Urbanizimi i përshpejtuar, varfëria dhe qytetet me “dy pamje”…?

Nga Gëzim Tushi/Fenomeni i migracionit të brendshëm, shpërnguljet masive të popullsisë rurale nga fshatrat autoktonë në qytet, është një nga fenomenet sociale masive të jetës në Shqipëri. Me sa duket duke përllogaritur ritmet e këtij procesi, me siguri që nuk do të jetë e largët dita kur shumica e popullsisë në Shqipëri do jetë vendosur në qytete dhe do të kërkojë të adoptohet me kërkesat dhe rregullat e përbashkëta të jetës urbane. Ky proces ka qenë i lirë, spontan, kaotik dhe i paorientuar nga ana sociale e shtetërore.

Padiskutim që procesi i zmadhimit dhe rritjes së dimensioneve urbane të qyteteve tona, që në mënyrë intensive dhe pa pauza në vendin tonë ka filluar pothuaj tri dekada më parë, për arsye nga më të ndryshme dhe shkaqet nga më të larmishmet, vazhdon të jetë një proces i riorientimit demografik të pandalshëm, operacion i integruar urban tejet i vështirë dhe i papërballueshëm nga mënyra si janë organizuar, funksionojnë qytetet tona. Kapacitetet absorbuese urbane të qyteteve tona në shumë raste janë përfshirë nga një larmi krizash të forta ekzistenciale urbane. Migrimet rurale drejt qytetit janë duke vazhduar në mënyrë të pandërprerë, vale-valë me dimension urban dhe intensitet demografik e social të ndryshueshëm, por gjithsesi të pandalshëm.

Megjithatë tani pasi ka kaluar një kohë e gjatë e zhvillimit të këtij procesi të pandalshëm, besoj se është e mundur dhe duhet të bëhen analiza më objektive dhe të nxirren konkluzionet që duhen për të vlerësuar dobitë dhe dëmet që kanë ndodhur në këtë proces. Natyrisht edhe për të bërë më të mirën e mundshme, për ta disiplinuar absorbimin qytetar dhe sigurimin e dimensionit qytetërues të migracionit të brendshëm rural. Sepse janë fare të qarta pasojat pozitive dhe negative të dukurisë së “urbanizimit të përshpejtuar” dhe “lojës së lirë” urbane pa rregulla e module të natyrshme. Dimensioni i këtij fenomeni tek ne ka qenë tronditës e dramatik për qytetin dhe standardet e jetës qytetare. Nga që diktatura mekanikisht kishte mbajtur pjesën më të madhe të popullsisë (rreth 70 për qind të saj) në mënyrë detyruese në fshat, migracioni rural erdhi gati në nivelin e një “eksodi” të zgjeruar, masiv e të pandalshëm.

Situata e zhvillimit në zonat rurale, dydimensionaliteti i qartë i cilësisë së jetës dhe ritmet e diferencuara midis zhvillimeve urbane dhe ngadalësisë së zhvillimeve të jetës social ekonomike në zonat rurale, ka bërë që fenomeni të marrë përmasa të një dukurie paradoksale e kundërproduktive, edhe për cilësinë e jetës së njerëzve të migruar nga fshati por dhe për statusin e qytetit dhe cilësinë e jetës urbane në Shqipëri. Në mënyrë të padiskutueshme kjo situatë flet qartë për një gjë që duhet marrë në konsideratë, në se duam të ndërtojmë politika të balancuara të zhvillimeve ekonomike, kulturore e sociale midis qytetit dhe fshatit, nivelit dhe cilësisë së jetës urbane në raport me vlerën dhe dobinë e konsolidimit të jetës në fshat duke ndikuar në zbutjen e shqetësimeve dhe vështirësive evidente të fshatit dhe mënyrës së jetës rurale.

