Vetërregullim, sindikatë apo “Urdhri i Gazetarit”

Nga Luan Shtëpani

“Në media ditët e fundit janë rritur shqetësimet. Pavarësia editoriale vazhdon të pengohet nga  interesat politike dhe ato të bizneseve. Është fakt i pakundërshtueshëm që liria e medias nga viti në vit ka ardhur duke u përmirësuar, por pavarësisht se ka një përparim të dukshëm, vihen re tendenca për ta parë median si një armë të fortë për të mbijetuar politikisht dhe ekonomikisht, e jo si një rregullatore e veprimtarisë së përditshme. Këtu besoj se fillon ajo që ne e quajmë përdorje e medias. Për të mos u ndalur se kush i ngriti dhe kujt po i shërbejnë gazetat, radiot televizionet apo portalet online, një gjë është mëse e qartë: Sot misioni i gazetarit e jo profesioni i  tij, bëhet dhe më i vështirë. Ata janë të pambrojtur,  sepse në gjithë këto vite politika e biznesmenëve mediatikë ka sabotuar solidaritetin e tyre dhe prezencën e sindikatës në media. Ky është realiteti, askush nuk guxon të përmendë fjalën sindikatë  dhe as që bëhet fjalë për të pasur negociata me pronarët për kontratat e punës, ku brendia e të cilave na detyron t’i quajmë ato kontratat e nënshtrimit. Në këtë situatë të turbullt, e vetmja rrugëdalje për të qartësuar pozicionin e gjithsecilit mbetet reformimi i medias. Reformim nuk do të thotë të ikin të vjetrit, për t’u zëvendësuar me të rinjtë, por qasje drejt profesionalizimit dhe ajo që  është më e rëndësishmja, hedhja e hapave konkrete për  t’i thënë “ndal” nëpërkëmbjes së gazetarit. Për  të gjithë ata që sot pyesin se përse erdhi kjo gjendje  në media, përgjigjja është një: Në tranzicionin shqiptar, armatës së njerëzve të ndershëm dhe profesionistë, i janë bashkëngjitur të ashtuquajtur gazetarë, të cilët e ndërtuan dhe po vazhdojnë karrierën  e tyre me intriga dhe prapaskena kundër të tjerëve. I kemi parë sa në një media në tjetrën duke injektuar të njëjtin stil dhe sjellje, të fryrë deri në neveri, të  dëmshëm për komunitetin e gazetarëve dhe për shoqërinë në përgjithësi. Tregu pra, mbetet i shformuar dhe aspak dinjitoz. Duhet thënë hapur se sot kemi të  bëjmë me grupime gazetarësh, të cilët ikin dhe vijnë sa herë që shefat e tyre ndërrojnë pozicion dhe të tjerë që presin jashtë dyerve të medias, sepse nuk janë  pjesë e një grupi të caktuar.

Ndërsa për prurjet e reja mund të flitet gjatë, sepse ka shumë pak raste ku ato  bëhen mbi bazën e profesionalizmit. Mjafton të kesh mbështetje dhe mund të fillosh kudo, bëhesh dhe drejtues, pavarësisht se nuk ke bërë asgjë. Thuhet shpesh se ka rënë interesi për median, se është ulur tirazhi i gazetave, se mund të ketë falimentime, nxirren një mijë e një arsye, por ajo që është më thelbësorja mungesa e besueshmërisë, anashkalohet me dashje. Nuk ka sesi të  krahasohen të gjithë njësoj në tregun e mbushur të medias, sepse aty ka gazetarë që kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë të vërtetën larg përdorjes së tyre. Pavarësisht se nuk janë në maxhorancë, ata kanë të drejtën morale të mbajnë leksionet e radhës për të vjetrit edhe të rinjtë e këtij profesioni dhe jo stilolapsmbajtësit pa identitet personal dhe shoqëror. Këta të fundit, përveç dëmit shoqëror i kanë dhënë një goditje të rëndë imazhit të gazetarit shqiptar.

Pena të tilla që shkarravisin vetëm në llum, kanë shkruar në një farë mase historinë e trishtë të medias në vend, duke penguar kështu të vërtetën. Pjesa e shëndetshme i di sekush janë dhe se mbështetësit e tyre janë vartësit amatorë, të cilët përveç bindjes, nuk  dinë të bëjnë asgjë tjetër në këtë profesion. Teksa bashkëbisedon me kolegët, për prurjet e reja, për të vjetrit shëtitës dhe klanet e tyre, na lind e drejta të kërkojmë në unison vetë rregullimin e medias. Për të mos u ndalur në organizatat ombrellë të gazetarëve apo sindikatat, besoj se është moment dhe koha të ndërmerren  hapa konkrete për të pasur një organizëm, i cili mund të cilësohet dhe “Urdhër i Gazetarit”. Nuk ka përse të frikësohemi nga urdhri apo enti nëse do të quhej  kështu, sepse ekziston dhe funksionon më së miri në shumë vende, përfshirë këtu dhe Italinë. Për informacion, në vendin tonë mungon një regjistër me të dhënat për çdo gazetar, background-i i tyre profesional,  arsimi, kualifikimi etj. Po ashtu, vlerësimi e kredite, praktikë kjo, e cila ka filluar të aplikohet në disa prej profesioneve në vendin tonë më konkretisht tek arsimi e mjekësia, ku punonjësit përfitojnë kredite përmes trajnimeve të ndryshme, kualifikime dhe konferencave  shkencore. Aktualisht, për një gazetar në Shqipëri marrja e shumë të tillave nuk përbën një kriter përnjohjen e rritjes së tij profesionale e për më tepër të mendosh  se ajo mund të shërbejë për rritje page apo për benifite  të tjera. Në vendet, ku aplikohet urdhri, ka rregulla strikte për t’u regjistruar në listën e  profesionistëve dhe sanksione për të gjithë ata që abuzojnë më profesionin. Le ta njohim praktikën e tyre, ta kuptojmë rëndësinë dhe më pas, të nxjerrim konkluzione  e jo të flasim apriori duke refuzuar emrin. Tashmë na mbetet të luftojmë fort për vetërregullim, sindikatë  apo për “Urdhërin e Gazetarit”.

SHKARKO APP