Meta: PL nuk sekuestrohet. Më parë kapet SPAK-u, 2025 është vit i largët për ndryshimin

Gjatë një takimi me delegatët e Partisë së Lirisë në Korçë këtë të shtunë, kryetari Ilir Meta ka hedhur akuza të rënda ndaj SPAK. Ai foli edhe për paraqitjen e vjehrrës së tij pak ditë më parë në SPAK.

“Nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Zonja Fatime është përgjigjur vetë më duket, se nuk kam parë lajme, se kam punë më të rëndësishme. Zonja Monika përgjigjet vetë. Unë jam përgjigjur vetë. Duhet ta dijë SPAK-u, se nuk dua t’i them tarallaku, Partia e Lirisë nuk sekuestrohet. Mund të sekuestrohet SPAK përpara, por Partia e Lirisë nuk sekuestrohet. Të bëjnë hetime për kallëzimet që ne kemi bërë, sepse përndryshe pasojat ndaj tyre do të jenë fatale”, tha Meta.

Po ashtu Meta foli për përpjekjet e Ramës, për ta inkriminuar forcën që ai drejton apo për ta marrë atë. “Partia e Lirisë do ta nisë nga vetja, duke i dhënë fund organizimit me gënjeshtra, mbështetur mbi parime të hekurta, që jo vetëm e bëjnë të padepërtueshme këtë parti nga diversionet e Edi Ramës dhe veglave të tij, në drejtësi, polici e në SHIK apo dhe në krimin e organizuar, që ka qenë shumë i interesuar për të ndërhyrë dhe për të marrë drejtimin e Partisë së Lirisë”, deklaroi ai.

Sipas Metës, qeveria aktuale është e kalbur dhe mbahet vetëm me mekanizmat e Edi Ramës, ndërsa shton se zgjedhjet e 2025 i duken larg.

SHKARKO APP