Nicole Kidman, biondja sharmante me fytyrë prej porcelani

https://www.facebook.com/photo/?fbid=525213115633213&set=a.262854821869045

Albert Vataj

Gjithçka që mund të themi për Nicole Kidman është gjithçka që ne kemi përftuar nga çfarë ajo ofroi në sfidën kinematografike, në rrugëtimin e gjatë dhe të ngulmët për të përafruar shpirtëroren e saj me personazhet, karakteret, personalitetet dhe identitetet, që ajo risolli në jetë përmes një virtuoziteti të pashoq. Rolet e shumtë që ajo luajti, historitë personale apo trillet, që ajo i mishëroi me brishtësinë dhe delikatesën e një feminiliteti, që shpesh kapërcente ylberet e lartë të horizonteve, për të treguar anën e papërshkrueshme dhe forcën e paepur të gruas së bukur, për të shpërfaqur fuqinë dhe vitalitetin që gruaja si qendra e ekzistencës, rreket të dëshmojë në një nevojë për rivlerësim dhe ripërcaktim të zotërimeve të saj.  Më shumë se hiret, vështrimi, delikatesa, vështrimi shpues i një qielli të etur për thellësi në sytë e saj, ajo përcaktoi caqet e rolit të gruas, aktores, këngëtares, veprimtares humaniste, sipërmarrëses kinematografike, një botën e përbindshme të Hillivudit, dhe luftoi në të gjitha betejat, e personalitetit dhe profesionalizmit, për të rrëmbyer triumfet e dinjitetshme të besimit te vlera dhe vepra, te integriteti dhe talenti..

Ajo renditet në kolanën e grave të hijshme dhe të fuqishme, grave që gjithnjë arrijnë të befasojnë, me talentin dhe arritjet e tyre. Ajo, me të cilën, Nicole Kidman përballet sot është, biondja sharmante me fytyrë prej porcelani, sy shpues dhe sensualitet të akullt që veç të dhuron adhurim dhe shastisje. Gjysmë shekulli për Nicole Kidman e vitit 2017 është një sfidë e moshës mbi kohën, është një privilegj i faktit mbi arsyen anatomike, është gjithashtu një dhuratë e mirënjohjes për kontributin. Aktorja, këngëtarja, veprimtarja humaniste, sipërmarrësja kinematografike, sot më 20 qershor ka ditëlindjen.

Nicole Kidman, jetëpërshkrim

Nicole Kidman ka lindur më 20 qershor 1967 në Honolulu, Hawaii, ndërsa prindërit e saj australianë ishin përkohësisht në Shtetet e Bashkuara për çështje arsimimi. Babai i saj, Antony Kidman (1938-2014), ishte një biokimist, psikolog klinik dhe autor, i cili vdiq nga një atak në zemër në Singapor në moshën 75-vjeçare. Ai ishte një personalitet në fushën e tij, këtë e dëshmon kontributi dhe vepra që la. Nëna e Nicole Kidman, Janelle Ann (Nee Glenny ), është një instruktore e të moshuarve, ajo ka redaktuar librat e bashkëshortit të saj, gjithashtu ishte një anëtar i Lobit Zgjedhor të Grave . Prejardhja Nicole Kidman përfshin trashëgiminë irlandeze, skoceze, dhe angleze.

Skena e magjeps gjithmonë atë. Kur ishte fëmijë studionte kërcim dhe recitim: “Kam filluar të recitoj shumë shpejt, në moshën 14 vjeçare, dhe sot, në moshën 50 vjeçare është shumë bukur të kesh energjinë e nevojshme dhe të pranosh gjithmonë sfida të reja”, tregon ajo për gazetarët.

Në 1988 mbërrin rasti i saj i madh me një thriller “Ora 10: qetësia e vdekur” dhe shumë shpejt nuhatet potenciali i saj.

Nicole Kidman hyn në zemrën e miliona fansave falë talentit , por edhe jetës së saj private në dukje perfekte: martesa përrallore me të bukurin Tom Cruise që bëri të ëndërronte këdo. Të paktën deri në divorc, në vitin 2001.

