Home POLITIKE Mbi 70 vatra ...

Mbi 70 vatra aktive zjarri, Meta: Haki Çako të kthehet në krye të detyrës. E patolerueshme që punohet me mjete rrethanore

9
0

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta teksa thotë se në vend janë mbi 70 vatra aktive zjarri, bën thirrjen për rikthimin urgjent në detyrë për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit, të Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

”Vlerësoj gjithashtu nevojën për t’ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane, duke patur parasysh se prioriteti absolut duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe pasurive publike e private”,-shkruan Meta në facebook. Thirrja vjen pasi Haki Çako është me pushime deri në datën 9 gusht.

Po ashtu kreu i shtetit thekson se është e patolerueshme që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore. ”Për këtë arsye inkurajoj domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri, për të patur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike”.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Me shumë shqetësim po ndjek prej ditësh situatën alarmante të përhapjes së zjarreve në disa Qarqe të vendit, me pasoja tepër të rënda për pasuritë tona natyrore. Prej më shumë se një muaji, kam kërkuar reagimin në kohë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë Brendshme për mbështetjen e pushtetit vendor, në të gjitha bashkitë, për të qenë në gatishmëri për situata të papërballueshme për kapacitetet lokale, në përgjigje edhe të paralajmërimeve të bëra më herët nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Duke vlerësuar sakrificat e deritanishme të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, konstatoj se megjithatë situata po percipiton shumë rrezikshëm. Aktualisht ka mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë, ku një pjesë e tyre kërkojnë organizimin e operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Është e patolerueshme, që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore. Për këtë arsye inkurajoj domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri, për të patur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike.

I njohur me thirrjen publike të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e ndaj të njëjtin vlerësim mbi nevojën e rikthimit urgjent në detyrë për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit, të Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si dhe e dënoj me forcë këtë sjellje të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kufijtë e veprës penale, të shpërdorimit të detyrës.

Nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore, në veçanti Ministrinë e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe marrjen e çdo mase të duhur, nëpërmjet angazhimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, përfshi Forcën Ajrore, për të kryer operacione efikase në rajonet ku rrezikohen jetët e qytetarëve dhe zonat e mbrojtura.

Vlerësoj gjithashtu nevojën për t’ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane, duke patur parasysh se prioriteti absolut duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe pasurive publike e private.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit