Miqësoret e Kombëtareve të moshave, kalendari kuqezi i shkurtit

Muaji shkurt do të shohë në aksion një pjesë të madhe të ekipeve Kombëtare të moshave. Edhe Kombëtarja e vajzave do të jetë e angazhuar në disa ndeshje miqësore ndërkombëtare. Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF, ka përgatitur kalendarin e detajuar për të gjitha ekipet Kombëtare të moshave. Aty përfshihen ekipet U15, U16, U17, U19 dhe deri te Kombëtarja e vajzave.

E para që nis impenjimet në këtë fushatë një mujore është Kombëtarja U17 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku. Të dielën e 12 shkurtit do të startojë grumbullimin për dy miqësoret e programuara me Bosnje-Hercegovinën U17. Shqipëria U17 do të zhvillojë dy teste: të parin më datë 15 shkurt në stadiumin “Niko Dovana” (15:00).

Sfida e dytë do të zhvillohet më 17 shkurt në stadiumin “Air Albania” (11:30). Kombëtarja U17, e përbërë nga lojtarët e vitlindjes 2006, do të jetë e grumbulluar për 6 ditë në Durrës. Aty do të ketë mundësinë të përgatitet sa më mirë për sfidat e marsit, ku do të jetë e impenjuar në Elite Round.

Më 18 shkurt grumbullohet Kombëtarja U16 me lojtarë të vitlindjes 2007. Synimi është për t’u përgatitur për dy miqësoret e luksit ndaj Italisë U16. Lojtarët që do të ftohen nisin përgatitjet në Durrës për dy miqësoret që do të luhen në Shqipëri. E para më 21 shkurt (17:00) në “Air Albania”. E dyta më 23 shkurt (12:00) në stadiumin “Elbasan Arena”.

Dy sfida mjaft të vlefshme ndaj një kundërshtari prestigjioz. Të hënën e 13 shkurtit do të grumbullohet edhe Kombëtarja U15. Trajneri Armand Damo do të thërrasë një grup lojtarësh të spikatur të kësaj grupmoshe për t’i testuar e monitoruar nga afër. Grumbullimi do të jetë sërish në Durrës dhe do të zgjasë për tre ditë. Stafi teknik do të ketë mundësinë të shohë se si janë zhvilluar elementët e perspektivës që do të jenë pjesë e Kombëtares U15.

Ekipi i radhës i impenjuar sipas kalendarit është Kombëtarja e vajzave. Skuadra rikthehet në aksion pas eliminatoreve të Botërorit vitin e kaluar. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, vajzat e skuadrës kuqezi do të grumbullohen më 20 shkurt në Ulqin të Malit të Zi. Aty do të stërviten për 7 ditë, deri më datë 27 shkurt. Stafi teknik ka mundësinë të provojë edhe elemente të reja, të cilat kanë potencial për t’u bërë pjesë e ekipit.

Fushatën kuqezi të shkurtit do ta kompletojë Kombëtarja U19. Djemtë e Armando Cungut do të ketë një grumbullim 3-ditor në fund të muajit. Nga data 27 shkurt e deri më 1 mars, stafi teknik i ekipi kuqezi do të ketë në dispozicion lojtarët që do të ftohen. Trajneri shkodran pritet të ftojë elementë të rinj, të cilët kanë spikatur së fundmi. Veçanërisht ata që luajnë jashtë vendit që t’i testojë në mënyrë që të fitojë sa më shumë lojtarë të rinj për të ardhmen.

 

 

SHKARKO APP