ditët tona. Më 2 qershor 2011, Tadiç në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfuter Algemajne Cajtung”, theksoi se “Shqipëria e madhe” mund të jetë pjesë e një zgjidhje praktike më të gjerë, dhe serbët mund ta pranojnë atë”. Pra i frynte erës për rindarje të Kosovës, një ricopëtim të dytë të trojeve tona, midis Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo ishte dhe vazhdon të jetë kërkesë utopike dhe nuk mund të zbatohet kurrë në praktikë. Asnjë politikanë shqiptar nuk ka mandat që të ulet në bisedime me serbët për këtë problem. Kushdo që do ta bëjë një hap të tillë do të quhet tradhëtar i kombit të vet. Nga ana tjetër, por atë ditë, Ivica Daçiç deklaroi në revistën e përjavshme “Nin” se “ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, është i vetmi opsion realist”. Pra siç shihet, në tramvajet e Beogradit rishfaqën herë pas herë pasagjerët e Kongresit të Londrës, duke folur përsëri për rindarje të reja të trojeve shqiptare. Konkretisht, të dy zyrtarët e lartë serbë, hodhën shashkën e radhës, duke propozuar bisedime me palën shqiptare për ndarjen e Kosovës. Ashtu siç pritej, kjo shashkë shpërndau përreth një provokim tymi dhe mjegulle, duke frymëzuar ujqërit e rinjë të kërcisnin dhëmbët, ngaqë parandjenin erën e gjakut. Të njëjtin propozim Milosheviçi e kishte bërë disa vite më parë për ndarjen e Bosnjes. Pra, ishte një skemë e njohur barbarie, me formula të reja, të ashtuquajtura bashkëkohore.

A e njeh realitetin Vuçiç?

Patjetër që po. Çështja e Kosovës është njohur hap pas hapi nga liderët e djeshëm të Federatës Jugosllave dhe ata të sotëm, por e kanë të vështirë të shkëputen njëherësh për shkak të presionit që ushtrohet nga nacionalistët serbomëdhenjë dhe nga kushtetuta serbe ende e pandryshuar, e cila Kosovën vazhdon ta quajë pjesë të Serbisë. Kjo është arsyeja që Vuçiç këmbëngul në mos njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por e di që nuk është më e tija. Pa u zgjatur me raste të tjera, duke katapultuar në histori, mund të përmendim deklaratën e ish-kryeministrit serb Daçiç, i cili u detyrua të thoshte në një takim në Beograd: “Harrojeni Kosovën multietnike, sepse nuk ka asnjë dyshim, që ajo do t’i bashkohet Shqipërisë së madhe”. Megjithëse ai përmendete në çdo rast termin “Shqipëri e madhe”, kur nuk ka të tillë, pati reagimeve të ashpra kundër tij. Me këtë rast ai rikërkoi ndarjen e Kosovës, sepse dihet që akrepi edhe pasi e ke mbajtur mbi shpinë për shumë kohë, e ka zakon që të ngul një thumb helmues në kohën kur e lëshon.

Pamundësinë e mbajtjes së Kosovës e ndjeu Tito që në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe pak pas saj. Biseda midis Titos dhe Enver Hoxhës për Kosovën, ka ndjekur disa shkallë. Tito ishte i ndërgjegjshëm se Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët i përkisnin Shqipërisë, dhe se ato duhej t’i ktheheshin asaj, por siç shprehej ai “jo tash, se aktualisht reaksioni serbomadh nuk do ta pranonte një gjë të tillë”. Kreu i Federatës Jugosllave i pranoi Enverit çështjen “Kosova”, por njëkohësisht shprehu mendimin mbi nevojën e krijimit të një “federate ballkanike”, pasi sipas tij, “brenda Federatës Ballkanike, çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është më e lehtë”.

Jugosllavët kërkonin që të kthenin Shqipërinë në Republikë të shtatë të Jugosllavisë. Madje në shumë pika kishin rënë dakord midis palëve. Sipas kujtimeve të M. Gjilasit, “të dy qeveritë kishin rënë dakord në parim, që Shqipëria t’i bashkohej Jugosllavisë, gjë që do të zgjidhte dhe problemin e pakicës shqiptare në Jugosllavi, domethënë të Kosovës”.

