Portalet, po shkelet kodi i etikës, gjuha shqipe e kërcënuar

Nga Luan Shtëpani
Transformimi i shpejtë i medies është vlerësuar si një risi pozitive, ndërkohë nuk kanë munguar dhe kritikat në adresë të portaleve. Të parat që hynë në internet dhe krijuan websajtet e tyre ishin gazetat, sepse duke qenë të bazuara kryesisht në tekst, ato nuk ndeshën ndonjë vështirësi teknologjike që të vijonin të publikonin informacionin e tyre edhe në web. Duke u ndier si më të rrezikuarat, gazetat rendën të krijojnë një strehë edhe në web, me arsyetimin se zgjedhja më e mirë nuk ishte shpërfillja e saj, por përkundrazi marrja në konsideratë dhe shfrytëzimi i tij për të mbajtur lidhjet me audiencën përmes webit si dhe për të krijuar kushtet për mbijetesë. Përveç gazetave nga të parat që hynë në web ishin edhe agjencitë e lajmeve. Ndërsa për televizionet dhe radiot situata paraqitej disi më ndryshe sepse ata e patën më të vështirë, për shkak se interneti kishte probleme me hapjen e videove dhe të audiove si dhe me cilësinë e tyre. Sot situata ka ndryshuar. Nëpërmjet internetit ofrohet jo vetëm tekst, fotografi dhe grafikë, por dhe audio dhe video. Tashmë njerëzit po e kuptojnë se shkrimi për këtë lloj medie është shumë ndryshe me shkrimin për gazetat, radiot dhe televizionet. Kjo ka bërë që gazetarët të jenë në kërkim të mënyrave të reja të komunikimit. Hapësira kibernetike i ka kthyer portalet në një makineri 24 orëshe të lajmeve konkurruese. Por, përveç faktit të shpejtësisë me të cilën përcillet informacioni këto faqe shpeshherë shkelin kodin e etikës. Ne jemi vendi i parë në rajon që kemi miratuar një Kod të Etikës, që në 1996, por na mungon një mekanizëm monitorues dhe zbatues i këtij Kodi. Më e rënda është se shpejtësia apo padija i bën këto të ashtëquajtura media dhe pseudo-gazetarët robotë të kopjimit pa vërtetuar asnjë burim lajmi. Më keq akoma ata me stilin e tyre i kanë dhënë dhe po i japin një goditje të rëndë gjuhës shqipe. Pra, bëhet mëse e domosdoshme kompletimi i redaksive me redaktorë dhe korrektorë letrarë. Ka shumë gjëra për t’u diskutuar ndërmjet gazetarëve dhe më pas ndërmjet gazetarëve në raport me publikun. Mediat serioze të cilat kanë dhe traditën e medies së shkruar kanë investuar për të rritur kredibilitetin e tyre me gazetarë profesionistë, çka e bën diferencën që në fillim të marrjes së informacionit. Ndërsa studiuesit për këtë gazetari të re që ajo të jetë sa më e efekshme përcaktojnë tri parimet kryesore si më poshtë: Lexuesi bën ligji, shkrimi është jolinear, ndërsa struktura është gjithçka. Ashtu si dhe gazetarët e medies tradicionale edhe gazetarët e asaj online kanë të njejtat shqetësime, etike dhe ligjore. Shpifja mbetet shpifje, po ashtu dhe plagjatura mbetet plagjaturë. Askush nuk ka të drejtë të shkatërrojë reputacionin e dikujt apo të shtrembërojë të vërtetën. Apo të marrësh pa më të voglin shqetësim punë e dikujt tjetër. Më 25 maj miratohet rregullorja e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave të BE-së, e cila përbën ndryshimin më të madh të rregullave për të dhënat private që prej lindjes së internetit. Sipas ligjit të ri të BE-së, kompanitë do të jenë të detyruara të raportojnë shkeljet e të dhënave brenda 72 orësh dhe të lejojnë konsumatorët që t’i eksportojnë të dhënat e tyre dhe t’i fshijnë. Sipas një studimi është vënë re se mediat sociale janë shfrytëzuar si burim më së shumti për kategoritë e lajmit politik, lajmit kulturor dhe të lajmit të fushës së teknologjisë. Facebook dhe Twitter përdoren drejtpërdrejt si burim informacioni për gazetarët, të cilët citojnë statuse apo postime të politikanëve, artistëve apo personazheve të ndryshëm të shoqërisë dhe krijojnë lajme prej tyre. Këtë praktikë, diku më shumë e diku më pak, e përdorin shumica e mediave online në Shqipëri. Përdorimi i Facebook si burim informacioni për gazetarët ka krijuar dukurinë e re të quajtur nga studjuesit “fejsbukëzim i gazetarisë”. Në debatin teorik ka autorë që e legjitimojnë përdorimin e rrjeteve sociale si burim i lajmit, por ka të tjerë që e shohin këtë si një praktikë të gazetarisë dembele, si varfërim i burimeve të gjalla të gazetarisë dhe si shkëputje të saj nga terreni. Po të shohim rastin shqiptar, përveç statuseve apo postimeve online në mediat sociale që kanë vlerë të vërtetë lajmi për informacionin që sjellin, ka edhe shumë raste kur citohen edhe gjëra pa interes publik dhe pa ndonjë peshë lajmi të vërtetë. Gjithashtu në disa raste referencat nga mediat sociale kanë prodhuar lajme të pavërteta dhe të paverifikuara, duke cënuar edhe besueshmërinë dhe integritetin e vetë medias që i boton apo që iu referohet. A do të ndyshojë kjo situate e medies online?!..

SHKARKO APP