Një taksë, një protestë dhe më pak liri

Nga Gëzim Hoxha
Të gjithë e kemi ndjekur protestën e rrugës së kombit, djegien e ndalesave të vendosura nga koncesionari për vjeljen e taksës së re, blindimin e gjykatës së Tiranës dhe së fundmi edhe mosbindjen civile të opozitës dhe tërheqjen e qeverisë për një marrëveshje me banorët e Kukësit.
Por më tepër se një protestë e cila u instrumentalizua nga politika sa hap e mbyll sytë, kjo protestë duhet parë edhe si një zgjim. Po populli po zgjohet. Iu gëzuam sërish edhe një proteste të ndodhur kohë më parë për depozitimin e armëve kimike të Sirisë. Aso kohe qeveria u tërhoq, njësoj si tani. Vetëm se kjo protestë qe disi e dhunshme, por si t’ia bësh që të dëgjohesh?
Natyrshëm që ia vlen të mban anën e protestuesve, sepse qeverisë nuk i duhet mbështetja jote. Efektet e kësaj takse të pamenduar mirë janë më tepër afatgjata sesa afat shkrtra. Kështu në një afat të shkurtër kohe do të kishim një reduktim të ndjeshëm të udhëtimeve pasi qytetarët do i trembeshin taksës së re. Më pas do të ulej konsumi i karburanteve dhe dy a tre muajt e parë qeveria do të arkëtonte më pak të ardhura nga akciza e tyre. Pas dallgës së parë shokuese që shkakton çdo taksë e re, njerëzit do pajtoheshin me faktin dhe do fillonin të udhëtonin sërish.
Në një periudhë kohe afat të gjatë taksa do të prekte patjetër konsumin. Kjo do të ndodhte për arsye se tregtarët do ia faturonin shtimin e kostos së transportit konsumatorit final, i cili i prekur edhe nga taksa e pronës do të konsumonte më pak. Ulja e konsumit do të ndikonte drejtpërdrejt edhe të ardhurat e buxhetit, pasi të ardhurat nga TVSH patjetër do të reduktoheshin.
Një tjetër ndikim i kësaj takse do të ishte edhe pakësimi i turistëve Kosovar që kalojnë pushimet në bregdetin tonë. Duhet thënë se turizmi patriotik ka dhënë një kontribut goxha të madh në rritjen ekonomike. E për të vazhduar ndikim do të ketë me patjetër edhe vëllimi tregtar midis Kosovës e Shqipërisë. Kjo do të thotë më pak vende pune për bizneset e lidhura ngushtësisht me këtë lloj tregtie. Dhe duke përdurur efektin e multiplikatorit ekonomik ka të ngjarë që ai 200 milion eurosh që opozita thotë se qeveria po ia grabit qytetarëve të paktën do të dyfishohet.
Edhe qeveria do të jetë e humbur nga vendosja e kësaj takse sepse efekti rritës i të ardhurave buxhetore nga aplikimi i kësaj takse ka shumë të ngjarë të zerohet nga pakësimi i të ardhurave që do të duheshin të mblidheshin nga akciza e karburanteve, TVSH – ja e mallrave të pashitur dhe mosardhja e një numri të caktuar bashkëkombësish nga Kosova gjatë verës. Ose edhe sikur ata të vijnë, gjithsesi për arsye se nuk kanë ku të shkojnë, përsëri do të shpenzojmë më pak para për shkak se një pjesë të buxhetit të tyre të pushimeve do ia rrëmbejë taksa e re.
Nga ana tjetër askush nuk e vë në dyshim domosdoshmërinë e vendosjes së kësaj takse për mirëmbajtjen e autostradave tona. E atherë për çfarë po flasim? Po themi që qeveria po vendos një taksë që do e rëndojë edhe më atë që është i varfër, ndoshta edhe atë që mbahet si qytetar i mesëm. Për të pasurit, mos u shqetësoni, atyre do iu kushtojë vetëm një ngërdheshje më shumë. Ja për çfarë po flasim.
Po çfarë ka pas kësaj proteste? Pas kësaj dhe çdo proteste tjetër ka një reagim, reagim për diçka që merret, apo për diçka që nuk jepet. Ka një rebelim për atë që ia kanë marrë, për atë që sapo e kanë humbur. Dhe pas gjithçkaje të marrë me përdhunë fshihet LIRIA. Po njerëzit ndihen më pak të lirë kur iu mungon apo ia marrin diçka. Dhe afërmendsh që në kapitalizëm, ku të gjithë marrin e japin në këmbim të parave, është e natyrshme që njerëzit janë më pak të lirë kur lakun ia shtrëngojmë duke i detyruar të paguajnë një taksë të re.
Në një moment kur atij nuk i rriten aspak të ardhurat (nuk thashë indeksohen), atij, për të mbajtur të njëjtin nivel mirëqënie do t’i duhet të punojë më shumë. Kohën që ai mund t’ia kushtonte vetes apo familjes ai e shpenzon për të punuar. Prandaj them se ai ndjehet më pak i lirë dhe realisht është më pak i lirë.
E kam thënë dhe herë të tjera, ky shekull kërkon më tepër liri ekonomike. Njerëzit janë ngopur me broçkullat që shkruhen nëpër traktate e konventa ndërkombëtare apo qoftë edhe në kushtetuta vendesh të ndryshme të cilat sigurojnë sigurojnë liri politke, ata duan një lloj tjetër lirie. Duan LIRI EKONOMIKE. Po duan liri ekonomike.
Pse njerëzit vjedhin banka, apo pse merren me drogë? E thjeshtë, këtë e kupton edhe bufi. Duan të pasurohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Por atë që njerëzit e dinë po nuk arrijnë dot ta thonë është se çdo njëri prej tyre që merret me punë të pista: me trafik droge, organesh, armësh a prostitutash, me vjedhje pronash a bankash, e përsëris çdo kush peshk i madh a i vogël qoftë, do që të ruajë një nivel të caktuar mirëqënie, ose e thënë ndryshe do të ruajë një nivel të caktuar LIRIE EKONOMIKE.
Të jesh i lirë ekonomikisht do të thotë thjesht të kesh gjithçka, jo vetëm ajo që të plotëosn nevojat jetësore por edhe luksin, i cili plotëson dëshirat apo makutërinë e çdonjërit prej nesh. Dhe sa më tepër ta kënaqësh egon tënde, aq më tepër do kërkosh. Do kërkosh sepse dikush ka diçka që ti nuk e ke. E pra, kaq e thjehst është. E më besoni fajin për këtë nuk e ka qeveria, jo. Asnjë qeveri. Fajin për këtë e ka paraja. E sigurisht sa kohë që të ekzistojë paraja, do të ketë mungesa. Më besoni të gjithëve do iu mungojë diçka. Gjithmonë do të ketë diçka që nuk mund ta blejmë dot sa do të pasur që të jemi. Dhe dëshira më e madhe e të gjitha kohërave (e paplotësuar ndonjëherë) do të jetë dëshira për të qenë të lirë.

SHKARKO APP