Tiranës i mungon  “Rruga e Shëngjergjit”

Nga Luan Shtëpani/Rrugët e Tiranës janë të mbushura me emrat e personaliteteve të shquar të vendit, të rajonit dhe botës. Propozimi i emrave është bërë nga qytetarët, organizatat e ndryshme dhe nga Akademia e Shkencave. Përzgjedhja dhe zyrtarizimi i tyre bëhet nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Për sa më lart, Shoqata Kulturore – Atdhetare “Gavril Dara i Riu” e Shëngjergjit i shkruan kështu kryetarit të Bashkisë së Tiranës. “Ne  si shoqatë ju jemi mirënjohës për  kontributin e dhënë për krahinën tonë.  Nisur dhe nga predispozicioni juaj për Shëngjergjin shoqata kërkon dhe ka besimin se do të vendoset në vend një e drejtë e munguar në gjithë këto vite. Bëhet fjalë për rrugën e Shëngjergjit e cila është e njohur që në kohët e lashta për lëvizjen e karvanëve nga Durrësi ne fushën e Tiranës – Qafë Priskë- Tamadhe (Shëngjergj)- Biza e Shëngjergjit- Martanesh- Zerqan e Dibër të Madhe etj.  Këtë  e përshkruan edhe M.H Hecquard konsulli i Francës në Shkodër në librin e tij “ Honte Albanie e Gegëria”.  Ajo quhej, e madje quhet dhe sot nga të moshuarit “Rruga e Shëngjergjit”. Kjo rrugë kalonte në pjesën lindore të Tiranës në Qafë -Priskë, Domje e Shëngjergj e më tej sepse shërbente për lëvizjen nga këto krahina malore të karvanëve me prodhime blegtorale për të cilat këto zona dalloheshin. Kope me bagëti për shkak të dimrit të ashpër lëviznin drejt zonave përreth Tiranës, ku një pjesë e mirë e bagëtive me hyrjen e dimrit dhe me shtimin e tyre në pranverë destinoheshin për në treg. Shumë banorë u vendosën në periferi të Tiranës së atëhershme duke pritur karvanët e bagëtive të malësisë. U morën kryesisht me therjen e bagëtive dhe përpunimin e lëkurëve. Dhe disa familje të vjetra tiranase prej 2- 3 brezash u morën me këtë veprimtari, ku nuk munguan dhe emërtesat si: lagjja e Tabakëve, pra lagjja e lëkurë –regjësve. Me këtë emër u pagëzua dhe Ura e Tabakëve. Pra, ku ka zanafillën dhe rruga e Shëngjergjit.  Kjo shkurtimisht është historia e emrit të kësaj rruge që në shekullin e 18-të. Pra, ashtu si Rruga e Dibrës,  Kavajës, Saraçëve, Bogdanëve të vendoset emri  ‘Rruga e Shëngjergjit”- Kështu përfundon kjo kërkesë drejtuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cila përforcohet nga një dokument i vitit 1921. Në këtë dokument e  69 –ta në këtë listë është rruga e Shëngjergjit. Ndërsa në gazetën  “Arbënia” të  23 dhjetorit 1936 gjatë paraqitjes së programin festiv të 24 dhjetorit  ndërmjet të tjerave shkruhet: “Më 24 dhjetor ora 10 trupat ushtarake të ndamë në dy kolona do të hyjnë triumfantë në kryeqytet nga rruga ‘Xhemal Pash Zogu’( e Dibrës) dhe nga ajo e Shëngjergjit…”. Në dokumentet e kohës së LANÇ duke bërë bilancin e të vrarëve në masakrës së 4 shkurtit shkruhet se në mëngjesin e kësaj dite kufoma të vrarësh të mbytur me gjak ishin kudo nëpër rrugët dhe sheshet e Tiranës. Dhe se në rrugën e Shëngjergjit ishin 7 të pushkatuar. Duke shfletuar në arkivat e bibliotekës kombëtare, në qershor të vitin 1988 në gazetën e kohës ‘ Tirana” arkitekti Sokrat Mosko në artikullin me titull “ Rrugët më të hershme të qytetit të Tiranës” ndër të tjera shkruan për  “rrugën e Shëngjergjit”. Sipas tij, kjo rrugë zbriste nga pazari i vjetër drejt jugut nëpër rrugën e sotme  “Punëtorët e Rilindjes” “dhe aty ku ndodhet Biblioteka e vjetër, merrte pak majtas, zbriste në lanë ku u ndërtua ura e tabakëve, duke bërë kështu lidhjen më të mirë të pazarit me zonë e banimit të zejtarëve dhe shkonte më tej në drejtim të juglindjes për në Shëngjergj dhe në drejtim të fshatrave të tjera.  Pra, gjatë hulumtimeve, bazuar në dokumente dhe fakte të shumta na paraqitet e vërteta e emërtesës  “Rruga e Shëngjergjit”.

 * Zv/ kryetar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare  “GAVRIL DARA I RIU”  e  Shëngjergjit

SHKARKO APP