“Sudja” online dhe viktimat e radhës

“Easy INVEST”, një nga bursat e investimeve online ka mbyllur aktivitetin në vendin tonë, duke marrë me vete edhe investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë. Objekti i aktivitetit të saj ka qenë i gjerë dhe përfshinte veprimtarinë financiare në formën e kredidhënies, faktoringut, qirasë financiare, shërbimet e pagesave, transferimin e parave, ofrimin e garancive, marrjen e angazhimeve, këmbimin valutor, shërbime këshilluese, ndërmjetësime…

Nga Feti ZENELI*

Nga shkrimet e shumta me temën e firmave piramidale dhe ngjarjeve tragjike që pasuan rënien e tyre në vitin ‘97, më kanë mbetur ndër mend edhe dy studime të autorëve; Chris Jarvis, ekonomist në Fondin Ndërkombëtar Monetar dhe Dirk J. Bezemer, profesor në Universitetin e Amsterdamit lidhur me këndvështrimin ekonomik të kësaj çështjeje. Përveç faktorëve specifikë të asaj periudhe, që inkurajuan lindjen e firmave piramidale, si “…rritja e mahnitshme ekonomike…”, “….dërgimi i sasive të mëdha të parave nga emigrantët…”, “…ndihmat e ndryshme për shtetin…”, “…sistemi i dobët financiar…”, etj, ata përmendin edhe “njohuritë e pakta financiare të publikut”. Profesor Dirk J. Bezemer në studimin e tij shprehet, se “…këto aftësi vijnë nga përvoja dhe kjo përvojë mungonte në Shqipërinë pas diktatoriale. Për më tepër njerëzit kishin besim edhe tek kapitalizmi, për të cilin dinin fare pak, por edhe tek shteti, të cilin e shikonin gjithsesi si një mbrojtës nga më e keqja”. Në mënyrë të veçantë ishin emigrantët shqiptarë, që u akuzuan të parët për papërgjegjshmëri dhe naivitet në financimin e skemave piramidale, sepse ndryshe nga gjithë të tjerët, ata “kishin parë botë me sy” dhe kishin në dorë “dhe gurin dhe arrën”. Analiza e fakteve të ndryshme tregoi më vonë, se shumica dërrmuese e rreth 2,3 miliardë dollarëve, që u investuan në këto firma mashtruese u përkisnin dërgesave emigratore apo remitancave, siç njihen në gjuhën teknike.

Siç dihet, vendet e dala nga regjimet komuniste si Shqipëria, edhe mbas një çerek shekulli demokraci dhe ekonomi tregu karakterizohen nga një shoqëri amorfe, ende të pastrukturuar mirë dhe me mangësi të theksuara në edukimin ekonomik-financiar të qytetarëve të tyre. Nga na tjetër, ndonëse kanë kaluar afro 20 vjet qysh nga ngjarjet makabre të ‘97-ës, faktet e mëvonshme tregojnë, se akoma nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga ky pësim tragjik. Shqiptarët vazhdojnë ende të joshen e të mashtrohen nga këto kompani fantazma, të cilat e kanë sofistikuar veprimtarinë e tyre në funksion të perfeksionimit teknologjik. Së fundi, kanë dalë në skenë kompani online, të cilat po vjedhin kursimet e qytetarëve shqiptarë, duke i mashtruar ata për fitime në shifra marramendëse. Për ironi të fatit, biznese të tilla në vendin tonë të vogël janë shtuar së tepërmi. Madje, sa më shumë shtohet varfëria dhe mjerimi i njerëzve, aq më shumë shtohen edhe këto “kërpudha” të helmonjëse.

Ka qenë revista “Monitor”, e cila publikoi këto ditë, se “Easy INVEST”, një nga bursat e investimeve online ka mbyllur aktivitetin në vendin tonë, duke marrë me vete edhe investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë. Objekti i aktivitetit të saj ka qenë i gjerë dhe përfshinte veprimtarinë financiare në formën e kredidhënies, faktoringut, qirasë financiare, shërbimet e pagesave, transferimin e parave, ofrimin e garancive, marrjen e angazhimeve, këmbimin valutor, shërbime këshilluese, ndërmjetësime, etj. Kjo kompani që funksiononte si një platformë investimi online, në korrik të këtij viti mbylli faqen e saj zyrtare nën shënimin: “under construction”. Gjithashtu, edhe adresa fizike e kompanisë në rrugën “Donika Kastrioti”, pallati 14, kati parë, Tiranë nuk i përket më kësaj kompanie. Sakaq kompania ka shpallur falimentin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, por pa lajmëruar asnjë nga investitorët e shumtë të saj në trojet shqiptare, duke lënë pas vetëm humbje.

