Totozani: Tre objektivat kryesorë janë reduktimi i varfërisë, pabarazisë dhe përjashtimit social

Avokati i Popullit, Igli Totozani, mori pjesë sot në diskutimin e Buxhetit të Shtetit 2017 në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale.  Avokati i Popullit shprehu opinionet e tij mbi ndërhyrjet që i duhen bërë Buxhetit të Shtetit, duke reflektuar në to problemet dhe shqetësimet e qytetarëve.

Totozani theksoi se “Shqipëria tashmë ka përqafuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, objektiva këto që duhet të bazohen mbi të drejtat e njeriut. Me këtë duhet të kuptojmë, që e gjithë puna jonë e përbashkët e institucioneve, e Parlamentit, e Pushtetit Vendor e biznesit, e shoqërisë civile, në të ardhmen do të duhet të ketë për orientim, pikërisht këto objektiva, të cilat synojnë: Reduktimin e varfërisë, të pabarazisë dhe të përjashtimit social. Në këtë kuadër, Buxheti i Shtetit është një instrument i pazëvendësueshëm, kryesor, në realizimin e këtyre objektivave. Ai duhet të jetë shprehje dhe në vitet në vijim e këtij qëllimi të shtetit shqiptar për t’i realizuar ato”.

Fjala e plotë e Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani, përpara deputetëve në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale:    

E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të dhënë opinionin e institucionit tone, në këtë fazë të rëndësishme të diskutimit të Buxhetit të Shtetit 2017.

Është hera e parë që Avokati i Popullit ftohet për të qenë pjesëmarrës në diskutimin mbi hartimin e buxhetit, dhe për këtë falënderoj në mënyrë të veçantë znj. Albana Vokshi, e cila ka qenë shumë aktive në mbështetje të problematikave që ka trajtuar institucioni ynë.

Përpara se të ndaja me ju disa nga çështet kryesore do të dëshiroja që të theksoj se ne nuk jemi këtu për të gjykuar mbi këtë buxhet, por për t’ju këshilluar ju si forca parlamentare, për të realizuar në mënyrë finale një buxhet në dobi të qytetarëve dhe të rritjes së mirëqënies së tyre.

Së pari, do të doja t’ju thoja se Shqipëria tashmë ka përqafuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, objektiva këto që duhet të bazohen mbi të drejtat e njeriut.

Me këtë duhet të kuptojmë, që e gjithë puna jonë e përbashkët e institucioneve, e Parlamentit, e Pushtetit Vendor e biznesit, e shoqërisë civile, në të ardhmen do të duhet të ketë për orientim, pikërisht këto objektiva, të cilat synojnë:

-reduktimin e varfërisë,

-të pabarazisë

-dhe të përjashtimit social.

Në këtë kuadër, Buxheti i Shtetit është një instrument i pazëvendësueshëm, kryesor, në realizimin e këtyre objektivave. Ai duhet të jetë shprehje dhe në vitet në vijim e këtij qëllimi të shtetit shqiptar për t’i realizuar ato.     

Janë 17 Objektiva për një zhvillim të qëndrueshëm, të cilat fokusohen në garantimin e një ambienti të përshtatshëm në të gjitha nivelet, në frymën e partnershipit dhe solidaritetit global. Qëllimi është t’i jepet fund varfërisë dhe të arrihet zhvillim i qëndrueshëm në të tre dimensionet.

“Ne duhet të promovojmë shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse dhe të ecim përpara drejt një sistemi ekonomik global të drejtë, ku asnjë vend dhe individ nuk lihet pas, duke bërë të mundur punë të denjë dhe jetesë produktive për të gjithë” thuhet në deklaratën e përbashkët të krerëve të shteteve në Konferencën e mbajtur në Addis Ababa në Korrik 2015.

Për këtë duhet një axhendë e përbashkët pune, impenjimi dhe partneriteti mes Parlamentit, Qeverisë, Institucioneve të pavarura, pushtetit vendor, shoqërisë civile, përfaqësuesve të biznesit etj.

