Vjeshta migjeniane dhe politika laramane…

 -“Poeti më i ndershëm dhe më trim shqiptar. Ai na mëson trimërinë morale si trimërinë më të madhe të njeriut”-

Nga Kristo Mërtiri/Nëntitulli i shkrimit nuk është një definicion i rëndomtë patetik a thjesht shpërthim emocional i çastit. Dhe as përgjigje auditori e ndonjë studenti simpatizant, pedagogu pasionant apo ngritje zëri e lexuesve të kualifikuar e të rralluar gjatë Tranzicionkaosit shqiptar. Është zëri dhe fjala e  poetit tonë të dashur kombëtar, Dritëro Agolli. Është vlerësimi i poetit për poetin e madh të mjerimit, për Migjenin që “ ka shkëndijën e gjeniut” edhe si “ndryshuesi më i madh i poezisë shqipe në të gjitha kohërat”. Ai shkrepi dhe u ndez si një yll i pashuar në qiellin e shekullit të artë të letërsisë sonë. Dhe i tillë do të mbetet në breza. Realist që drithëron çdo zemër të vërtetë shqiptare, vetë gurin e drurin. Është me fat çdo komb që i ka. Se Millosh Gjergj Nikolla nuk u mat kurrë me hijen e mëngjesit dhe as shiti leksione morali e demokracie nga maja e Olimpit apo nga tribunat e studiot hyzmeqare të pushtetit të kohës. Vargu i tij ishte dhe mbeti bombë e flamur për Vegjëlinë. Mbi 8 dekada kështu, sot, nesër e përgjithmonë. Veçse kur vjen mesvjeshta e dytë, ne flasim e kuvendojmë shtruar me djaloshin njëzetë e ca vjeçar që shkundi e tronditi mbarë botën shqiptare. Çuditërisht, vetëm Polit(h)ika hesht e s’bëzanë përballë këtij mali ku falen kryesisht “shtresat e paprivilegjuara” në fshatra e qytete. Datëlindja dhe Datëvdekja e tij janë afër. Vetëm 48 ditë. Ose vetëm 27 vite larg njera-tjetrës. Një lule në lule të Rinisë !…”Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër fytyrat tona”. Dhe dëgjojmë gurgullimën e vargjeve të famshme:

“Ngjyrat e verdha lozin në vallen e fundme,/(Dëshirë e marrë e gjetheve që një nga një vdesin)/Gëzimet, endjet tona, dëshirat e fundme/ nëpër baltat e vjeshtës një nga një po shkelin…”.

Këtë luftëtar jo të zakonshëm për një Botë të Re, jo më kot heroi i penës dhe i dyfekut gjatë epopesë së zjarrtë Antifashiste Nacionalçlirimtare, Kristaq Tutulani, e quante “uragan të vërtetë”. Ndërsa ish- kolegu ynë gazetar i Lirisë, që mbeti përjetësisht përmendore-akuzë rreth kampit shfarosës së internimit në Prishtinë, Gjikë Kuqali, e pagëzoi pa mëdyshje si “gjeni të botës së re shqiptare”. Para se t’i pushkatonin nazistët gjermanë e t’i hidhnin në një gropë të madhe, 104 shokët e kampit të zi kishin dëgjuar nga goja e Gjikës dhjetëra e dhjetëra vargje përmendësh nga “Poeti i Rinisë”. Por kishin lexuar edhe shënimet e këtij djaloshi sykaltër, të mençur e plot ëmbëlsi, të titulluara në ilegalitet a në qelitë e burgut: “Pranvera mua më gjeti me Migjenin”.(Ndërsa dje, unë kujtova jo pa mirënjohje vëllain e tij Andon, që gjatë shërbimit tim të detyrueshëm ushtarak më mirëpriti e botoi një tufë me vjersha në ish -revistën emërshquar “Nëntori”). Le të dëgjojmë pak nga shënimet origjinale të gazetarit dëshmor i Lirisë: “…Poema në prozë të një të vërtete të hidhur. Jo fjalë e fjalë,-varg e verg, por mendime madhështore, të një gjeniu të botës së re shqiptare, mendime që vijnë si një grusht i fortë dhe hedhin poshtë vellon e nxirë dhe të vjetër, që i ndalon shkëlqimin mendjes së mbytur të më së madhes pjesë të rinisë sonë! Migjeni poet i poemave që janë si kandilat ndritës të rrugës ku kalojmë…”. Te krijimtari e Milloshit të pavdekshëm nuk gjen dot asnjë shkërbim (imitim). Një gurgullimë më vete nga krojet e maleve, pa lajle e lule lepepeqërie, pa veladon, rraso a çallmë hipokrizie. Dhe kur? Ballë për ballë tiranisë zogiste! Asnjë çast nuk u miklua e as u korruptua si disa të tjerë pehlivanë e prostituta letrare. Pena dhe fjala e tij e shkruar mbetën të kulluara. Ato nuk u bënë kurrë sixhade, qilima a furça neveritëse nëpër sallonet verbuese të pallatit mbretëror. Përkundrazi. Sepse edhe sot e kësaj dite, vlerat e mesazhet tepër të çmuara njerëzore që përcjell Migjeni ynë, mendoj se nuk u duhen vetëm “shtresave të paprivilegjuara”, por edhe të kamurve. Në fund të fundit, ato mbajnë gjallë e lartësojnë demokracinë e vërtetë. Brenda e jashtë Shqipërisë. E, siç thotë penëmprehti i dashur Agim Vinca matanë kufirit tonë shtetëror e në trojet e veta, të jesh Poet, duhet: “T’i shkruash Zotit letër të hapur/Dhe t’ia numërosh të tëra mëkatet./Ta ndërtosh varrin tënd në majën më të lartë të bjeshkës/Dhe të ndërrohesh në rrufepritës”. Ose më tej: T’i thuash derrit derr e Sokratit Sokrat/Dhe të pish pjesën tënde të helmit…Shkurt e më shkoqur,”të jesh kandil mes errësirës” ! – Këto vargje, më duket mua se ngjallin guximin njerëzor për të thënë të vërtetën e për t’ia klithur botës, për të luftuar për të. Ringjallin mitin e harruar e të pavdekshëm të Homerit, të Prometeut…,-shprehej kohë më parë një veteran e publicist i nderuar shkodran.

