‘Shtrenjtimi i fshehur’ i energjisë; Jaka: Nëse s’fiksohet çmimi, biznesi ikën

Rreth 6300 biznese të konsumit 35 dhe 20 kilovolt të energjisë, duke filluar që nga muaji tjetër, mund ta blejnë energjinë elektrike 16-35% më shtrenjtë nga OSHEE si pasojë e hyrjes në fuqi të liberalizimit të tregut, nëse nuk do të arrijnë ta sigurojnë në treg të lirë. Bizneset janë të alarmuara nga mungesa e tregut, çmimet e larta dhe mungesa e rregullave. Çmimet në të gjitha produktet e pakicës rrezikojnë rritjen, për shkak të kostove të larta të energjisë. Nikolin Jaka i Dhomës së Tregtisë kërcënon: Nëse nuk zgjidhet kjo çështje ndërpresim aktivitetin dhe zhvendosemi në rajon

Bizneset do të përballen edhe këtë vit me rritje të kostove të aktivitetit që po vijnë nga vlera më e lartë e furnizimit me lëndë të parë. Pas rritjes me rreth 20% të çmimit të gazit në ditët e para të janarit, bizneset e mëdha muajin tjetër mund të paguajnë fatura më të larta të energjisë me të paktën 16%. Të përfshira në procesin e liberalizimit të tregut, 80 konsumatorët nga rrjeti 35 kilovolt, do të duhet të gjejnë energji në treg të lirë me tarifa tregu (minimumi 7.3 lekë/kvh) dhe krahas tyre do të faturohen që nga shkurti me 1.5 lekë më shumë për kilovatorë, si tarifë aksesi. Ndërsa 6200 bizneset e tjera që furnizohen nga rrjeti 20 kilovolt do të paguajnë nga mesi i vitit 3.9 lekë më shumë për kilovatorë, po i tarifë aksesi. Këto tarifa do t’i paguhen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë për përdorimin e rrjetit si një shtesë mbi çmimin aktual të energjisë.

Këto biznese do të faturohen në këtë mënyrë pasi janë përfshirë në grupin e bizneseve që do të furnizohen në tregun e lirë të energjisë dhe duhet të nxitojnë për të gjetur tarifa më të lira, në mënyrë që të amortizojnë koston e përdorimit të rrjetit. Nëse nuk arrijnë ta gjejnë në treg të lirë, bizneset do i drejtohen OSHEE-së dhe do i paguajnë asaj tarifat shtesë përkatëse (krahas çmimit aktual 9.5 lekë për bizneset e linjës 35 kv dhe 11.5 për ata të linjës 20 kv).

Tashmë infrastruktura teknike për të nxjerrë në tregun e lirë fashën e parë të 40 konsumatorëve e mëdhenj është gati dhe ata do të duhet të paguajnë më shumë që nga muaji shkurt, ndërsa të tjerët në muajt në vijim.

Teksa entet publike kanë bërë gati të gjithë infrastrukturën e sistemit matës dhe bazën rregullatore për t’iu përgjigjur liberalizimit, bizneset që e pësojnë nga ky proces nuk janë gati.  Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, po e sheh me shqetësim këtë situatë.

Dhoma e Tregtisë dhe Shoqata e Prodhuesve ka organizuar tryezën e pare lidhur me liberalizimin e energjisë dhe rrezikun që i paraqitet industrisë përpunuese, por edhe konsumatorëve nga shtrenjtimi i çmimeve.

“Shumë shpejt do dalim me propozim për të mundësuar që tarifat të mos ndryshojnë”, thotë Jaka. Sipas tij, do të kryhet një analizë e detajuar e kostove të prodhimit dhe do të bëhet krahasimi me çmimet e energjisë në rajon, që ai thotë janë sa gjysma e atyre në Shqipëri. “Nëse nga analiza na rezulton që kostot e produktit janë të papërballueshme, alternativa do të jetë diversifikimi në rajon”, thotë ai. Jaka shton se nëse çmimi i energjisë do të shkojë deri në 18 lekë/kvh, industria përpunuese, që përdor energjinë si lëndë të parë, do të shkonte drejt një falimenti të pashmangshëm.

/Monitor.al

SHKARKO APP