Të nderuar miq, Avokati i Popullit nuk ka kompetenca për të përcaktuar apo llogaritur shifrat në buxhet, por ne kemi detyrimin moral dhe human për të ndarë këtu me ju shqetësimet që na referojnë çdo ditë qytetarët, ndaj të cilëve duhet të përgjigjemi me veprime dhe zgjidhje konkrete, që duhen parashikuar dhe shoqëruar me fatura financiare në këtë buxhet.

Një pjesë të tyre, të cilat i konsideroj si më imediate, më lejoni t’i parashtroj si më poshtë:

–        Nuk është bërë ende kompesimi nga fondi i emergjencave civile për banorët, pasuritë e të cilëve janë dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, pavarësisht se është hartuar edhe dokumentacioni tekniko-ligjor. Përmend këtu ankesat e banorëve në qarkun e Shkodrës të përmbytur në fund të vitit 2010. Në vitin 2012 hartuam një Raport të Veçantë, me anë të të cilit kemi njohur Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave me situatën e krijuar dhe masat që duheshin marrë, për të zbutur pasojat e përmbytjes. Gjithashtu, dhe për të përmbushur detyrimet ligjore që burojnë nga Vendimi i Këshillit të Ministrave, që mbeti pa zbatuar plotësisht. Ky raport nuk është diskutuar ende në Kuvendin e Shqipërisë.

–        Ka ngelur i patrajtuar financiarisht problemi i banorëve të përmbytur në qarkun e Fierit në Novoselë gjatë viti 2015, (Rekomandim lidhur me vijimin e procedurave të dëmshpërblimit të banorëve të qarkut Fier pas përmbytjeve të shkaktuara nga lumi Vjosa-shkurt 2015 dhe Gjanica-tetor 2015), si edhe përmbytjet në Paskuqan në vitin 2010 (rekomandime drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme).

–        Duhet të dalë nga ngërçi dhe të përfundoj procesi i trajtimit të familjeve, prona e paluajtshme e të cilave është përmbytur nga ndërtimi i Liqenit të Hidrocentralit të Fierzës, pasi ka tejkaluar çdo limit kohor ligjor të nevojshëm.

(Rekomandimi nr. K3/I10-18 datë 8.07.2016 drejtuar Ministres se Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes etj, si dhe rekomandimi nr. K3/I10-25 datë 18.10.2016, drejtuar Kryeministrit)

–        Ky buxhet duhet të reflektojë edhe trajtimin e familjeve ish qiramarrëse (rreth 4000), në ish pronën e subjekteve të shpronësuara, të cilat pas zbatimit të Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave (nr. 3, datë 1.08.2012, “Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, ) kanë mbetur të pastreha dhe pa asnjë alternativë strehimi. (rekomandimet nr.K1/B36-7 datë 15.02.2013 dhe nr.K1/B36-9 datë 23.12.2013, dërguar Kryeministrit)

–        Sipas të dhënave të evidentuara në raportin e vecantë të Avokatit të Popullit “Për strehimin social në Republikën e Shipërisë” në vitin 2014, në  42 njësi të pushtetit vendor, janë evidentuar rreth 17.000 familje që gëzojnë statusin e të pastrehit, ndërkohë që kanë përfituar nga programet sociale të strehimit vetëm 2493 familje.

–        Mungesa e një kuadri të përshtatshëm ligjor për të drejtën për strehim, sot ka sjellë pasoja serioze dhe konflikte të reja sociale, gjatë trajtimit të rasteve të dëbimeve me forcë, si mungesën e sigurimit të një strehimi të përshtatshëm, për familjet me të ardhura të ulta (në varfëri ekstreme, apo absolute), familjet përfituese nga skemat e ndihmës ekonomike, gratë e pastreha viktima të dhunës në familje, apo edhe për kategorinë e ish qeramarrësve të strehuar në banesat shtetërore. Kriteret aktuale të përcaktuara në ligj nuk sigurojnë akses në sistemin e trajtimit me strehim social për individët dhe familjet varfëra. Edhe kur arrihet ky akses nuk garantohet qëndrueshmëria e zgjidhjes së strehimit me banesë sociale, për shkak të mungesës së të ardhurave, apo të ardhurave të ulëta.  

