Sot u “çlirua” Alep…..po nesër kush e ka radhën?

Ajo që paraqitet e “zbukuruar“ në kohën e sotme është fakti se, prioritet dhe tendencë e botës së sotme janë mobilizimi, veprimet dhe propaganda për eliminimin e pasojave të luftës, pra kur lufta ka mbaruar. Tmerret e luftës, bilanci tragjik me vrasjet, me mijëra të plagosur si dhe largimet massive, nuk mund të riparohen më nga solidariteti i botës duke dërguar forca dhe mjete apo ndihmë logjistike, ata nuk kthehen më, është tepër vonë…

Nga Zaim Kuçi*

E tmerrshmja e një tmerri të pa fund « lufta » fantazma që ndjek përherë njerëzimin. Në restrospektivën e kohërave thuhet se e vërteta tragjike e historisë ka të bëjë me faktin se njerëzimi është skllav i luftës dhe nuk mund të shkëputet prej saj.  U “çlirua” Aleppo….nga kush? Po, nga politika e “suksesshme”e tokës së djegur te veprimeve ushtarake të aktorëve makabër të ketij teatri politik vrasës.

Të moderuarit e kësaj bote edhe pse të përcarë, kuptuan se lufta në Siri mori përmasa përtej kufijve të saj pasi u shkaktua jo vetëm nga politikat konfliktuale të presidentit diktator, mbrapa të cilit janë dhe interesat globale të një Rusie me oreks global në këtë vend dhe në rajon, por edhe nga mungesa e diplomacisë vepruese të saj, më tepër, nga indiferentizmi për humanizëm botëror.

Alep u“çlirua”, po kush do të përshendes fitoren dhe a do të ngrihet  monumenti «Arc de Triomphe» nga i fuqishmi Putin dhe Bashar Al-Asad? A do të kemi nga shtetet elitare mesazhe urimi per fitoren e arritur kaq  “paqësisht”?

Në këtë luftë të pafundme të tragjedisë së shekullit (rreth 5 vite lufte), bota demokratike, Organizmat Ndërkombëtare të Sigurisë zhvillonin konferenca e brifingje në sallonet lluksoze te Europes dhe SHBA-se për të ndaluar luften, kjo ishte sipas tyre mbrojtja e të pafajshmeve.

Përtej retorikave të shumta  për këtë situatë, do të sjellë a do të përsëris se, cdo krizë e zhvilluar apo jo, ka si bazë pamjaftueshmërinë e zhvillimit të demokracisë dhe të rolit të diplomacisë. Në fjalorin ushtarak, fjala “krizë“ është në format dykuptimësh, që paraqet dy mënyra sjelljesh. Krizë që do të thotë rrezik dhe kuptimi i dytë, mundësi për dalje nga kriza. Për t’i dhënë një kuptim të përgjithshëm të dy rasteve, vlerësuar që nga historia e lindjes dhe zhvillimit të krizave, konfliktit dhe luftës; do të arsyetoja se, sjellja e parë është vepër e personaliteteve me kostum politik të udhëhequr nga diktatorë dhe mundësinë për dalje nga kriza them se e kanë “eskluzivitetin“, ndoshta më bindës, vetëm ushtarakët.

Ata dinë mirë të llogarisin se çfarë katastrofe njerëzore do të ndodh dhe çfarë humbje ekonomike sjell kjo apo ajo krizë. Por ajo që mungon tek ushtarakët është: aftësia për të mësuar dhe bindur klasën politike që udhëheq; lobingu i kërkuar në mjedisin politik për të vërtetuar se, çfarë interesa politike fitojmë dhe nga ana tjetër çfarë pasojash vijnë nga ky interes politik i dëshiruar dhe së fundi, sa diplomatë janë ushtarakët përballë një vendimi politik të gabuar. Pra, në një krizë, konflikt dhe luftë, janë ushtarakët ata profesionalisht që bëjnë raportin e forcave, parashikojnë suksesin dhe dështimin e betejës. Dhe, së fundi, janë po ata që mund të parandalojnë katastrofën e shkaktuar nga ambiciet politike ku fshihen interesat e individit.