Më pas një dashuri me këngëtarin Keith Urban, me të cilin ka dy vajza Sunday Rose dhe Faith Margaret. Në prag të 50 vjetorit, e përuroi 2017 në mënyrën më të mirë: me një kandidaturë të Oscar, Në Kanë u prezantua në tapetin e kuq me dy filma në listë për çmimin e Palmës së Artë : “The Killing of a Sacred Deer” e “L’inganno”. Duartrokitje nga kritika dhe publiku edhe për filmin jashtë konkursit “How to Talk to Girls at Parties” dhe për serinë televizive “Top of the Lake”.

Nicole Kidman, ndër aktoret më të respektueshme dhe ikonë e padiskutueshme e modës dhe sharmit. Që prej debutimit në kinema deri më sot, stili i saj ka qenë gjithmonë në lartësinë e duhur të sukseseve kinematografike, si dhe një nga yjet më brilante të Hollywood. Nuk është ekzagjerim të thuash se ka shumë për të treguar për të dhe shumë për mësuar nga veshjet e saj gjithmonë të pagabueshme.

Hiret që sfidojnë moshën

Është e njohur për lëkurën e fytyrës së saj, si të një kukulle prej porcelani. Tashmë në moshën 50-vjeçare, Nicole Kidman ka lëkurën e një vajze të re. Lëkura e fytyrës sipas Kidman është një pjesë shumë e rëndësishme për femrat dhe kujdesi për të duhet të jetë maksimal. Rutina e kujdesit ndaj lëkurës për aktoren australiane është përdorimi i kremit mbrojtës kundër diellit me SPF 50 çdo ditë, në dimër dhe në verë. “Që kur kam qenë një vajzë e vogël, mami im më ka mësuar se sa e rëndësishme është të mbrosh lëkurën nga rrezet e dëmshme të diellit. Me kalimin e viteve e mësova që kjo gjë është me të vërtetë shumë e rëndësishme”, është shprehur Kidman për DailyMail.

Nga Australia në Hollywood

Fillojmë nga 1983 dhe nga kjo fotografi që pasqyron një Nicole kaq të ndryshme nga ajo që jemi mësuar të imagjinojmë sot. Kaçurela voluminozë, një kostum të lehtë të bardhe me gri dhe këpucët të bardha. Në sfond, një urë e Sydney, që e la aty për të ardhur në Itali e më pas në Los Angeles.

Nicole dhe Tom Cruise

Të flasësh për Kidman do të thotë të citosh edhe Tom Cruise, të paktën përsa i përket të kaluarës. Filmat e parë të saj të rëndësishëm ashtu si dhe tapetet e parë të kuq janë me të. Stili i Nicole është sensual.

Në periudhën e punës më intensive të jetës së saj, nga 2001 në 2006, Kidman deklaroi se ishte e çuditur nga suksesi i madh në kinema, sesa nga jeta personale e saj. Dhe ja që edhe kjo fillon të bie në mometin që takon këngëtarin Keith Urban. Të dy janë çift që prej 2006, janë martuar dhe kanë dy vajza. Stili i saj pranë tij? I sofistikuar dhe rafinuar.

“Nicole Kidman është një nënë perfekte”. Këtë e ka pohuar bashkëshorti Keith Urban. Ylli i muzikës country dhe Kidman janë martuar që prej shtatë vjetësh dhe kanë dy vajza, Sunday Rose, 5 vjeç, dhe Faith Margaret, tre vjeç. Pavarësisht se ata udhëtojnë gjatë gjithë kohës për impenjimet e tyre të punës, Urban dhe aktorja kanë një familje mjaft të bashkuar. Kjo meritë, sipas këngëtarit i takon të shoqes së tij. “E përgëzoj gjithmonë Nicole-n për këtë”, ka shpjeguar muzikanti për revistën America’s People, me rastin e Academy of Country Music Awards.

Dhe vijon sfida e saj të jetë e ngadhënjimshme në një të tashme betejash të kurajshme të virtuozitetit dhe karakterit, personalitetit dhe përfaqësimit.

SHKARKO APP