Menaxheri i “bukinist.al”, Albert Gjoka: Taksa e librit rrit padijen!

Tregu i librit vazhdon të jetë larg mundësive potenciale që ka: Libri, – si një nga mjetet më të besueshme për të përcjellë dije dhe zhvillim, ka një treg potencial shumë më të madh nga sa ka aktualisht, por në shoqëritë me të ardhura të vogla dhe me ekonomi në proces zhvillimi, fuqia blerëse është e kufizuar. Kështu pohon Albert Gjoka, menaxher i platformës “Bukinist”. Ai shton se, pandemia ka ndikuar negativisht në këtë treg, duke ulur ndjeshëm fuqinë blerëse: Libri është ndër gjërat e para që hiqet si shpenzim në jetën e përditshme të konsumatorit, dhe gjatë dy viteve të fundit ka pasur ulje të kërkesave. Megjithatë, e ardhmja e librit në vend, sipas tij, kërkon mbështetje të fortë financiare…

Si ka qenë kërkesa për libra në dy vitet e fundit?

Tregu i librit vazhdon të jetë larg mundësive potenciale që ka: Libri, – si një nga mjetet më të besueshme për të përcjellë dije dhe zhvillim, ka një treg potencial shumë më të madh nga sa ka aktualisht, por në shoqëritë me të ardhura të vogla dhe me ekonomi në proces zhvillimi, fuqia blerëse është e kufizuar. Në disa nga vendet e zhvilluara, libri ka ende mbështetje të fortë nga shteti apo aktorë të tjerë, ngjashëm me sektorë të tjerë si bujqësia apo inovacioni.

Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk tregon vëmendje në financim, edhe nëse e krahasojmë me vendet fqinje si Kosova, Maqedonia apo Kroacia. Fondet për pasurimin e bibliotekave të shkollave apo të qyteteve në shumë raste nuk shkojnë në destinacion, apo nuk ka një planifikim për pasurimin e tyre me libra të botuara në dy dekadat e fundit.

Edhe pandemia ka ndikuar negativisht në këtë treg, duke ulur ndjeshëm fuqinë blerëse: Libri është ndër gjërat e para që hiqet si shpenzim në jetën e përditshme të konsumatorit dhe në dy vitet e fundit ka pasur ulje të kërkesave. Shtëpitë botuese kanë ulur ndjeshëm numrin e botimeve, duke ndërprerë kontratat e planifikuara për të sjellë botime të reja. Por, duke filluar që nga tremujori i dytë i këtij viti, ka një prirje për t’u rikthyer në normalitet.

Kërkesa për libra është e lidhur pazgjidhshmërisht edhe me shkaqe të tjera si niveli i edukimit në familje dhe në shkollë, rritja e standardeve të marketingut nga botuesit dhe librarët, sjellja e aktorëve të ndryshëm në shoqëri, si institucionet apo mediat, etj. Ende nuk ka një ndërgjegjësim të fortë që librin ta kthejmë në një mjet të fuqishëm për të rritur veten me informacion, kuptim, për t’u argëtuar; pra për ta pasur atë si mjet për zhvillimin tonë mendor dhe shpirtëror. Ndonëse ka një rënie në nivel global të lexueshmërisë, ajo që konsiderohet pozitive është se botuesit kanë përmirësuar ofertën me tituj me kategori dhe zhanre të ndryshme botimesh.

A pati ndikim pandemia/izolimi në një rritje të kërkesës?

Pandemia riktheu në mënyrë urgjente nevojën për të pasur platforma profesionale të tregtimit online. “Bukinist” ishte një platformë e tillë, e cila, që kur lindi pesë vite më parë, – është ndërtuar dhe zhvilluar si hapësirë për shitjen e librit online; ka ndërtuar një staf të mirëtrajnuar, me infrastrukturë logjistike shumë të mirë dhe me marketing dhe shërbim ndaj klientit/lexuesit cilësor.

Për këtë arsye, ishim gati për t’ju përgjigjur kërkesave të lexuesve, të cilët, të ndodhur të izoluar në shtëpi për një periudhë të gjatë kohe, kërkonin librin jo vetëm si një mjet argëtimi, por edhe si një “mik të çmuar” për t’u këshilluar, për të reflektuar dhe për të zgjatur kuptueshmërinë përballë atij absurdi në nivel botëror që kaluam.

Që në fillim pati një rritje të porosive për libra 2-3 herë më shumë sesa në periudhat normale. Kjo situatë ka vazhduar për disa muaj, deri në gusht të vitit të kaluar. Prej gati nëntë muajsh, kërkesa për libra vazhdon në një normalitet, bazuar mbi nevojat, dëshirat dhe pasionet e lexuesve.

Cilat janë zhanret më të pëlqyera për shqiptarët? Çfarë peshe zë libri ekonomik / i biznesit?

Zhanri më i pëlqyer nga lexuesit shqiptarë mbetet romani. Ai zë rreth gjysmën e kërkesave të tregut. Brenda këtij zhanri, janë shfaqur gjatë kohëve të fundit preferenca për romanet mister, thriller, psikothriller, të cilat mund të konsiderohen risi; krahas romancës, sagës apo zhanreve të tjera. Prej disa kohësh, vazhdon të ketë rritje libri i zhvillimit personal dhe libri i biznesit, i cili ende është në nivele shumë të ulëta.