Vetëm tiranët thartohen e tërbohen përballë Poetit të Mjerimit, që është edhe “ateist antibabilonik, për të krijuar Kullën e Babilonit të Re, jo të Zotit por të Njeriut”. Më thoni, kush e ka bërë këtë gjë ?! “Ai është i pari që çmitizoi malësorin e legjendarizuar, duke e treguar servil, pa karakter për hir të ligjit dhe të një krodhe buke… Migjeni ka më shumë të ardhme nga të gjithë shkrimtarët e kulturës sonë”. Gurgullimat e tij të fuqishme pushtuan e ngritën peshë zemrat e shqiptarëve të vërtetë. Por ama rrodhën e ranë natyrshëm në detin popullor të protestës, nëpër greva e demonstrata dhe gjer te trastat partizane me fishekë e vargje si barut i thatë Lirie. Mirëpo, i papërsëritshmi Migjen, nuk shikonte vetëm nga frëngjitë dhe nuk shkroi asnjëherë i ngujuar te “kulla e fildishtë”. Idealet e tij të drejtësisë shoqërore, idealet e tij njeridashëse nuk ndryshken e as shuhen kurrë. Sepse pa individë të lirë, a mund të ketë komb e shoqëri të lirë?! Mesazhet e atij uragani pa asnjë fije shkëlqimi të rremë, janë gjithnjë aktuale. Koha ka provuar e provon ende se prangimi shpirtëror e ekonomik mbjell pa mëshirë edhe depersonalizimin e njeriut. E në çdo sistem, në monizëm e në pluralizëm. Ndërsa në shtratin e amoralitetit euforik e si në ekstazë, gjen rehatinë e vet Polit(h)ika egërshane e mujshare pa moral. Politikë që “harroi” edhe Datëlindjen e kësaj krenarie të kombëtare në breza (?). Turp! Kokat e saj në maxhorancë e në opozitë, meritojnë fshikullimën e ironisë therëse të Poetit të Vegjëlisë. Prandaj pyesim të irrituar: Njerëzia sot, duhet të luajë rolin e Hamletit apo atë të Don Kishotit? Apo është thjesht ora e krizës morale e qytetare?!…

“Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë”.

