Veliaj: Nisim ndërtimin e dy unazave të reja

Në 1 vjetorin e vendosjes së instalacionit “Reja” në Tiranë, ajo u shndërrua sot në një laborator kondensues tingujsh urbanë për të gjithë të apasionuarit pas artit. Arkitekti dhe planifikuesi i njohur urban, Andrea Faoro, i cili ka qenë pjesë edhe e grupit të punës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, ka krijuar një instalacion zanor si një hapësirë e re për artdashësit.

Në prezantimin e kësaj vepre artistike mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi të gjithë qytetarët që të provojnë këtë eksperiencë unike. “Duam apo jo, është pjesë e këtij qyteti, ne jemi njerëz të zhurmshëm, çdo gjë e bëjmë me tam-tame të mëdha sepse zhurma është një pjesë që shoqëron psiqikën dhe kulturën tonë mesdhetare. Ndaj besoj se për shumë prej atyre që do kenë kohë gjatë gjithë ditës të vizitojnë “Renë” dhe të dëgjojnë zhurmat e Tiranës, fëshfërimën, fishkëllimën, boritë, xhirimin e gomave apo lloj-lloj emocionesh që na jep zhurma në Tiranë. Besoj se sjell eksperiencën e një intimiteti që ta ofron ai që është qyteti yt me gjithë të mirat apo të këqijat e veta”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se instalacione të ngjashme, sikurse është edhe “Reja”, do të vendosen edhe në zona të ndryshme të Tiranës. “Shumë shpejt do të përzgjedhim disa vepra në qytet, sidomos në zonat e reja të qytetit siç është Bulevardi i Ri dhe disa hapësira të tjera që po i zhvillojmë, për t’u siguruar që nuk është vetëm qendra e Tiranës ajo që multiplikohet me aktivitete kulturore e artistike, por që edhe këto poliqendra, përveç se t’i konceptojmë si qendra administrative e kulturore, të kenë edhe aktivitete të mjaftueshme”, tha ai, ndërsa bëri të ditur se Tirana do ketë një instalacion tjetër që quhet “Radura”.

“Do të jetë një tjetër koncept, por kësaj here jo më me metalin dhe me konfigurimin e “Resë”, por duke përdorur drurin dhe besoj se do krijojmë një pineskë tjetër në trupin e qytetit, që me shpresë do gjenerojë gjithashtu shumë evente”. Veliaj deklaroi se gjatë këtyre dy viteve janë ndërmarrë një sërë vendimesh të guximshme, të cilat kanë rezultuar të suksesshme për kryeqytetin, sikurse është edhe projekti për mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja në kuadër të Pyllit Orbital apo vendimi për krijimin e Tiranës policentrike.

“Do të shtojmë dy unaza të reja të Tiranës, që janë ekskluzive vetëm për këmbësorë, për pedaluesit. Ne morëm një vendim të rëndësishëm për një Tiranë policentrike, për një Tiranë e cila ka një pol më vete Laprakën, Kinostudon, Qytetin Studenti, Kombinatin, për t’u siguruar që Tirana dhe qendra e Tiranës nuk mund të jetë vetëm qendra historike e 100 viteve më parë, pavarësisht se edhe ajo po transformohet sikurse “Sheshi Skënderbej”, por kemi nevojë për valvula shkarkimi të një qyteti që jeton i vetëmjaftueshëm në aktivitetin ekonomik, artistik, kulturor, administrativ edhe në këto poliqendrat e tjera”, u shpreh Veliaj.

“Sonicity Tirana” është një instalacion zanor i përbërë nga fragmente të përbashkëta të vetëdijes kolektive. Tinguj që jetojnë, nga zhurmat sociale deri tek ato funksionale, nga grumbullimet, deri tek gjurmët e tingujve të përditshmërisë, do të bëhen pjesë e këtij instalacioni.

SHKARKO APP