Të mësosh shqip në Austri

Hazir Mehmeti, mësues, shkrimtar dhe gazetar nga Kosova, rezident në Austri, flet për përvojën me fëmijët e diasporës shqiptare në Austri për mësimin e gjuhës shqipe.

Intervistoi: Fran Gjoka

Nisur nga biografia juaj letrare dhe pedagogjike na rezulton se jeni një figurë mjaft e njohur në Kosovë, Shqipëri dhe veçanërisht në Vjenë të Austrisë. Ç’përbën për ju ky fakt?

Kam punuar  vazhdimisht në sferën e gazetarisë hulumtuese, reportazheve, teksteve mësimore, materialeve mësimore të cilat u botuan dhe u priten mirë. Të jesh i njohur ka edhe përgjegjësi, një fakt nga jeta publicistike.

Pasi keni kryer arsimin pedagogjik dhe jeni specializuar veç të tjerash në fushën e mësimdhënies. Ishte një dëshirë e përflakur që flinte brenda shpirtit të Hazir Mehmetit apo një nevojë imediate për t’u shprehur si patriot?

Jo, nuk e kam menduar kurrë se jam patriot, le ta thotë vepra dhe puna. Unë jam shpirt lëvizës nga brenda, e dua punën, e dua çdo gjë natyrale në vendin e vet. Kam respekt të madh për figurat patriotike të pushkës dhe pendës. Ata me veprën e tyre për Shqipëri më japin forcë. E urrej shumë formalitetin, gënjeshtrën, hipokrizinë, ambicien e sëmurë. Më pëlqen thënia e të Madhit Faik Konica, i cili jetoi dhe në Vjenë: “Fjala e vërtetë nuk sjell fitim (në lek), por shpirti pasurohet nga ajo”

Veprimtaria Juaj patriotike dhe atdhetare ra shpejt në sy të autoriteteve shoviniste serbe. Ç’masa morën ata për të penguar veprimtarinë tuaj  në shërbim të çështjes kombëtare dhe më vonë dëbimin tuaj nga vendlindja juaj, Kosova?

Në gjimnaz, ku unë punoja, kishte organizime kundër vendimeve serbe për të imponuar planprogramet e tyre mësimore antishqiptare, ne i kundërshtuam si trup arsimor në gjithë Kosovën, pra edhe në gjimnazin ku unë punoja dhe isha kryetar i Këshillit të Mësimdhënësve i cili numëronte 156 profesor dhe punëtorë tjerë. Isha kryetar i Sindikatave të Pavarura për Arsim në Komunën e Vushtrrisë dhe anëtar i kryesisë qendrore të Sindikatave të Kosovës që i patëm formuar në kundërshtim me sindikatat komuniste pro serbe që ishin akoma. Kjo ra në sy të armikut dhe na përndoqi në format më të ashpra të kohës, arrestime, marrje në pyetje, bastisje në familje, dhunime fizike trupore. Ndodhi helmimi i nxënësve, arsimtarëve, ku vetëm në Qendrën Shkollore “Muharem Bekteshi” në Vushtrri, në të cilën punoja, kishte 112 paralele me 3100 nxënës, u helmuan 270 nxënës nga serbet. Ishte ky provokimi më i rëndë që provonim deri atëherë, në pranverën e vitit 1990. Kam mbajtur ditar të cilin e kam gjetur i  shpëtuar nga zjarret e armikut dhe pas 26 vjetëve do ta botoj “Helmimi i Pranverës”. Tani kur e lexoj pas aq shumë vjetësh, nuk po besoj se e kam shkruar unë.  Nga arrestimet, bastisjet e vazhdueshme, maltretimet e vazhdueshme u detyrova të kaloj në ilegalitet dhe të shpërngulem përkohësisht ku tani jam. Nga dokumentet faktike autoritet austriake më morën në mbrojte duke më dhënë nënshtetësi.

