Integrimi në BE, Meta nga burgu: Problem kapja e shtetit dhe e drejtësisë nga mafia

Ndonëse në izolim në burg, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për hapjen e grup-kapitujve të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Në një postim në Facebook, presidenti i PL-së akuzon Ramën se bllokoi për një dekadë integrimin europian të vendit, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit janë në një stad më të avancuar.

Postimi i plotë

Ekzaltimi fals i Kryeministrit Rama për grupkapitujt, pasi e bllokoi integrimin europian të vendit për një dekadë është tregues i hipokrizisë dhe papërgjegjshmërisë të tij dhe bandës së “Rilindjes” për këtë proces që duhej të ishte përmbyllur prej kohësh.

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit më 2006, para Malit të Zi, Serbisë dhe vendeve të tjera, që e nënshkruan atë vite më pas. Ndërkohë ato i çelën negociatat më 2012 dhe 2014 dhe janë në një stad shumë më të avancuar edhe pse kishin problem me Gjykatat Ndërkombëtare dhe konflikte ndëretnike.

Ndërsa Shqipëria ka patur e ka vetëm një problem, kapjen e shtetit nga mafia dhe sidomos kapjen e drejtësisë, e cila nga një reformë me 140 vota, përfundoi me 69 vota dhe betime gjyqtarësh te noteri te Lana. Ndaj indekset e drejtësisë janë më zi se Vietnami komunist apo Bjellorusia e Lukashenkos.

Ky zhvillim edhe pse shumë i vonuar është vetëm për arsye gjeopolitike dhe se s’mund të vazhdojë më shumë. Ndërsa premtimi solemn se brenda tre vitesh do mbyllen negociatat është fiks si premtimi i mbajtur para ardhjes në pushtet të “Rilindjes” për “shëndetësinë falas” apo premtimi se brenda një mandati do zgjidhej problemi i ujit të pijshëm në të gjithë vendin. Beteja e Partisë së Lirisë dhe opozitës të vërtetë kundër kapjes së shtetit dhe rikthimit të llogaridhënies do të zhbllokojë edhe procesin e integrimit europian.

SHKARKO APP