–        Duke mbajtur në konsideratë Reformën Administrative- Territoriale është shumë e nevojshme rishikimi I shpërndarjes së fondeve buxherore, sipas shërbimeve që ofrojnë këto njësi. Duke ju referuar edhe takimeve që kemi ndërmarrë me drejtues të qeverisjes vendore është evidentuar si shqetësues fakti se ka një numër të konsiderueshëm bashkish të cilat nuk kanë të evidentuar numrin e familjeve të pastreha. Ka një numër të konsiderueshëm bashkish të cilat  ndër vite nuk kanë përfituar asnjë fond për ndërtimin e banesave sociale, apo edhe ofrimin e programeve të tjera sikundër mund të jetë bonusi I qirasë sociale.

–        Një familje ekstremisht apo absolutisht e varfër, nuk ka mundësi pagese të energjisë elektrike  dhe të ujit të pijshëm që mund të konsumojë, dhe në rastin më të keq i hiqet aksesi në rrjetin e furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, për shkak të mospagimit.  Lidhur me këta konsumatorë vulnerabël është i nevojshëm aplikimi i politikave lehtësuese,  qasja dhe aksesi në shërbime publike sikundër furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike.

–        Akualisht nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, krahas masës financiare në shumën prej 650 lekë për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 këh në muaj”, janë ofruar disa modele për shlyerjen  e detyrimet për konsumatorët që rezultojnë debitorë, por edhe këto subvencione janë të pamjaftueshme në përballimin e përmbushjes së detyrimeve përkatëse.

–        Tjetër objektiv i cili duhet të përfshihet në Buxhet është shlyerja e detyrimeve në të holla të rrjedhura nga vendimarrjet e gjykatave brenda dhe jashtë vendit, të cilat prej Vitit 2011 e deri më sot janë në rritje. (Arritja e këtij objektivi detyrimisht duhet të vij në përputhje me parimin e sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së R.Sh., si dhe nenin 6/1 të KEDNJ, për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor.) Ekzekutimi i menjëhershëm i vendimeve të gjykatave është një nga hallkat kryesore të shoqërisë demokratike. Mosrespektimi i së drejtës të fituar në rrugë gjyqësore prej individit, në një afat të arsyeshëm, përveçse shkel të drejtën, lirinë e garantuar atij, passjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pra për gjithë taksapaguesit.

–        Gjithashtu, e një rëndësie të veçantë, është përfshirja e shlyerjes së detyrimeve për kompesim në të holla për 26 mijë vendimet e dhëna prej Agjensisë së Trajtimit të Pronës, prej vitit 1993 e deri më sot. Ky objektiv, i cili ka rezultuar deri më sot i pasukseshëm për t’u arritur, duhet të marrë vëmendje maksimale prej Këshillit të Ministrave si dhe Kuvendit të RSH.

–        Për ish të persekutuarit politikë, përbën urgjencë përcaktimi i një afati ligjor, për përfundimin e procesit të dëmshpërblimit të ish të dënuarve të regjimit komunist. Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar ende skemën e pensionit, nga e cila do të përfitojë dëmshpërblimin financiar kategoria e personave të internuar, ose të dëbuar gjatë regjimit komunist, si dhe ende nuk janë nxjerrë aktet nënligjore për trajtimin e të internuarve nga regjimi komunist. (U janë dërguar tre rekomandime të veçanta Ministrit të Drejtësisë si dhe Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale gjate vitit 2013).