Ka një ofertë në këtë drejtim nga botuesit, me libra në gjuhën shqipe për menaxhimin, marketingun, shitjen, apo zhvillimin personal, etj., e cila nuk është në nivelet e duhura, nëse e krahasojmë me botimet që hidhen në qarkullim në tregjet botërore. Botuesit i kanë kushtuar rëndësi të madhe librit për fëmijë, – në grupmosha të ndryshme, që nga moshat 0-3 vjeç, deri në moshën 15 vjeç, duke botuar libra didaktikë, edukativë, enciklopedi, përralla, aventura, fantazi, etj.

Me gjithë investimet e bëra nga botuesit në këtë segment tregu, në platformën tonë nuk shihet ende një rritje interesi, me gjithë vlerën që këta libra përmbajnë. Po ashtu, ka interes për librat biografikë, librat historikë, apo botime të llojeve të tjera. Fatkeqësisht, libri shkencor, ku këtu përfshihet edhe libri universitar dhe akademik, vuan probleme të rënda të menaxhimit, për shkak të abuzimit dhe vjedhjes, dhe nuk po arrin që të strukturohet në treg si produkt me vlerë.

Si vijon preferenca e librit fizik apo online?

Libri fizik zë peshën dërrmuese të tregut. Ai është mbi 95% e tregut. Libri digjital është ende në fazë zanafillore. Ka nisma në këtë drejtim, ku disa shtëpi botuese të mëdha po tregtojnë krahas librit fizik, edhe librin dixhital, por në të dhënat që kemi, pesha e shitjeve është ende e papërfillshme. Shqiptarët përdorin platforma globale, si Amazoni Abebooks, për të blerë librin online.

Po ashtu, ka edhe nisma për ta dëgjuar/ për ta “lexuar” librin në versionin audio, nëpërmjet platformave audiobook. Këto nisma janë spontane, të pastrukturuara mirë në raport me tregun, – edhe për shkak të sfidave që ka tregu në vend. Problemet si mbrojtja e copyright-it, siguria online e botimeve, gjendja e pagesave online, si dhe shkaqe të tjera, e bëjnë këtë treg të pandjeshëm edhe për shumë kohë, përballë tregut të librit fizik.

Nëse do të shohim të dhënat në tregjet globale, libri fizik vazhdon të jetë në pozita të qëndrueshme, me gjithë investimet që kanë bërë platformat e fuqishme globale si Amazon. Gjithsesi, komoditeti që ka një libër në formatin dixhital është i jashtëzakonshëm. Brenda një pajisje elektronike të cilën e mban në çantë, merr me vete një bibliotekë të tërë, e akseson kudo dhe në çdo kohë që dëshiron, ndërsa kostot janë të papërfillshme.

Si e shikoni në vijim ecurinë e sektorit?

Prej disa vitesh, tregu i librit në Shqipëri, si dhe tregjet e tjera, – po përballen me presionin e shtetit për formalizimin, – një proces që duhet të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Rikthimi pas shumë vitesh i TVSH-së së librit në janar të vitit 2019, dhe së fundi procesi i fiskalizimit që ka përfshirë edhe operatorët e tregut të librit e kanë vënë në vështirësi të mëtejshme këtë treg. Fatkeqësisht, kjo po nxit informalitetin e tregut të botimeve dhe po penalizon operatorë që punojnë konform kuadrit ligjor-rregullativ në fuqi. Jemi në kushtet kur ka një ofertë të larmishme librash nga botuesit, por kemi një rrjet menaxhimi ende të brishtë.

Gjatë dhjetë viteve të fundit janë mbyllur shumë librari fizike në Tiranë dhe në rrethe. Ecuria e këtij sektori do të varet nga disa faktorë dhe aktorë. Askush nuk mund ta tregtojë librin i vetëm. Për këtë arsye, kërkohet një bashkërendim më i mirë i punës mes botuesve, librarive, rrjetit të bibliotekave, institucioneve të edukimit dhe mbështetjes më të madhe nga qeveria, qoftë nëpërmjet investimeve direkte, qoftë nëpërmjet politikave fiskale më lehtësuese.

Libri nuk mund të taksohet, paçka se ky treg duhet të formalizohet. Taksa e librit e rrit padijen dhe e bën një shoqëri gjithnjë e më pak të edukuar, sidomos kur jemi në kushtet e një krize të stërzgjatur. Libri është pjesë thelbësore e ekonomisë së dijes, prandaj kjo, më së pari është çështje politike, e cila kërkon vëmendjen e shtuar nga qeveria. Si e tillë, kërkon mbështetje të fortë financiare.

Ngritja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit ishte një nismë për t’u përgëzuar, por ajo ushtron aktivitetin me buxhete minimale, pa qenë në gjendje që të oksigjenojë tregun e librit me fonde mjaftueshëm. Mendoj se ka nevojë për lehtësi fiskale për sipërmarrjet e librit, sidomos për rrjetet e librarive fizike dhe online. Nëse do të ketë një vëmendje të shtuar nga aktorët e shoqërisë dhe institucionet, do të ketë rritje domethënëse të këtij tregu; në rast të kundërt, do të vazhdojë kjo situatë, – me një numër të ulët botimesh që hidhen në qarkullim çdo vit, me librari që nuk përballojnë kostot mujore si biznes dhe me rritje të shkallës së informalitetit. /Intervista e dhënë për Monitor.al/

 

SHKARKO APP