Në ”ethet” e përjashtimit nga gara, flasin tre kandidatët

Tre kandidatë për kryetarë bashkie, duhet të marrin për herë të dytë dritën jeshile nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’u bërë zyrtarisht pjesë e garës. PS-ja ka ankimuar pjesëmarrjen në zgjedhje të Rezeart Tushës, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Shijakun, me pretendimin se në formularin e dekriminalizimit ka fshehur faktin se është është dëbuar nga Zvicra për trafik droge.

Vetë Tusha e ka hedhur poshtë këtë pretendim të PS, duke thënë se e vërtetë është siç e ka deklaruar në formular. Tushe ka deklaruar se është dëbuar nga Zvicra për shkak të shkeljes së lejeqëndrimit.

Pyetje: Dje KQZ ka anuluar renditjen e kandidatëve për kryetar bashkie në fletët e votimit për shkak të ankimeve për 3 kandidatët, një prej të cilëve jeni ju. Shorti do të hidhet pasi të shqyrtohen ankimimet e bëra për ju dhe dy kandidatë të tjerë si subjekte të dekriminalizimit. A e ndjeni veten të rrezikuar për t’u përjashtuar nga gara e 14 majit?

Rezart Tusha: Jo aspak sepse çfarë kam pasur për të deklaruar e kam deklaruar në formularin e dekriminalizimit dhe deklarimi që kam bërë nuk më penalizon fare. Nga KQZ pres thjesht konfirmim sepse unë jam në regjistër në KQZ dhe ligji nuk ma ndalon regjistrimin sepse unë nuk kam bërë shkelje penale. Edhe deklarimin e dekriminalizimit e kam bërë të rregullt siç e kërkon ligji. Unë s’kam pasur asgjë nga ajo që thonë socialistët, por vetëm një kundravajtje për punë emigracioni kur kam qenë në Zvicër. Pretendimet e këtyre të PS që jo është arrestuar etj, janë të gjitha trillime. Edhe para dy vjetësh kur kam kandiduar për deputet ma kanë bërë këtë por edhe tani. Është sulm i qëllimshëm sepse e shohin humbjen. Mundohen me çdo lloj mënyre që të më intimidojnë që të tërhiqem nga gara por unë nuk tërhiqem sepse jam në të drejtën time dhe shumë i pastër.

Prononcimi i Kreshnik Hajdarit, kryebashkiak i Kuçovës

Pyetje: Dje KQZ ka anuluar renditjen e kandidatëve për kryetar bashkie në fletët e votimit për shkak të ankimeve për ju dhe 2 kandidatë të tjerë si subjekte të dekriminalizimit. Shorti do të hidhet pasi të shqyrtohen ankimet. A e ndjeni veten të rrezikuar për t’u përjashtuar nga gara e 14 majit?

Kreshnik Hajdari: Jo nuk e ndjej veten të rrezikuar.

Pyetje: Çfarë vendimi prisni nga KQZ pasi te shqyrtojë ankimet?

Kreshnik Hajdari: Nuk e di çfarë do të bëjë KQZ, por di të them se mjafton të shohësh ligjin e dekriminalizimit dhe kuptohet se si është e vërteta.

Pyetje: Si i komentoni akuzat e opozitës ndaj jush?

Kreshnik Hajdari: Ata kanë punën e tyre le të bëjnë çtë duan. Unë e lexoj ligjin dhe e kuptoj. Të gjithë të lexojnë ligjin e dekriminalizimit dhe vendimin dhe do ta kuptojnë si qëndron e vërteta e dënimit. Unë e kam bërë një deklaratë në lidhje me këtë çështje dhe s’kam përse të ndihem i rrezikuar.

PD-ja ka kërkuar të ndalohet edhe rikandidimi i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj për dënimin e tij me 40 ditë orë punë publike, pasi nuk kishte deklaruar një dënim në Greqi për rrahje, për të cilin Ismailaj është shprehur se nuk ishte në dijeni. Dje Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur të mos marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike, duke i dhënë sërish “dritë jeshile” Ismailajt. Për dy kandidatët e tjerë pritet vendimi ditën e nesërme. /Gazeta Express/

SHKARKO APP