–        Pagesa e ndihmës ekonomike, pagesa e aftësisë së kufizuar, llogaritja e masës së pensioneve të pleqërisë, të pensionit social, të së ardhurës nga papunësia, janë shumë të ulëta dhe nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet e nevojshme për kategoritë përfituese. Ato duhet të shkojnë drejt nivelit të minimumit jetik, i cili nuk është deklaruar ende nga shteti shqiptar. Ndërkohë që shpallja zyrtarisht e minimumit jetik është instrumenti më i rëndësishëm në luftën kundër varfërisë. Ky koncept lidhet ngushtësisht me nevojat që ka njeriu për të siguruar mbijetesën në kushtet aktuale, si dhe me përcaktimin dhe nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes sociale, sigurimeve shoqërore, sistemit të pagave, etj.

–        Aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike trajtohen rreth 81.621 (tetëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e njëzetë e një) familje  dhe individë në nevojë nga rreth 1.1 milion familje që janë në shkallë vendi, dmth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh. Kriteret e përcaktuara për përfitimin e ndihmës ekonomike janë të tilla që përjashtojnë padrejtësisht individë, apo familje që, në fakt janë në kushtet e varfërisë.

–        Papunësia është në nivele të larta dhe mundësia e punësimit nuk ofrohet sipas një skeme prioritare për individët e familjeve të varfra.

(Kemi rekomanduar: “Ngritjen e një grupi pune për studimin dhe përcaktimin e nivelit minimal te standartit te jetesës në Shqipëri. Dërguar Kryeministrit më dt. 26.03.2012, 06.12.2013 dhe 23.03.2013.

Raporti i Veçantë: “Varfëria dhe kontributi i programit të Ndihmës Ekonomike në reduktimin e saj, si dhe veprimtaria e Avokatit të Popullit lidhur me të” . Depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më dt. 24.07.2012

Raport i Veçantë:”” Për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK), në institucionet e pushtetit qendror e atij lokal”. Depozituar ne Kuvend në dt 23.5 .2013.

Rekomandim drejtuar Ministrisë së Financave për “Marrjen e iniciativës ligjore për ndryshimin dhe përmirësimin e Ligjit Nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, konkretisht të nenit 32 të tij, me qëllim që përfituesit e pensionit të pleqërisë të gëzojnë masën e pensionit të pleqërisë më të favorshëm për ta.”)

–        Fragmentizimet e parashikimeve buxhetore në programe të ndryshme të paintegruara nuk mund të nxjerrin në pah rritjen e fondeve të alokuara për fëmijë në përpjesëtim me nevojat dhe buxhetin e përgjithshëm.

–        Në projekt-buxhetin afatmesem kemi parashikime buxhetore për edukimin e fëmijëve në programet e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, parashikime buxhetore për shëndetin e fëmijëve në programet e Ministrisë së Shëndetësisë, parashikime buxhetore për mbrojtjen sociale të fëmijëve në programet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, parashikime buxhetore  për fëmijët në konflikt me ligjin në programet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së rendit etj por keto programe jo vetëm që nuk janë të integruara me njëra-tjetrën, por nuk të krijojnë akses për të bërë një analizë specifike të nevojave të fëmijëve për buxhetim në interesin më të lartë të tyre.

–        Tashmë është hartuar projektligji “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, por ky nuk është kostuar dhe mbi të gjitha nuk janë parashikuar as efektet financiare për implementimin e tij në buxhetin 2017, pavarësisht se aty specifikohet standardi që në çdo Bashki të ketë një punonjës për mbrojtjen e fëmijëve për 3000 të mitur. Relacioni bashkelidhur këtij projektligji nuk ka parashikuar kostot financiare për punësimin e këtyre punonjësve.

Në rekomandimet tona për buxhetimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve kemi kërkuar:

  • Të bëhet analiza e buxhetit nga perspektiva e të drejtave të fëmijëve;
  • Të ngrihen kapacitetet e zyrtarëve në Institucionet Buxhetore, për të advokuar në ndryshimin e politikave, bazuar në të dhëna mbi treguesit që kanë nevojë për ndërhyrje, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dedikuar fëmijëve dhe sigurimin e buxhetit të nevojshëm.

