Zhvillimet e vreshtarisë botërore dhe nevojat për ligje dhe reforma integruese

Nga Prof. Dr. Lush SUSAJ/ Shqipëria ka vuajtur dhe po vuan përseri nga izolimi dhe nga mungesa e theksuar e reformave, e kohezionit dhe integrimit bashkëkohor të ekonomisë me tregjet dhe me zhvillimet rajonale e botërore në vreshtari dhe në të gjithë sektorët e tjerë të bujqësisë dhe ekonomisë.

Niveli i zhvillimit të vreshtarinë Shqiptare dhe Kosovare është shumë larg nivelit të zhvillimeve bashkëkohore me tregjet, me markat e reja të verës, me konsumin, etj.

Për nga sipërfaqja totale Shqipëria është kthyer në vitin 1965, kur ka patur rreth 10000 ha, ndërsa Kosova është kthyer në vitin 1939, kur ka patur rreth 3200 ha.

Sipas OIV (28 Tetor, 2015), prodhimi botëror i verës ka arritur në 275,7 milion hektolitra në vit (mhl/vit). Krahasuar me vitin 2014, prodhimi botëror i verës është rritur me 2%.

Ndërsa prodhimi botëror i verës rozë është 24,3 mhl i barabartë me 9,6% të prodhimit të përgjithshëm të verës.

Në nivel botëror është rritur konsumi dhe kerkesa për verë rozë, përpasojë është rritur edhe prodhimi, eksporti dhe të ardhurat nga industria e verës rozë.

Rreth 80% të prodhimit botëror të verës rozë e japin katër vende, ato janë: Franca me 7,6mhl, Spanja me 5,5 mhl, SHBA me 3,5 mhl dhe Italia me 2,5 mhl.

Konsumi botëror i verës rozë është rritur nga 17%  në 30%, që do të thotë që në çdo 100 litra verë të kunsumuar, 30 litra i përkasin verës rozë.

Në këtë mënyrë, zhvillimi i parë me shumë interes për prodhuesit dhe specialistët shqiptarë dhe të vendeve të tjera të rajonit lidhet me trendin aktual të rritjes së kerkesës së tregut dhe të rritjes së prodhimit botëror të verës në përgjithësi, dhe verës rozë në veçanti.

Ndërsa zhvillimi i dytë me mjaft interes për vendin dhe për rajonin ka të bëj me rritjen e madhe të konsumit botëror të rrushit të tavolinës.

 Sipas OIV (2015), konsumi global i rrushit të tavolinës, nga 15,6 milion ton (mt) që ishte në 2009-2010 ka arritur në 20,9 mt (në 2015-2016), është rritur me rreth 34%.

Të dyja këto zhvillime bashkëkohore janë më interes për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit që me kohë kanë filluar që të përshtatin programet, investimet dhe strukturat e tyre varietore në funksion të rritjes së prodhimit dhe të ardhurave nga tregjet dhe industria e verës rozë dhe e rrushit të tavolinës i prodhuar nga fusha e hapur dhe nga serrat.

Megjithatë, Problemet dhe pengesat në rrugën e zhvillimit të vreshtarisë dhe enologjisë shqiptare janë të shumta. Kemi të bëjmë me pengesa subjektive, të shkaktuara nga abuzivizmi, injoranca dhe hajdutëria me projektet, studimet, donacionet dhe investimet që nuk arritën kurrë në destinacionin e duhur.

Në sherbim të njohjes së problemeve dhe zgjidhjes më të shpejtë të tyre po sjell në kujtesë dy nga problemet lehtësisht të zgjidhshme e që kerkojnë zgjidhjen më të shpejtë.