E tha fort e më shqip të vërtetën e hidhur, kur të tjerët kukurisnin dhe ftonin pa iu skuqur faqja “për gazmendje”! Drejt e në sy. Pa pudrosje e jargosje mercenarësh. Prandaj dikush pyeste me të drejtë : Mos mbeti vallë “një snajper i veçuar e i dëshpëruar”?…Mund ta harrojnë e anashkalojnë nga axhendat zyrtare me fanfara shtetërore, por kurrë njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët e drobitur në punë a në pension. Dhe as ata që mbushin mëngjeseve “sheshet Omonia” në Tiranë e gjetkë dhe përmes lëngimit migjenian mërmërijnë “Bukën tonë të përditshme falna sot” ! Vetëm ligjërimi i Poetit mund t’i zgjojë nga ëndrrat, zhgënjimet dhe premtimet gjumëndjellëse. Duke lexuar dje për flamujt e melankolisë së trishtueshme te “Vargjet e lira”, më dukej se ishin shkruar ditët e fundit dhe jo 80 vite më parë. Kjo tablo e thekur antifestive, më ngjante me breshërinë dhe shiun me gjyma e bubullima që binte mbi dasmat e sotme groteske, fyese e gati poshtëruese për shumicën e shqiptarëve, mbi ato dasma milionere pa djersë në Kalanë e Gjirokastrës, në Pallatin e Kongreseve, në Pallatin Mbretëror etj. Prandaj njerëzia kanë nevojë për “Zgjim”… Dhe siç ka theksuar Kadareja, thirrja e Migjenit ishte e ndryshme: Zgjohu që ta kuptosh se sa i mjerë je !…Një thirrje e thellë zemre atdhetare për cilindo, pa i veçuar aspak nëpër “shtrunga” të majta e të djathta. Të shikosh e të përjetosh në praktikë tablotë rrëqethëse migjeniane të varfërisë në vitet dy mijë, do të thotë se liria e vërtetë shoqërore ka ngecur larg dhe brenda gardhit të ëndrrave që i mbulon muzgu shpresëvrarë i Polit(h)ikës marroke e të korruptuar kokë e këmbë. 27- vjeçari i hajthëm shkodran ia ka bërë autopsinë me kohë, saktë e bukur, pa ekuivokë. Që nga “Të birt’ e shekullit të ri”;”Legjenda e misrit”;”Bukuria që vret”;”Mollë e ndalueme”;”A do qymyr zotni?”; “Zoti të dhashtë”; “Studenti në shtëpi” e gjer te “Luli i vocërr”, “Zeneli” etj. që kërkonin shtigje ndryshimi e progresi mbi çdo padrejtësi shoqërore.

       Vjeshta migjeniane nuk ka asgjë të përbashkët me Polit(h)ikën laramane me shumë fytyra. Erdhën e ikën jo pak, por 25 vjeshta pluraliste në Shqipërizën tonë hallemadhe. Dhe dalja nga tuneli në dritë, mjerisht po kthehet në bukuri që vret! Por kjo as që ua vret sytë pushtetërve e zyrtarëve që vijnë fukarenj a të kamur në kolltukë dhe largohen edhe më pasunarë në opozitë. Ashtu kaluar e me këmbët në yzengji, flasin plot “përgjërim” e të krekosur për shtetin e së Drejtës, për barazinë para Ligjit e mjaft pallavra “demokratike” që tashmë nuk i ha as qëni. Siç thoshte jo pa ironi një mendjendritur i jurisprudencës shqiptare e antifashist i orëve të para, “Terapi e shock-ut” edhe mund të jetë e këshillueshme në ekonomi, por kurrsesi në krijimtari”. Ndryshe i ke hapur portat e udhët e pista shterpësisë, depersonalizimit dhe prodhimit të prangave të reja ! Kjo politikë laramane me politikanë shtirakë, lakatorë, dredharakë e me shumë faqe, nuk na çon dot as në Europë e as në Perëndim. Dhe pastaj “të marrët zgërdhihen”… Migjeni, ky thesar i paprekshëm e plot “rrëzëllima gjeniale” dhe me ngjyrime danteske, nuk mund të mjegullohet nga shurdhëria tinëzare politike e nga asnjë censurë tiranike. Le të trembet e struket nën hijen e vet mediokriteti, në çdo datë përkujtimore. Por nuk mund të trembet e të venitet “Vjeshta në parakalim”, vetë Poeti më i ndershëm e më trim shqiptar. “Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër fytyrat tona”. Sistemet politike, ekonomike e shoqërore, ndërrohen e zhvillohen. Veç vargjet brilante lartësohen e nderohen çdo mestetori:

“Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,/   Tundet dhe përgjaket në pasion të viganit,/      “Jetë ! Jetë unë due ! e frymë merr prej fellit,/Si stuhi shkymë ajrin…por në fund ia nis vajit”.

Është vjeshta e çuditshme migjeniane, që ia ul kokën çdo tabori me tinëzarë e lajkatarë ne pushtet a opozitë. Në të gjitha kohërat!…

SHKARKO APP