Mblidhet Komisioni hetimor për Shëndetësinë. Albana Vokshi debate me deputetin socialist

Ka nisur me debate komisioni hetimor parlamentar për Shëndetësinë.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi dhe socialisti Plarent Ndreca janë përfshirë në debate, pasi ky i fundit i tha se do duhet që të informojë Sekretarin, pasi nga pikëpamja administrative ai drejton procesin.

Gjatë debatit, Plarent Ndreca ka akuzuar kryetaren Vokshi se po thyen Kodin e Etikës.

Pjesë nga debati

Zhupa: Kryetari nuk mund të thotë që nuk mund të kalojë asnjë shkresë pa e parë ai. Kur të ka kur thuhet drejton çështjet administrative nuk tregon që je mbi kryetarin. Por pasi ai ka vendosur, ju (sekretari) ta ndiqni procedurialisht.

Ndreca: Tendenca e komisionit duhet të jetë zbatimi i ligjit. Më vjen keq që kryetarja vijon me konferencat për shtyp që nuk i shërbejnë punës. Më vjen keq dhe nuk po krijojmë dot komunikim me njëri-tjetrin.

Vokshi: Unë të informoj sekretarin? Mendoni se do monopolizoni drejtimin e komisionit me sekretarin? E mbani veten për jurist. Ndryshe hajd e ikim të gjithë se të gjitha punët i bëka sekretari. Ligji do zbatohet pikë më pikë. Sekretari është për çështje administrative. Harroni shantazhet ndaj stafit.

Ndreca: Po thyeni etikën! Informimi nuk do të thotë asgjë. Për çdo vendimmarrje të komisionit, sekretari ka përgjegjësinë për t’iu komunikuar çdo vendimmarrje e komisionit. Këto janë gjera bazike. Ka dhe nënkryetarë dhe anëtarë.

Vokshi: Ai është sekretar, jo supersekretar. Nuk drejton asgjë çfarë i përket këtij komisioni.

Ndreca: Do të bëjmë atë që përcakton ligji.

Vokshi: Harrojeni shantazhin ndaj stafit. Sekretari respekton atë që i përcakton ligji. Është sekretar dhe do të kryejë detyrat që i cakton ligji. Do të zbatohen vendimet që i merr ky komision.

Ndreca: ku e keni marrë këtë të drejtë që të ndërhyni gjatë gjithë kohës?

Vokshi: Mos dezinformoni.

SHKARKO APP