Ndaj, as gjenerali im i preferuar James Mattis i cili mori nofkën “Qen i tërbuar”, (epitet reputacioni dhe respekti) në betejat e vështira në Irak dhe Afganistan, që nuk mposhtej kollaj, që dëgjohej nga të gjithë, nuk gjeti të duhurën gjuhë për këtë situatë. Më plotëson mendimin tim për rolin dominues të strategëve ushtarakë në një krizë edhe analisti O’Hanlon, i cili mendon se Presidenti i sapo zgjedhur do jetë më i prirur të bindet nga një ARGUMENT për të mos përdorur FORCEN, nëse ja sugjeron dikush si Gjeneral Mattis”. Po përse mungoi ky format i kërkuar gjeneralizmi, nga një gjeneral sirian, rus apo diku në një force tjeter të armatosur të botës që të sillte argumentin për politikat e mbrapshta, për të mos përdorur forcën?

Organizmat e sigurisë të botës- nuk e mbarojnë detyrën me konstatime, me dënime formale por ato veprojnë. Kjo luftë na dha një pamje të  qartë se, aktualisht e drejta ndërkombëtare është në diskordancë me dëshirën mbarë botërore të popujve për të përdorur forcën kundër regjimeve të shteteve diktatoriale dhe paaftësisë apo pamundësisë ligjore të Këshillit të Sigurimit për të autorizuar përdorimin e forcës luftarake kundër regjimeve diktatoriale. Ky pasivitet për veprim në kohë ka krijuar dhe imazhin se këto organizma (OKB) nuk garantojnë paqen globale. Premtuese ishte heqja nga shërbimi i kallashnikovit për « vjaskat e tytës së tij » të vlerësuara vrasëse, të kësaj arme të lehte kombësorie nga « Armë Kontrolli » dhe po kaq trishtuese është heshtja për përdorimin pa kriter të armatimit të rëndë të avionëve gjuajtës bombardues.

Të gjithë pamë bombat ruse qe binin mbi Alep duke krijuar skena barbare të cilat  nuk ishin larg nga stuhia nukleare e Hiroshima e vitit -45 së. Bota heshti edhe kur pa korbët e qiellit që derdhnin re të zeza, me arsenal armatimi modern, mbi fëmijë, mbi nëna që presin të lindnin ne maternitetet e vdekjes. Ato re të zeza armatimi nuk tundën diktatorët nga tabloja e re e klithmave e te pafajshmeve të pafund të jetës ne kete vend. Ndoshta dikush në një cep të botës  i këndoi duke u thurur vargje ketyre bombave : “bie shi ne Alep…”

Po përse  historitë e mbrapshme përsëriten kaq mirë? Bomba atomike e datës 06 gushtit 1945, ora 08.15 min. zhduku përnjëherësh 210.000 jete njerezisht nga  avioni ”Nënë –Enola Gay & Bir”. Isha  femije kur kam lexuar kete sulm berthmor dhe, aq se më lejonte njohja, thurja lloj lloj versione dhe me ka mbetur enigme kjo bombe e hedhur kur lufta kishte mbaruar. Ajo bombe nuk kishte “veti” që të perzgjidhte viktimat, pra ushtaraket vrasës japonezë. Aty kishte fëmijë, gra dhe të moshuar, aty kishte dhe të pafajshëm… Piloti i fatkeq u perzgjodh dhe u pergatit në perfeksion për të zbatuar urdherin e presidentit. Ai nuk dinte se çfarë mbarte në këtë avion me emrin e nënës së vet, ndaj ai i shpetoi goditjeve nervore siç ndodhi me pilotet e tjere dhe u bë simbol i luftës kundër luftës…..ishte ajo kohë!

