Lulzim Basha: Ditën që doli raporti i ODIHR, lirohen pjesëtarët e dosjes 339

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur shqetësimin në lidhje me lirimin e Astrit Avdylit dhe 3 të tjerëve të dosjes 339 gjatë fjalës së tij mbajtur sot në media për raportin e OSBE/OHDIR për zgjedhjet e 25 prillit.

“Detyrë e SPAK të ndjekë më përparësi dosjet e krimeve zgjedhore dhe të ndalë ping pong-un. Të mos lirohen autorët e dosjes 339, siç ndodhi dje, por të ndëshkohet kushdo, e në veçanti ortakët e krimit politik, që masakruan çdo standard zgjedhor dhe që zhbënë të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur të lirë.
Gjendemi përpara një paradoksi. Të gjithë ne, opozita, qytetarët, kërkojmë ndëshkimin e krimeve zgjedhore të 2021. Pikërisht në ditën që del raporti i ODIHR, lirohen pjesëtarët e dosjes 339. Është mision parësor i drejtësisë të bëjë detyrën e saj.

Raporti i ODIHR konfirmoi se 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët, as për ata që votuan partinë në pushtet, as për ata që zgjodhën opozitën. Një pushtet që buron nga zgjedhje të vjedhura nuk ofron asgjë përveçse krim, korrupsion, kapje të mëtejshme të shtetit. Kush do ta ndryshojë situatën? Këta që ja falën pasuritë e vendit një grushti oligarkësh, këta që japin çdo qindarkë me PPP për klientët e tyre, duke ja lidhur borxhin në qafë brezit të ardhshëm? Përgjigja është një dhe e vetme: Jo, kurrë! Këta nuk janë zgjidhja, por problemi. Zgjidhja është hapja e rrugës për zgjedhje të lira e demokratike. Ky raport i ndan në mënyrë të qartë palët në këtë përballje, nga njëra anë është regjimi, autorët e masakrës zgjedhore, dhe nga ana tjetër jemi ne, opozita dhe shumica e shqiptarëve, që nuk pajtohen me këtë model shkatërrimtar për vendin dhe të ardhmen tonë”, tha Basha.

SHKARKO APP