Zhvillimi i pylltarisë urbane, a duhet të jetë në vazhdim të Rilindjes urbane?

Nga Gjon Fierza/pylltarisë urbaneSot filet për një jetesë moderne por dhe varfëri të tejskajshme në shumë vende të globit. Kjo periudhe po shoqërohet me nivelet në rritje të sëmundjeve kronike si; të zemrës, obeziteti, stresi dhe shëndetit të dobët mendor, është një shqetësim në të gjithë botën. Kostoja që kanë të bëjnë me këto sëmundje është një barrë e madhe në buxhetet e të gjitha vendeve. Në përmirësim të kësaj gjendje, politikëbërësit, gjithnjë janë duke kërkuar alternativë në parandalimin, si një investim me kosto me te ulet dhe si trajtim mjekësor me efektive. Pyjet ju shërbejnë të gjithë njerëzve, si në zonat rurale, ashtu dhe ne ato urbane. Pyjet masive dhe drurët e veçantë pranë dhe rreth qyteteve e qendrave të banuara luajnë rol të madh në përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve. Në parandalim e gjendjes “terapia” më e mirë konsiderohet Natyra. Pyjet qytetëse janë mjedise të kënaqshme për aktivitete shoqërore dhe u shërbejnë fëmijëve dhe të moshuarve.  Ata ofrojnë habitate për kafshët dhe shpendët e egra dhe mbrojtjen e pellgjeve ujëmbledhës.

Pylltaria qytetëse mund të përkufizohet si planifikimi, projektimi dhe mbarështimi i drurëve dhe grumbujve pyjore me vlera rikrijuese e çlodhëse, që gjenden brenda apo pranë zonave qytetëse. Këtu përfshihet numri i drurëve dhe planifikimi i infrastrukturës së gjelbër në të gjithë qytetin. Norma e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për zonat e gjelbra është mbi 9 m²/banor. Nuk di nëse mund të kemi një shifër për çdo qytet shqiptarë apo zonë të banuar, kur së shumti nuk kemi të dhëna të sakta për sipërfaqen e truallit ku shtrihet qyteti, numrin e banoreve të përhershëm dhe sipërfaqen respektive të zonave të gjelbra në qytete. Nëse i referohemi normës së mësipërme dhe popullsisë së Tiranës, rreth 800 mijë banore; pyjet parqe, zonat e gjelbra të nevojshëm vetëm për popullsinë qytetëse, duhet të jene mbi 720 ha!? Sa është kjo sipërfaqe në fakt?!

Qeverisja po realizon një projekt madhor “Rilindja urbane” me padiskutim jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm për një jetë normale në qytetet tona. Po a mjafton vetëm kjo; a mund të quhet i realizuar qoftë dhe optimalisht një qytet nëse nuk ka dhe pyllin e tij qytetas, gjelbërimin e nevojshëm për qytetarët?! Si objektiv afatgjatë të programit për pylltarinë qytetëse duhet të jetë instalimi gjerësisht i pyjeve qytetëse, i zonave të gjelbra dhe hapësirave të planifikuara në qytete dhe qendra të banuara, për t’u përdorur nga banorët e tyre. Në bashkitë tona po punohet për hartimin e planeve të zhvillimit ekonomik dhe urbane  etj. Që në letër e pastaj në terren fillon puna për pyjet qytetëse. Hapësirat për gjelbërim duhet të ndahen në dy nivele. Së pari, në zonimin e territorit të qytetit, duhet të vendoset një raport midis zonës së ndërtimit dhe zonës së pylltarisë qytetëse. Së dyti, një minimum sipërfaqeje nga hapësirat duhet të rezervohet për këtë qellim brenda zonës së ndërtimit, si anë rrugët, ishujt, rrugicat, kopshtet, mini-parqet dhe mini-pyjet. Specifikimet për këto sipërfaqe duhen përfshirë në rregullat e miratimit të shesheve të ndërtimit nga autoritetet kombëtare ose vendore. Zhvillimi i strategjisë për pylltarinë qytetëse dhe përfshirja e saj në politikat pyjore të vendit duhet konsideruar si një prioritet afatgjatë. Qytetet duhet të hartojnë plane për pylltarinë qytetëse ose plane për infrastrukturën e sipërfaqeve të gjelbra. Përfshirja e pylltarisë qytetëse në planifikimin e qytetit dhe caktimi i terreneve për këtë qëllim duhet ti paraprije atij të zhvillimit urban. Terrenet e mundshme për pyje qytetëse përfshijnë; tokat periferike të qyteteve që arrihen lehtë nga qytetarët; toka bujqësore të degraduara rreth zonave të banimit; parqet publike ekzistuese; oborret e shkollave, qendra spitalore e tregtare rrugicat këmbësore; dhe hapësirat e posaçme si ato për parkim, etj… Janë ish-kurorat e qyteteve tona, si territoret që i plotësojnë thuajse tërësisht këto kushte për pyje qytetëse. Drurët në pyje qytetës inventarizohen dhe skedohen si individë, ju njihet gjendja fizike dhe veçmas për secilin përcaktohen masat që merren në periudha afatshkurtra dhe afatgjatë për to, në plotësim të funksionit të tyre. Shqipëria, si vend mesdhetar veçanërisht në zonat e ulëta me thatësirë të gjatë, e temperatura ajri të larta gjatë muajve të verës, e ka të domosdoshme shtimin e hijezimit nga drurët, ndoshta duhen propozuar dispozita ligjore që të nxitin shtimin e mbulesës drusore në qytetet më të ndjeshme. Është e nevojshme kërkesa e kohës që dhe për këtë sektor të pylltarisë dhe zhvillimit urban; të ketë kërkime dhe studime që duhet të synojnë dhe përcaktojnë për çdo qytet dhe zonë banimi: objektivat dhe funksionet e pyjeve dhe drurëve qytetës; zgjedhja e specieve më të përshtatshme; krijimi dhe mirëmbajtja e zonave të gjelbra, shoqëruar me hartimin e udhëzuesve përkatës. Për sukses të garantuar kërkohet: Rritja e ndërgjegjes publike për pylltarinë qytetëse dhe rritja e mbështetjes politike ne gjitha nivelet. A do te mundemi qe dhe ne “të kopjojmë” traditën e disa qytete të Europës ku, pylltaria qytetëse zbatohet me gjerë edhe nga vetë banorët, qoftë dhe në kopshtet dhe oborret e tyre.

Kërkohet sjellja ndryshe nga të gjithë; më shumë dashuri dhe përkujdesje ndaj drurëve, shkurreve dhe luleve që sot kemi në mjediset qytetase. Profesionistët e pyjeve dhe gjelbërimit, ata shëndetësor dhe planifikuesit urban; duhet të marrin përsipër edhe të kenë fokus kryesore; rolin pyjeve urban në shëndetin e njeriut. Rilindja urbane, është e paplotë në funksion dhe qellim; pa pyjet urbane (qytetëse).

 

SHKARKO APP