Në prill të vitit 1947, Eduard Kardeli, ishte për vizitë në Moskë, në krye të delegacionit jugosllav dhe sipas kujtimeve të ambasadorit jugosllav në Moskë, V. Popoviç, ai i ka pohuar Stalinit se, “në një të ardhme jo të largët, këto territore, Kosovë dhe Metohi, do t’ia kthejmë Shqipërisë”. Në të njëjtin takim, kur Stalini ka pyetur për origjinën e shqiptarëve, Kardeli i është përgjigjur, se “ata janë pasardhës të ilirëve”. Ndërsa S. Simiç, pjestar i delegacionit jugosllav shtoi se “ka të dhëna, që shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë të tyre vërtetojnë, se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala “Afrodita” është huazuar nga gjuha shqipe, pasi në gjuhën greke ajo nuk ka asnjë kuptim”.

Madje vetë kreu i ish Republikës Federative të Jugosllavisë, në një takim me Hrushovin, pohoi që në Jugosllavi “jetojnë më shumë shqiptarë se në Shqipëri”. Sipas tij edhe Tito deklaroi në takimin me E. Hoxhën, se “kjo krahinë e banuar në shumicën e saj nga shqiptarë, pa diskutim, në kohën e vet, do të bashkohet me Shqipërinë…”.  Siç shihet, pavarësisht planeve për të përfshirë edhe Shqipërinë brenfa federatës jugosllave, ata i nihnin mirë përmasat e krimit, jo vetëm mbi përdhunimet, shpronësimet, burgosjet dhe vrasjet, por edhe përpjekjet për shuar çdo gjurmë shqiptare, deri te emrat e vendeve, kodrave dhe fushave. Shkrimtari, etnografi dhe diplomati serb me prejardhje nga gjaku shqiptar, Branisllav Nushiq, më 1902, shkruante: Sllavët, vendeve të kolonizuara ua ndërruan fizionominë, “duke përmbysë ose zëvendësuar me emra të rinj të vendeve, lumenjve dhe kodrave”. Ndërsa historiani serb, Konstantin Jireçek, më 1952, ka shkruar: “modifikimi (ndërrimi) i emrave antikë është kryer ose sipas rregullave të njohura gjuhësore, ose ashtu që emrit të vjetër i është vu kuptimi sipas tingëllimit të ngjashëm të fjalës sllave”. Në këtë rast shkon bukur shprehja e Robert Orben-it: “Të huajtë gjithmonë kanë sjellë probleme në Ballkan. Nëse nuk besoni, pyetni shqiptarët!”

 E drejta për bashkim

Turistët e huaj, kur hapin katalogët e guidave turistike, shohin gjithmonë, në mes të Europës, një pikë të vogël që mezi i ka rezistuar shkallës së zvogëlimit, në topografinë tradicionale. Shumë prej atyre që shprehin dëshirën për ta vizituar Shqipërinë, në fillim tërhiqen prej bukurive natyrore, të cilat nuk i kanë munguar kurrë hartës sonë gjeografike, ndërsa më vonë ata zbulojnë se pamja e banorëve të këtij rajoni transmeton mesazhin e një race të bukur dhe dashamirëse.

Ndërsa gërmojnë në arkeologjinë e mbijetesës së tij, ata përballen me amfiteatrin e luftës, ku monumentet e gurta nuk e transmetojnë plotësisht tragjedinë. Thellësia e puseve në kështjellat tona, nuk e pasqyron dot saktësisht thellësinë e gjëmës, kur gjaku e mbushi vendin “deri në gju”. Ky togfjalësh popullor, përbën ndofta njësinë matëse më të përshtatshme për të paraqitur përmasat e kasaphanës që përballoi kombi shqiptar. Pushtuesit e ndryshëm shkelnin mbi gjakun e vocërrakëve të pafajshëm dhe thernin me bajonetë foshnjat e porsalindura, në mënyrë që Shqipëria të mos njihte të ardhme. Po sikur të mos mjaftonte kjo histeri, barbarët e çanë në mes trupin e kombit tonë, duke u kujdesur që lëngata e tij të mos kishte mbarim.

