Ministrja Koçiu: Buxheti 2024 vijon mbështetjen me fisha falas për pacientët diabetikë

Në Ditën Botërore të Diabetit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi Qendrën Shëndetësore të Vorës, e cila i shërben afro 30 mijë banorëve.

“Si Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, jemi duke punuar jo vetëm për përmirësimin e kushteve të infrastrukturës, por edhe për fuqizimin e qendrave tona shëndetësore me mjekë specializantë. Kjo Qendër Shëndetësore ka në përbërjen e saj edhe mjek endokrinolog, i cili konstaton dhe vlerëson ecurinë e të prekurve nga diabeti”, u shpreh Koçiu.

Ministrja Koçiu theksoi se “në të gjitha qendrat shëndetësore MSHMS ka mbështetur me fisha diabeti falas afro 48 mijë qytetarë përgjatë vitit 2023”. “Kjo mbështetje do të vijojë edhe me buxhetin e vitit 2024, duke ofruar më shumë kujdes për të gjithë ata pacientë që u nevojitet ekzaminimi në vazhdimësi lidhur me nivelin e tyre të sheqerit në gjak”, tha Koçiu.

Sipas të dhënave të ekspertëve të shëndetësisë, në mbarë botën, 1 në 10 të rritur ose afërsisht 537 milionë njerëz jetojnë me diabet, por pothuajse gjysma nuk e dinë që vuajnë nga kjo sëmundje.

Numri i të prekurve nga diabeti po rritet me hapa shumë të shpejtë edhe në vendin tonë, me prevalenca 10.1 % të popullatës, e ngjashme dhe me vendet e tjera të rajonit. Me hapa po kaq të shpejtë po rritet dhe Prediabeti, me një prevalencë 12.5%. Aktualisht rimbursohen rreth 17 mijë fisha diabeti në muaj për fëmijët e të rinjtë deri në 25 vjeç dhe të moshuarit mbi 65 vjeç.

SHKARKO APP