–        Ekziston legjislacioni që i detyron njësitë e qeverisjes vendore t’u sigurojnë transport falas fëmijëve që ndjekin arsimin fillor dhe që jetojnë mbi 2 km larg shkollës, dhe për të gjithë fëmijët që ndjekin arsimin nëntëvjeçar që jetojnë mbi 5 km larg shkollës. Megjithëse ekziston ky ligj, autoritetet e qeverisjes vendore vazhdojnë ta neglizhojnë me justifikimin se nuk kanë fonde (ose për shkak të infrastrukturës së keqe rrugore). Kjo sjell rrezikun që jo çdo fëmijë të ketë akses në shkollë, edhe pse është një e drejtë legjitime.( Studimi nga projekti Danez)

–        Infrastruktura në shumë shkolla të vendit ka nevojë për ndërhyrje dhe buxhet nga ana e strukturave vendore.(Studimi nga projekti Danez)

–        Mungesa e mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuar mbetet problematike edhe këtë vit shkollor.(Rekomandimi i AP shtator 2016)

–        Shtim te numrit te psikologeve ne shkollat e vendit pasi nje psikolog mbulon 2 deri ne tre shkolla. (Studimi nga projekti Danez)

–        Minoriteti Rom dhe komuniteti Egjiptian janë sot grupe vulnerabël dhe në risk, të cilëve iu garantohet barazia formale, por jo barazia thelbësore. Sistemi ynë social në trajtimin dhe beneficat që ofron për strehimin, regjistrimin në gjendjen civile, përfitimin e ndihmës ekonomike, arsimimin, punësimin, formimin profesional, kujdesin shëndetësor dhe çdo përfitim tjetër, formalisht e pranon këtë grup, por faktikisht e përjashton atë. Përmirësimi I kushteve të jetesës së komuniteteve Rome/Egjiptiane në vend kërkon zgjidhje reale, të qëndrueshme dhe afatgjatë. (veç rekomandimeve të shumta, nga viti 2012 e në vazhdim janë të depozituara në Kuvend, katër raporte të veçanta që trajtojnë këtë problematikë)

–        Të rritet buxheti për medikamente dhe shërbime mjeksore në spitale dhe kryesisht në QSUT.(Raporti I Spitaleve 2013 dhe vijim Rekomandimi i AP tetor 2015 )

 

–        Duhet buxhet më i lartë për Pavijonin Onkologjik në QSUT dhe plotësim të nevojave për pajisje mjekësore në Shërbimin e Traumës në Spitalin Ushtarak. (Rekomandimi i AP tetor 2015)

–        Është akoma prezent mosfunksionimi i shumë qendrave shëndetësore në vend për mungesë personeli dhe infrastrukture. (Studimi nga projekti Danez)

–        Ende nuk është miratuar Statusi i Moshës së Tretë. (Rekomandim për propozimin për miratim të projektligjit: “Për përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe plotësimit të nevojave për moshën e tretë”. Drejtuar MMSR datë 17.02.2015).

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Besoj se askush nuk pret që me buxhetin e një viti, të mund të zgjidhen të gjitha hallet, të kapërcehen të gjitha vështirësitë dhe qytetarët tanë të bëhen më të lumturit në botë. Jo! Ne nuk jemi naivë të mendojmë këtë, por ama jemi koshientë dhe të bindur që nëse të gjithë së bashku do të ndjekim filozofinë për të luftuar varfërinë, për të luftuar pabarazinë dhe për të mos lejuar përjashtimin social, sipas Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm …. Jeta e qytetarëve tanë do të bëhet më e mirë, dhe e theksoj: Askush nuk duhet të ngelet mbrapa!

SHKARKO APP