Mirëpo, teksa tregu i mbushur plot dhe këto subjekte, një pjesë e të cilave nuk kanë licencë dhe as nuk mbikëqyren, siç tregon rasti i mësipërm, falimentet kanë nisur. Është një fakt i njohur që në rastin e falimentimit të “Easy INVEST”, nuk bëhet fjalë thjesht për një falimentim biznesi të zakonshëm. Flitet për falimentimin e një biznesi që edhe në vendet me të zhvilluara të botës konsiderohet shumë i komplikuar, i ndërtuar mbi besim dhe pak a shumë në formën e një skeme piramidale. Një prej investitorëve të shumtë të “Easy INVEST”, me njohuri të admirueshme në bursat online, thotë se ishte i interesuar për statusin juridik të kësaj kompanie, por nuk ka gjetur të dhëna të mjaftueshme. Kjo lloj burse online nuk kishte më shumë se 5 muaj në treg, po të kemi parasysh datën 24 shkurt të këtij viti, kur është regjistruar në QKR dhe muajin korrik kur befas ndërpreu aktivitetin dhe u zhduk pa lënë gjurmë së bashku me paret e kreditorëve të saj. Për më tepër “Easy INVEST” ishte licencuar nga QKR, pa marrë leje nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Me vonë gjatë muajit prill, kompania ka raportuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, se ka marrë lejen nga Banka e Shqipërisë, por kjo e fundit nuk e ka listuar në subjektet e licencuara jo banka. Toleranca e QKR-së është tepër e pashpjegueshme në këtë rast, ndërkohë që, ky institucion tregohet shumë strikt me bizneset e tjerë, që në fund të fundit, pasojat e dështimit rëndojnë totalisht vetëm mbi shpatullat e tyre. Ndërsa në rastin konkret, mosrespektimi i ligjit dhe rregullave të licencimit nga QKR-ja krijon terren për të mashtruar qindra klientë duke ju vjedhur kursimet e jetës së tyre. Mjafton të përmendim se për 4-5 muaj aktivitet “Easy INVEST” grumbulloi qindra-mijëra euro në Shqipëri e Kosovë, por kreditorët nuk po e denoncojnë rastin në polici, për shkak se shpresojnë të marrin paratë e investuara, në të njëjtën mënyrë siç shpresonin dikur kreditorët e Maksude Kadëmit, alias Sudes. Gjithsesi duhet vepruar konkretisht, pasi në treg po shfaqen “Sudja”, “Xhaferi” apo “Populli” i kohës së sotme, si ai ujku që “qimen e ndërron, por zakonin s’e harron” duhet të krijohen listat e zeza të grabitqarëve të kësaj kategorie. Ndaj, ndërgjegjësimi publik duhet të jetë aktiv edhe nga autoritetet mbikëqyrëse në median e shkruar dhe atë vizive. Një material konciz me shenjat paralajmëruese për qytetarët, që t’ju tregojë, se mund të jenë viktima të radhës nga këto kompani fantazmë, duhet të përdoret për ndërgjegjësimin e çdo individi. Fitimet joshëse janë grepi i tyre për të peshkuar dhe vjedhur pa pikë mëshire çdo investim të bërë nga kreditorët. Sa më të mëdha të duken këto fitime teorike që ju ofrohen, aq më të mëdha, më vrastare dhe më të rënda do të jenë humbjet e kreditorëve. Shqiptarët nuk duhet të harrojnë eksperiencën negative të investimeve në skemat piramidale të para ‘97-ës, ku të nxitur nga interesat e ofruara nga këto firma, shitën “shtëpi e katandi”, duke mbetur në mes të “katër rrugëve”. Asgjë nuk ndryshon dhe në këtë rast, pavarësisht se fenomeni nuk është aq masiv sa 20 vite më parë. Është moment për të dhënë sinjalin “SOS”: Mos investoni në këto skema grabitëse!

