Miratohet rritja e pagave për punonjësit e administratës! Kur hyn në fuqi dhe kush përfiton

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme rritjen e pagave për punonjësit e administratës. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Finacave, Ervin Mete, pas mbledhjes së qeverisë.

Ministri informoi se me miratimin e vendimeve të sotme avancohet faza e dytë e politikës së rritjes së pagave, e cila ka nisur në vitin 2023, fazë nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore. Ministri theksoi faktin se me zbatimin e kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë Lekë.

“Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, u shpreh z. Mete.

Nga politika e rritjes së pagave do të përfitojnë punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, punonjësit e sistemit shëndetësor, punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi), si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.

Nga ana tjetër, Ministri Mete informoi se, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026.’- tha Mete.

SHKARKO APP