Disa vite ushtrove detyrën e nderuar të mësuesit edhe në shkollat shqipe në kryeqytetin austriak, shpesh edhe pa pagesë. Cila qe arsyeja që e ndërmorët këtë iniciativë me shumë vlera për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Austri?

Në Kosovë kam punuar 7 vjet pa pagesë nën shtypje e varfëri, por jo në Austri. Këtu në Austri mësimi i gjuhëve amtare është  i siguruar brenda Ministrisë së Mësimit dhe mësuesit paguhen nga shteti njëjtë sikurse mësuesit austriak. Austria e financon mësimin amtar me të gjitha: mësuesin, tekstet, projektet.

E keni vlerësuar maksimalisht detyrën e shenjtë të mësuesit, aq sa jeni vlerësuar disa herë me mirënjohje për punën e bërë. Ç‘përbenin për ju këto vlerësime në shërbim të konsolidimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve?

Kam pasur fatin të punoj në disa shkolla të Vjenës, njëra nga ato “Shkolla Europiane” me programe të dalluara të mësimit të gjuhëve amtare. Aty kisha mundësi komunikimi me mësues të 14 gjuhëve nga e gjithë bota, pra edhe shqip. Kjo shkollë vizitohet nga shumë vende të botës ( të enjteve), delegacioneve të ekspertëve pedagog të cilët ishin edhe në orën time. Tani e dymbëdhjetë vjet ka shumë shkrime përshtypje nga këta vizitor prej shumë vendeve.. Kurrë nuk pata vizitor nga Shqipëria e as nga Kosova. Kjo më ka lënduar disa herë kur mbanim orën e analizave e konsultave gjithë mësuesit e gjuhëve. Mora disa falënderime nga drejtoria dhe nga Stadtschulrati (Administrata e Arsimit të Landit të Vjenëa) për mërita në procesin mësimor, kreativitet dhe ide në afirmimin e mësimit tek nxënësit. Kjo më ka nderuar shumë. Fituam, si shkollë vendin e parë në Austri dhe vendin e tretë në Bashkimin Europian.

Në vitin 2012, botuat veprën “Tekst ushtrime 1”, duke u ardhur në ndihmë praktikisht fëmijëve të emigrantëve shqiptarë. Cilat ishin përparësitë e këtij teksti në mësimin e gjuhës shqipe?

Po, ishe nevoja e madhe për tekste fillestare nga nxënësit shqiptarë. Fillova të punoj materiale nga përvoja në gjuhën turke dhe kroate. Më vlonte shpirti, përse ne nuk kishim, edhe pse kishim shumë nxënës shqiptarë. U njoha me shumë mësues aktiv kroat dhe turq, me  të cilët ishim në seminare. Këto materiale të punuara gradualisht për veten time i prezantova në seminare ku kishte dhe shtëpi botuese të cilat i pëlqyen dhe i botuan. Ndihem i lumtur kur sot i kujtoj këto, pasi doli se me punën time ua imponova që të botonin edhe për nxënësit shqiptarë. Ato tekste janë pjesë e katalogut shkollor, për çka ndihem i lumtur. Bile, para dy muajsh kam marrë një shkresë nga Ministria e Arsimit e Gjermanisë e cila dëshiron t’i fus në katalogun e teksteve atje dhe një ofertë për bashkëpunim me revistën e tyre të njohur lidhur me tekstet dhe metodologjinë mësimore.

Më pas vjen një tekst i munguar për shkollat shqipe në diasporë “Abetare shqipe”, për të cilën ke pasur edhe ndihmën e një grupi të kualifikuar bashkëpunëtorësh nga Suedia. Dimë se vepra është vlerësuar mjaft, po cili ishte impakti i parë që të obligoi për ta shkruar këtë libër?