Portalet e tregtimit online, të cilat ndërmjetësojnë investimin e qytetarëve në bursa janë një fenomen relativisht i ri në vendin tonë. Shpesh disa prej tyre funksionojnë edhe të palicencuara, ç’ka duket se ka krijuar shqetësimin e autoriteteve përkatëse, të cilat kërkojnë vëmendjen e qytetarëve për të mos u joshur nga këto subjekte. Ajo që nxit qytetarët për të kërkuar investime më të larta është trendy rënës i normave të interesit për depozitat, ambient nga i cili mesa duket kanë përfituar këto portale, që u kërkojnë qytetarëve të investojnë paratë e tyre në tituj dhe produkte me risk të lartë, kryesisht jashtë Shqipërisë. Dihet se investimet në tregjet e letrave me vlerë, sidomos ato ndërkombëtare, kërkojnë një analizë të thellë dhe nuk janë një investim aq i thjeshtë sa një depozitë bankare. Dikush mund të rekomandoj që t’i lëmë këta individë të mësojnë duke e pësuar, siç ndodhi me firmat piramidale të ‘97-ës, por në këtë rast kriza sociale në radhët e individëve, familjeve dhe shoqërisë është shumë e rëndë. Dhe kur përmasat e kësaj krize rriten, ajo dëmton në mënyrë dramatike kohezionin social të vendit tonë. Ndërkohë që një grusht kompanish grabitqare vjedhin milionat, qindra – mijëra individë apo investitorë humbasin kursimet e tyre. Kësisoj, këta të mashtruar i shtohen numrit të njerëzve të varfër që rrit në krahun tjetër edhe barrën e buxhetit të shtetit. Natyrisht, në aspektin teknik, askujt nuk i vidhen paratë pa “dëshirën” e vetë, sepse çdo veprim nga llogaria personale e individit bëhet vetëm me urdhrin e tij. Njerëzit i humbasin paratë e tyre sepse investojnë në instrumente financiare shumë riskoze, pa e ditur shkallën e riskut, në kushtet e mungesës së transparencës. Por kjo nuk do të thotë që të mos merren masa për rregullimin ligjor të biznesit elektronik. Institucionet përkatëse të licencimit, mbikëqyrjes apo monitorimit duhet të miratojmë rregulla dhe rregullore për mbikëqyrjen dhe transparencën, duke i ftuar qytetarët që t’u drejtohen vetëm subjekteve të licencuara për këtë aktivitet  dhe vetëm atëherë kur të kenë informacion të plotë dhe njohuri financiare të nevojshme për rreziqet që kanë këto investime. Pastaj, detyra tjetër e tyre është që të shohin portofolin e investimeve për çfarë produktesh është përdorur, dhe si kanë qenë kthimet. Një nga ekspertët tanë më të mirë të kësaj fushe, duke iu referuar rastit të “Easy INVSET” thotë, se ky është momenti për të kuptuar, që grabitja e qindra e mijëra eurove nga kursimet monetare të qytetarëve shqiptarë përmes skemave mashtruese online është më e rrezikshme dhe më e dëmshme për shoqërinë se sa çdo kritikë sado e ashpër qoftë ajo ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë, Bankës së Shqipërisë apo organeve të tjera mbikëqyrëse. E duke besuar se ky përfundim pranohet gjerësisht, atëherë çfarë duhet të presin agjencitë përgjegjëse qeveritare për të hedhur dritë mbi këtë rast dhe për marrë masat përkatëse edhe ndaj skemave të tjera të shumta që po lulëzojnë krahas me fondet e investimeve, që në fakt janë po kaq të rrezikshme, pasi operojnë në një mjedis krejt të ngjashëm.

Kur shqiptarët u futën “derr në thes” tek “Sudja”, “Xhaferi” apo Populli”, kuptohet që investimi në tituj financiare, është një fushë shumë herë më e panjohur investimi për ta, ndaj shteti dhe qeveria nuk duhet të rinë sehirxhinj, pa marrë të paktën, qoftë edhe një masë të posaçme të karakterit informuese dhe këshilluese të publikut. Zhvillimet e fundit për fillimin e operimit të platformave të tregtimit online, e bën edhe më imediate, aplikimin e fushatave informuese në këtë drejtim. Pjesëmarrja në shit-blerje titujsh, nëpërmjet platformave të tregtimeve online, konsiderohet investim me rrisk të lartë dhe tregtimi nëpërmjet tyre mbart rrezik të konsiderueshëm edhe nëse skema ngrihet e funksionon edhe në vende me institucione të konsoliduara tregu. Mbrojta e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë që me nismën e vetë dëshiron të investojë në tituj financiarë, duhet garantuar me ligj dhe “Maliq”. Investimi i cash-it shqiptarë, në ca produkte financiare për të cilat kurrë më parë nuk kishin dëgjuar, pas propozimit për një fitim të lehtë nëpërmjet këtij investimi, nuk duhet lënë më si “një çështje private”. Këto dhe çështje të tjera të lidhura me to, kërkojnë profesionalizëm dhe transparence, pasi u shërbejnë një numri të madh qytetarësh të painformuar, por edhe të manipuluar nga biznese kriminale nën hundën e institucioneve shtetërore të krijuara me ligj për të garantuar lirinë e tregut dhe për të mbrojtur konsumatorët nga mashtrime të tilla kaq të dëmshme. Ndaj, mendoj se rasti i mësipërm, vetëm se “uli siparin” e një zhvillimi negativ në ekonominë dhe financat tona që ka të ngjarë të bëhet edhe me problematik në të ardhmen. Por ky është edhe rasti për të kuptuar edhe se sa pak e njeh realitetin Ministria e Financave që shqetësohet për taksimin e blerjeve online, dhe “harron” milionat që humbasin qytetarët apo organet e tatimet-taksat nga bizneset mashtruese online. E për t’u mbrojtur prej pasojave nuk mjaftojnë deklarata zyrtare apo thirrje “në parim”, por duhen ndërmarrë veprime konkrete për të ndihmuar kështu individët dhe bizneset të marrin vendime të arsyetuara e të minimizojë në këtë mënyrë riskun e investimeve të tyre. Nga ana tjetër, duhen nxitur institucionet që qeverisin dhe mbikëqyrin tregun financiar, që të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional mes tyre dhe me autoritetet e tjera relevante vendase apo të huaja, për shkëmbimin e informacionit dhe ndërmarrjen e veprimeve që përmirësojnë kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij.

______________________________________________________________________________

*Ish-Drejtor i Përgjithshëm e Agjencisë së Trajtimit të Kredive

SHKARKO APP