Po përse pilotët rusë bekoheshin nga priftërinjtë për misionin e kobshëm para se të hedhin bombat e tyre mbi Alep ; para se të hedhin shiun e vdekjes e të barbarisë  mbi jetë njerëzish të pafajshëm? A i kanë ndjerë klithmat dhe lotët e fëmijeve; rënkimin dhe mallkinin e nënave këta njerëz të zotit që bekonin vdekjen? Nisur cfarë ndodh në një bombardim në territore banimi, si pilot i atyre migëve, në se do të isha në vendin e tyre, do të ndryshoja misionin, unë dhe shokët e mi kurrë nuk do të hidhnim bombat në vendet e banuara por si ushtarak,  ne baza ushtarake….këtë do ta bënim dhe kete kerkojme në emër të lotit të femijëve.

Cili është bilanci i një populli që shuhej për ditë? Sa miliona të vrarë dhe të plagosur i kushtoi popullit sirian kjo luftë?  Analistët, strategët ushtarakë dhe politikanët duhet të nxjerrin “lessons learned” që fëmijët e botës mbarë të pergatiten për të festuar vitin e ri dhe jo të strehohen në rrënojat e politikës barbare. Nje popull i tërë sirian nuk ka asgje per te festuar nga ky vit i kombshëm. Edhe Putini, tashmë i klasifikuar si më i forti i botës,  dhuroi në prag feste të fundvitit fëmijëve serb, katër avionë supersonik Mig 29. A do të bekohen pilotat serb për misione të tilla vrasëse ….? shpresoj, kjo nuk do të ndodh tek fqinjët tanë. A do të vijojnë të vishen me uniformë ushtarake ministrat e mbrojtjes edhe ata të vendeve të Nato-s?

Historikisht, kombet dhe shtetet kanë jetuar apo mbijetuar më shumë përmes konfliktit sesa bashkëpunimit; më shumë në luftë sesa në paqe; më shumë të ndarë sesa të bashkuar. E përgjithshmja e post konfliktualitetit është se të tmerruar nga betejat ç’njerëzore të shkaktuara po nga qenia njerëzore, shfaqen sjellje, betohen dhe lindin shpresa të reja për shkëputje nga ky tmerr vrasës duke shpresuar në një paqe të përjetshme dhe se fjala luftë do të humbasë vendin në fjalorin “popull”, do të mbetet vetëm një kujtesë e hidhur historike në memorien e njerëzimit për të mos u përsëritur më. Por historia e hershme dhe e sotme na e përshkruan dëshirën për paqe vetëm si një iluzion.

Ajo që paraqitet e “zbukuruar“ në kohën e sotme është fakti se, prioritet dhe tendencë e botës së sotme janë mobilizimi, veprimet dhe propaganda për eliminimin e pasojave të luftës, pra kur lufta ka mbaruar. Tmerret e luftës, bilanci tragjik me vrasjet, me mijëra të plagosur si dhe largimet massive, nuk mund të riparohen më nga solidariteti i botës duke dërguar forca dhe mjete apo ndihmë logjistike, ata nuk kthehen më, është tepër vonë.

Zgjidhja e vetme për të shmangur makthin e luftës, që sipas meje, të stimuluar nga diktatorët është futja në lojë e psikoanalistëve dhe kontrolli fizik i trurit të tyre, sigurisht duke afruar bashkëlidhur konsolidimin e demokracisë dhe diplomacisë, arma më e fuqishme dhe shumë herë e pakushtueshme e shoqërisë ku ne jetojmë. Kjo formulë duhet të funksionojë para se diktatorët të kërcënojnë dhe të vrasin të koduarin me emër “popull ”, ata duhen të largohen herët…. edhe në mënyra dhe forma të tjera, kjo është e domosdoshme për t’u bërë, kështu shpëtojmë jetë njerëzish.

….Por duket se shekulli ku jemi futur nuk mund të bëjë përjashtim nga ato që kemi kaluar, megjithatë le të shpresojmë. “Do të këtë lufta, do të ketë varfëri, do të ketë triumfe dhe shpartallime. Do të ketë tragjedi dhe fat të mbarë….ka një gjë që nuk është ciklike, Kjo është gjendja e përhershme njerëzore”. Do të shkruante Friedman në librin “100 vitet e ardhshme”.

*Kolonel(R), Pilot, Themelues i Qendrës Kombëtare të Studimeve të Sigurisë dhe Mbrojtjes

SHKARKO APP