Një gjë është e sigurt dhe duhet pranuar pa hezitim. Situata aktuale e lëvizjeve nga fshati drejt qytetit me çdo kusht dhe çmim, të paktën sociologjikisht është tregues i padiskutueshëm i atraksionit dhe forcës që ka në kohën e sotme “moda” e jetës urbane, fuqia e madhe tërheqëse e njerëzve të fshatit për të bërë çdo sakrificë për shkuar drejt qyteteve. Është e sigurt që motivi kryesor i kësaj lëvizjeje në zgjerim, është diferenca midis dukjes dhe realitetit të jetës urbane, vizioni dhe iluzioni i cilësisë dhe lehtësisë së realizimit të jetës urbane, si jetë më e lumtur, ekonomikisht dhe kulturalisht më e mire, më e sigurt, me më pak mundime se sa jeta e vështirë e fshatit, tipologjia kulturalisht dhe nga pikëpamja sociale më e ngushtë se jeta në qytet. Kjo është arsyeja bazë pse një numër kaq i madh banorësh tradicionalë të fshatit, madje edhe me kushte ekonomike dhe nivel jetese të konsoliduar vazhdojnë t’i drejtohen “portave të qytetit”.

Një pjesë e banorëve të fshatit edhe pse me mungesa serioze kulturore e profesionale për t’u adoptuar me jetën urbane dhe kushtet e akomodimit në qytet, mendojnë se vetëm banimi në qytet, adoptimi qoftë edhe i sforcuar me modelin e jetës urbane, mund të jetë mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe shqetësimeve të jetës sociale. Duket se jo të gjitha dhe jo të gjithëve u janë realizuar pritmëritë. Ato nuk janë përmbushur sipas parashikimeve.

Kjo ka të bëjë me aspektin individual dhe pritmëritë subjektive të shpërngulurve. Nga ana tjetër fenomeni është bashkëshoqëruar me një dukuri tjetër social ekonomike, sikurse është shtimi i nivelit të varfërisë urbane, qytetarëve që jetojnë në varfëri, në vartësi të skemave të asistencës sociale dhe ndihmës ekonomike të shtetit. Kjo situatë është e evidentuar edhe në qendrat e qytetit edhe në periferitë urbane apo në zonat ku janë vendosur me prioritet popullsisë rurale të shpërngulura nga fshati.

Në vend që varfëria në qytetet tona të vinte duke u zbutur, për shkak të zgjerimit të sektorit ekonomik dhe shtimit të vendeve të punës, procesi përkundrazi ka sjellë një lloj “përshpejtimi” të varfërisë urbane. Kjo gjë e evidentuar nga pikëpamja ekonomike. Ndërsa në aspektin social problemi është akoma më i rëndë dhe i komplikuar. Sepse zonat periferike e periurbane të qyteteve tona ku përgjithësisht janë sistemuar të ardhurit nga zonat rurale, janë bërë plasdarme të problemeve akoma më të koklavitura. Jo vetëm me natyrë ekonomike por dhe sociale, shëndetësore, arsimore.

Në këto zona ka më shumë varfëri e konflikte, nivel të ulët jetese, shkallë të lartë divorcesh, kriminalitet ordiner në zgjerim, numër në rritje të fëmijëve në situatë rruge apo që lypin e bëjnë punë të “këqija” për të ndihmuar familjen duke braktisura shkollën, etj. Sikurse thonë sociologët që janë marrë intensivisht me këtë fenomen dhe dukuritë shoqëruese e proceset endemike, shpesh këto zona janë dhe vendet e mënjanimit urban, të molepsjes sociale, të dhunës urbane, të kriminalitetit, problemeve shëndetësore, trafiqeve të drogës, etj.