Jo, nuk kam pasur asnjë kontakt me dike nga Suedia apo vend tjetër, ndoshta i keni ngatërruar të dhënat. Abetarja është po ashtu pjesë e punës sime rreth tri vjeçare. Unë kisha elemente nga “Tekst Ushtrimi 1”, ato i zgjerova shumë, gradualisht konsultova literaturë, mbi 40 abetare në disa gjuhë dhe nxora ato që më duheshin në praktiken e alfabetimit specifik siç është diaspora. Pastaj erdhi nga Ministria e Mësimit të Austrisë projekti  “Alfabetisirung” në tri gjuhët kryesore amtare në Austri, ku me materialet e përgatitur nga unë hyri dhe gjuha shqipe, e prezantova në disa seminare, u vlerësua mirë dhe u vu në listën e teksteve shkollore, e cila porositet edhe nga vende tjera.

Njiheni në qarqet letrare dhe pedagogjike edhe si lëvrues i denjë i publicistikës pedagogjike me temë traditën arsimore, së cilës i kushtove veprën mjaft të vlerësuar “Udhëtim S”, përmes të cilit përcillni tek lexuesi kronikat plot shkëlqim të seminareve të organizuara me mësuesit e shkollave shqipe në diasporë. Në ç‘kushte lindi ky libër i bukur pedagogjik?

Kjo vepër lindi nga reportazhet e mia mbi seminaret e mësuesve në diasporë. Jam pjesëmarrës i të gjitha seminareve. Aty njoha shumë kolegë/ e nga vende të ndryshme, pastaj kumtesa nga përvoja profesionale, kumtesa nga specialist të gjuhësisë e kulturës. Gjithë ato shkrime i përmblodha në dhjetëvjetorin e seminareve dhe doli “Udhëtim S” seminareve. Ndihem mirë kur e shfletoj tani, më ringjall takimet e dikurshme.

Keni një eksperience të shkëlqyer si gazetar, drejtoni një faqe portal me material në gjuhën shqipe pranë Ministrisë së Arsimit të Austrisë, bashkëpunëtor në organet e njohura të shtypit në Kosovë e Maqedoni si “Fakti ditor”, “Zemra shqiptare”, Zëri i Ditës” dhe revistat për fëmijë “Ura”,”Besa”. Si arrini të realizoni gjithë këtë aktivitet të dendur patriotik dhe atdhetar, duke kontribuar me shpirt për çështjen kombëtare shqiptare?

Nuk është e lehtë, aspak. Mundohem të racionalizoj kohën në çdo hap. Kur kam frymëzim e shkruaj artikullin shpejtë, por nuk e dërgoj pa e lexuar disa herë, ashtu dhe materialet mësimore. Është kënaqësi bashkëpunimi me revista e gazeta. Shkrimet janë pjellë e brendshme shpirtërore, kurse botimi jeta e saj. A ka më të bukur se kur shkruan për Hasan Prishtinën, Norbert Joklin, Ismail Kadaren, Dr.Sokrat Dodbibaj etj. dhe botohet shkrimi. Shpirti nuk do vetëm ujë e bukë, do dhe njerëzoren, veprën e mirësinë. Kështu e ndiej unë.

 

Keni qenë vazhdimisht prezent në shtypin pedagogjik, por edhe me aktivitete të organizuara, ku tërheq vëmendjen veprimtaria me titull “Çamëri, moj Çamëri, 70 vjet me lot në sy”. Cili është qëndrimi që mbahet në Austri për çështjen çame?

Rreth Çamërisë nuk dihet shumë në Austri, por dihet se miqësia shqiptaro-austriake ka rrënjë të qëndrueshme shekuj.  Artikulli është i shkruar me frymëzim vëllazëror me rastin e 70 -vjetorit të masakrave greke ndaj çamëve.

Përmes veprës suaj keni ngritur problemin madhor të përdorimit të gjuhës shqipe nga emigrantët në kushtet e shtëpisë me qëllim që edhe tek fëmijët e moshës shkollore të edukohet ndjenja e përvetësimit të gjuhës amtare. Si ndodh në të vërtetë në vendin ku jetoni?- A janë të interesuar fëmijët ta mësojnë gjuhën e nënës?