Prerja e kokave në “Ibret-Tashenë” e turqve të vjetër dhe gijotina e francezëve, konsiderohen si lodra fëmijësh përpara kasaphanës së përgjakshme ku e çuan kombin shqiptar, për ta ndarë pjesë-pjesë, në mënyrë që t’ua dhuronin, “fitimtarëve”. Burrat ekzekutoheshin në sy të fëmijëve të tyre, nënat vajtonin e visheshin me të zeza, ndërsa gratë hidheshin në greminë, të pafuqishme për ta përjetuar deri në fund tragjedinë e inskenuar në kancelaritë e burracakëve të Europës së vjetër. Atëherë bota ndahej në mes prej oqeaneve dhe lumenjve ujorë, ndërsa Shqipëria ndahej prej lumenjve të gjakut.

Për të kuptuar më mirë nevojën e këtij bashkimi, duhet njohur genocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe ai serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Shtetet e mëdha të Europës, nuk e kanë njohur dhe nuk e njohin si duhet këtë tragjedi, jo vetëm sepse është bërë pak për prezantimin e saj, por sidomos sepse ato kanë qënë pjesëmarrëse në një krim të tillë, duke mbështetur kërkesat serbe dhe greke për zgjerimin e territoreve të tyre, në dëm të interesave shqipatare. Si serbët, ashtu edhe grekët, kishin në platformën e vet largimin e vendasve, duke detyruar me anë të dhunës familjet e mëdha shqëiptare me ndikim, në mënyrë që familjet e tjera, nga frika, të ndjekin të njëjtën rrugë, atë të largimit. Ismail Kadare, duke kryer me dinjitet rolin e shkrimtarit, vazhdimisht i ka shërbyer anijes sonë kombëtare, si një periskop që mat njelmëinë e valëve dhe paralajmëron rreziqet e ajzbergëve të nënujshëm, në oqeanin e madh të universit. Dhe për këtë do të ketë mirënjohjen e brezave. Midis të tjerave ai thotë se kombi shqiptar jeton në një kohë kthese historike dhe kthesat sjellin ndryshime të mëdha, për mirë ose për keq. Duket se ka trokitur një orë e mirë për shqiptarët, pasi me ndihmën e SHBA-ve, Kosova u shkëput nga kthetrat e Serbisë dhe bëhen përpjekje për integrimin e saj dhe të Shqipërisë në Bashkimin Europian.. Siç thotë Kadare, asnjëherë shqiptarët nuk kanë qënë më të lirë. Por, nuk duhet harruar se kombet kanë orë të këqija dhe orë të mira. Jo gjithmonë orët e këqija lidhen me luftra, madje më shpesh ato trokasin në orët e paqes.

Megjithatë, gjatë këtij shekulli, çdo studiues, politikan, filozof, apo njeri i thjeshtë, e ka patur të qartë se do të vinte një ditë kur shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, do të kërkonin bashkim me tokën amë. Dhe rasti ka ardhur. Brezit tonë i takon detyra dhe fati i madh, që të çojë në vend amanetet e përgjakura të të parëve tanë. Dhe ai amanet realizohet duke u bashkuar mer njeri tjetrit, duke shmangur grindjet dhe shtrënguar radhët, pasi atëherë edhe të mëdhenjtë na vlerësojnë më shumë.

* Platformë e politikës së jashtme serbe, që u përpunua, pas konsolidimit të pozitave të saj politike në shtetin serb, nga I. Garashanini, në fillim ministër i Punëve të Brendshme, më pas ministër i Punëve të Jashtme dhe Kryeministër i Serbisë. Në të propagandohej ideja e shtetit të madh serb, sipas së cilës, shteti i ri serb, duhej të ishte trashëgimtar i drejtpërdrtejt i Perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit. Në të parashikohej aneksimi i trojeve shqiptare të Vilajetit të Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë së Veriut dhe Shqipërisë së Mesme.

SHKARKO APP