Së pari, dihet nga të gjithë fakti që në Shqipëri mungon ligji profesional i vreshtave. Në ligjin aktual që përbëhët nga 29 faqe flitet në mënyrë të përgjithshme, flitet pa prekur dhe specifikuar problemet aktuale të filierës së hardhisë që mund të rregullohen dhe funksionojnë vetëm përmes ligjit. Në ligjin ekzistues shkruhet thjeshtë “për vreshtat”, terminologjia është njëlloj si në kohen e izolimit komunist kur flitej, punohej, administrohej dhe investohej vetëm për atë që ishte “vreshtaria konvencionale” me të cilën vendet e zhvilluara të Europës janë divorcuar që në vitin 1924 kur Rudolf Steiner dhe entomologët nga Zvicrra dhe Austria, hodhen bazat e bujqësisë dhe vreshtarisë së qëndrueshme, asaj organike, biodinamike dhe të integruar.

Kujtoj faktin që ideatori i bujqësisë biodinamike Rudolf Steiner, me datën 24. 06. 1924, duke folur mbi lidhjet e bimës me planetet pati theksuar se: “Shkenca e vërtetë do të jetë kurë të kontrollojmë forcat që veprojnë. Nuk mund të kuptojmë kurrë bimët, kafshet dhe parazitët të marrë sejcilin më vete. Në qoftë se ne gjejmë rrugën drejt makrokozmosit do të kuptojmë serish natyrën dhe të tjera akoma”

Në ligjin aktual të vreshtave nuk ka asnjë fjalë mbi vreshtarinë e qëndrueshme, nuk ka asnjë specifikë për Vreshtarinë Organike, as për  Vreshtarinë Biodinamike, as për Vreshtarinë e Integruar, as për Vreshtarinë  Tradicionale (pjergullat dhe erekët nga ku vjen 41% e prodhimit kombëtar të rrushit)

Në këtë mënyrë, kemi të bëjmë me një ligj të pashëmbullt në Europë, një ligj pengues, një ligj që nuk pasqyron aspak realitetin lokal, rajonal dhe as europian e botëror të zhvillimit të vreshtarisë dhe enologjisë.

Në ligjin aktual flitet në mënyrë sipërfaqësore për vreshtat e prodhimit të rrushit, ndërsa nuk specifikohet dhe nuk ka asnjë nen të shkruar për nënshartesat as për vreshtat antifillokserike. Çuditërisht nuk ka asnjë nen të shkruar as për koleksionet ampelografike, nuk ka asnjë fjalë të shkruar as për vreshtat elitë as për vreshtat rajonale supër elitë, etj.

Së dyti, mungon kadastra funksionale e vreshtave. Përpasojë, nuk dihen llojet e vreshtave, as përqindja e tyre dhe as vendndodhja gjeografike e tyre. Mungesa e kadastres funksionale shkakton errësirë totale, kaos dhe mungesë informacioni mbi strukturat varietore dhe mbi mundësin e implementimit të teknologjive dhe programeve të zhvillimit bashkëkohor të strukturave prodhuese dhe agropërpunuese të vendit. Në kushtet e mungesës së kadastres funksionale mund të abuzohet përmes adresimit fiktiv të investimeve dhe donacioneve disa herë mbi të njëjtën sipërfaqe (parcel). Në këto 25 vite, janë parë dhe dëgjuar se si parcela e mbjellë me arra, në vitin tjetër figuron e mbjellë me ullinj, pastaj me vreshta, e kështu me radhë. Mungesa e kadastres funksionale ka shërbyer dhe do të shërbejë për kaosin dhe abuzimin e hapur me subvencionet, me projektet dhe me investimet në vreshtari dhe në sektor të tjerë të rendësishëm të bujqësisë.

Kjo situatë ka lindur dhe po thellohet për shkak të degradimit të vazhdueshëm të punëve dhe të institucioneve të bujqësisë në duart e pista të militantëve dhe të strukturave nepotike e krahinore. Kjo situatë ka lindur dhe po agravohet çdo ditë përmes menjanimit të qëllimshëm dhe të vazhdueshëm të ekspertizës, të ideve inovative dhe të oponencës akademike dhe universitare. Ndodh kështu sepse zgjidhjet shkencore janë zevendësuar me kollandrisjen, mashtrimin dhe sajesën demagogjike e nepotike të OJQ-ve të rastit.

SHKARKO APP