Situata urbane e vështirë e qyteteve tona, shtimi në sasi dhe intensitet i problemeve të akomodimit social dhe përshtatshmërisë ekonomike në nivele kritike me standardet e jetës urbane, kërkesat standarde të akomodimit me jetën e qytetit, janë pasojë e faktit që jo vetëm “prurjet rurale” drejt qytetit kanë qenë të papërballueshme për kapacitetet akomoduese të tyre, por ajo që është fare serioze dhe krejt evidente, është e vërteta se qytetet në Shqipëri u zmadhuan artificialisht, kaotikisht, por pa pasur shoqërimin e natyrshëm me zhvillimin e duhur, të nevojshëm nga pikëpamja ekonomike, sociale, urbane e arsimore.

Në shumë zona periferike të qyteteve kryesore të Shqipërisë ka dukuri shumë shqetësuese. Ato janë shndërruar në qendra të mëdha të grumbullimit të banorëve të ardhur nga fshati e të vendosur kuturu ku të munden, kanë krijuar enklava me banorë të “ngjashëm” nga origjina dhe kultura e përbashkët. Shumë herë kjo tendencë është e shoqëruar edhe më dëshirën subjektive që në këto enklava të sjellin edhe modele të jetës dhe solidaritetit social rural, përmes akomodimit, zakoneve e traditave kulturore të jetës rurale, duke e vështirësuar kështu edhe procesin e orientimit urban të tyre nga njëra anë, por dhe duke u bërë pengesë serioze për standardet e zhvillimit urban e kulturor të qytetit ku janë vendosur.

Megjithë përpjekjet e bëra për të krijuar Plane të Rregullimeve Strukturore apo beteja e fortë dhe e përqendruar e kohëve të fundit të Qeverisë Rama për “Stabilizimin Urban” të qyteteve, ndryshimeve të bëra nëpërmjet projekteve qeveritare të “Rilindjes Urbane”, duket se shumëfishimi i përshpejtuar i dimensioneve të qyteteve, akselerimi i kërkesave materiale për të plotësuar kushtet normale të të ardhurve në qytet, po ndesh vështirësi.

Qytetet po rriten. Ka përpjekje për të bërë procese të disiplinimit të hapësirave të jetës urbane. Por megjithë përpjekjet e sforcuara për të korrigjuar efektet e kaotizmit dhe pasojat e spontanitetit, është e sigurt që shumë gjëra po bëhen nga presioni demografik, kërkesat ultimative të zgjerimit të zonave periurbane. Kjo situatë ka bërë që në shumë raste, qytetet të ridimensionohen nën peshën imperative të zgjerimit dhe jo sipas parametrave dhe kërkesave të “Planifikimit Urban”. Lufta për harmonizimin urban dhe homogjenizimin e jetës qytetare midis autoktonëve dhe të ardhurve është në vazhdim.

Por duhet të jemi të sinqertë e objektivë në gjykimet socio,logjike. Të ardhurit nga fshati në qytet nuk kanë faj për iluzionet urbane, idetë e ekzagjeruara për mundësitë e progresit të jetës familjare e personale në qytet. Qoftë edhe duke u integruar me sfidat e vështira të akomodimit në jetën urbane periferike apo vendosjet në enklavat e vështira periurbane. Ideja fikse e njerëzve që ikin nga fshati me çdo kusht dhe ardhja në qytet “pa kushte”, është e ushqyer fuqimisht nga mentaliteti, se vetëm qyteti dhe jeta në qytet mund të jetë një “alternativë përparimi”, rrugë e sigurt progresi. Vetëm aty mund të siguroj punësim, kushte sociale e kulturore për një jetë më cilësore dhe kulturalisht e moralisht më të lirë.

Mirë, kjo është e drejta e individit që të sillet si të dojë me mënyrën si e organizon jetën e vet dhe të familjes së tij. Problemi social i përbashkët nga ana tjetër është, që njerëzit që synojnë qytetin me çdo kusht, duhet të ndalin këmbët dhe të vënë në lëvizje mendjen duke i bërë pyetjen vetes: Qyteti në këto kushte që është e zbut apo e agravon varfërinë e jetës rurale?

SHKARKO APP