Manastirliu në Kopenhagen: Siguruam 200 mijë vaksina të gripit, 144 mijë doza vaksinë anticovid vijnë së shpejti

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi selinë qendrore të UNICEF në Kopenhagen, në strukturën e përqendruar të furnizimit të barnave, ku deklaroi se Shqipëria ka financuar 200 mijë vaksina të gripit, të cilat pritet që të vijnë së shpejti.

Ashtu sikurse në këto vitet e fundit, edhe këtë vit, pavarësisht gjithë vëmendjes që kemi për të rritur disponibilitetin e vaksinave anticovid, do të kemi gjithashtu të garantuar për grupet e riskut, edhe vaksinën kundër gripit. Përsa i përket vaksinës së gripit janë më shumë se 200 mijë vaksina të cilat pritet që të vijnë brenda tetorit dhe muajit nëntor. Ky do të jetë kalendari i lëvrimit të vaksinave sipas UNICEF”, tha Manastirliu

Duke vlerësuar rolin e UNICEF për të gjitha vendet të cilat janë pjesë e instrumentit të Covax-it për të bërë blerjen e qendërzuar dhe shpërndarjen e vaksinave, Manastirliu bëri me dije se jemi në pritje të 144 mijë doza vaksinash anticovid, që pritet të vijnë falë bashkëpunimit me instrumentin COVAX.

Ne jemi në pritje që të kemi dhe 144 mijë doza vaksinash të radhës, që presim të vijnë brenda disa javëve, nga bashkëpunimi që kemi me instrumentin e Covax-it. Dhe sigurisht të vijojmë me kalendarin e lëvrimit pasi në tërësi në këtë instrument ne kemi blerë apo parablerë 1 milion e 140 mijë doza vaksine”, bëri me dije Manastirliu.

SHKARKO APP