Në Austri është e garantuar mësimi amtar aty ku mund të formohet grupi i nxënësve prej së paku 12 nxënës qoftë dhe nga disa shkolla. Prindi vetëm e nënshkruan formularin për vijim. Nga 12.500 nxënës shqiptarë në Austri, shqip mësojnë 2500 nxënës, diku rreth 20%, çka është shumë pak krahasuar me kushtet që ofrohen. Ne nuk jemi të kënaqur dhe vazhdimisht përpiqemi për ta shtuar numrin e nxënësve. Ndihem i lumtur që kam ndihmuar, sado pak, komunitetin tim në Austri me punën time si autor dhe publicist. Jam bashkautor i 19 teksteve nga projekti i Prof.Dr.Basil Schader, për tekstet e diasporës dhe autori i disa tektseve mësimore ku më e dashura për mua mbetet A-B-C- Fibel- Abetarja, autor dhe përgjegjës për materialet mësimore në gjuhën shqipe në Austri, pranë Ministrisë së Mësimit.

Në Austri organizohen shumë seminare teorike dhe praktike për konsolidimin e shkollave shqipe në diasporë, ku kryhet një aktivitet i dendur pedagogjik, patriotik dhe atdhetar. Si keni mundur t’i siguroni materialet mësimore për seminare? –Po bashkëpunimi me autoritetet austriake të arsimit si ka qenë?

Seminaret në Austri janë pjesë e planit të punës dhe duhet vijuar nga të gjithë sipas temave përkatëse. Leximi i literaturë pedagogjike në disa gjuhë e plotësojnë horizontin që një mësuesi i duhet. Unë qysh si normalist kam lexuar nga metodika e pedagogjia me ëndje. Kjo të përgatit për çdo seminar apo tryezë tematike diskutuese, natyrisht kryesorja, për mësimdhënie.  Ministria e Mësimit e Austrisë e ka drejtorinë për Mësimin e Gjuhëve Amtare, të cilën e drejton Mag.Elfie Fleck, një punëtore e madhe dhe përkrahëse e fuqishme e jona. Ishte në seminarin e Strugës (2008) ku mbajti ligjëratë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm, po ashtu me shoqata mësuesish nga kombe tjera.

Do ju falënderoja nga zemra për intervistën profesor, por më parë dua të di si e vlerësoni veprën e prof.Musa Krajës dhe z.Emirjona Kraja, kushtuar personalitetit tuaj,me titull “Mësues dhe krijues në diasporë Hazir Mehmeti”,botuar nga SHB “Mirgeeralb”,Tiranë 2016?

Mua më takon të ju falënderoj Ju. Është kënaqësi të tregosh mbi punën tënde në dobi të nxënësit e të shoqërisë. Vepra e Prof. Dr. Musa Krajes dhe Emirjona Krajes “Mësues e krijues në diasporë- Monografi Social-Pedagogjike” është për mua diçka më e vlerësuara në jetë nga ajo që dikush ka bërë për mua. Kurrë nuk e kam menduar se dikush do shkruan vepër për mua. I falënderoj me gjithë qenien time dhe u mbetem për jetë i detyruar. Jemi takuar me Prof.Dr.Musa Krajen në vitin 2012 në seminarit e Korçës i cili më la përshtypje të thella. Nuk e kam ditur se ai kishte lexuar aq shumë shkrime nga unë nga të gjitha zhanret, kishte mbledhur materiale të shumta. U takuam edhe në disa seminare, i fundit në Pejë (2015) i dhurova “Udhëtim S” dhe nuk tregoi asnjë fjalë rreth idesë së tij. Në fund të vitit që shkoi më shkruan rreth Monografisë. U befasove dhe nuk e besoja se një njeri aq me bagazh të lartë shkencor të shkruar për punën time si mësues dhe publicist.  Kjo më dha jetë e kurajë në punën time. Dua ta përshëndes përzemërsisht.

SHKARKO APP