Plani i LSI për zonat ekonomike në Durrës. Sipërmarrësi Lorenc Goga: Projekte që kanë efekt pozitiv për qytetin tonë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar programin ekonomik për zhvillimin e qytetit të Durrësit. Ekspertë të ekonomisë, sipërmarrës të njohur të këtij qyteti dhe përfaqësues politikë të LSI kanë diskutuar për planin ekonomik të këtij qyteti dhe projektet më të mira që mund të sjellin zhvillimin e Durrësit dhe kësaj zone.

Sipërmarrësi i suksesshëm shqiptaro-italiani Lorenc Goga, i pranishëm në takimin e LSI-së në Durrës ku u prezantuan projektet për krijimin e zonave ekonomike, zhvillimi i qyteteve të rëndësishme si Durrësi theksoi se nuk mund t’i lihet më rastësisë siç është bërë deri më sot. Duke folur për idenë e zonave ekonomike, Lorenca Goga u shpreh se propozimet e LSI për zonën e Durrësit synojnë tërheqjen e investimeve të huaj dhe fuqizimin e produkteve Made In Albania.

Në fjalën e tij, sipërmarrësi Lorenc Goga tha se krahas projekteve për zhvillim ekonomik, duhet që të rinjtë dhe studentët të përgatiten për tregun e punës me një arsim sa më efikas.

Fjala e plotë e sipërmarrësit Lorenc Goga:

“Falenderoj organizatorët e këtij takimi, të cilët na mundësuan mbledhjen në këtë tryezë për të diskutuar ide konkrete mbi zhvillimin e ekonomisë së qytetit tonë, por jo vetëm Durrësit. Iniciativa të tilla nënvizojnë dëshirën tonë të përbashkët për një politikë të re, për një politikë që qëndron pranë qytetarëve dhe punon për ta, për një politikë që qëndron pranë bizneseve dhe u rikthen atyre dinjitetin e humbur gjatë këtyre viteve të fundit. Besoj se dialogu mes palëve dhe propozimi i iniciativave konkrete është e vetmja kurë që kemi sot, për të mjekuar plagën e thellë ekonomike dhe sociale në të cilën ndodhemi.

Dëgjova me vëmendje propozimin e z. Eno Krapici për zonat e lira, të cilat padyshim do të kenë një efekt pozitiv për qytetin tonë. Për një gjë jam i sigurt dhe flas si sipërmarrës që në këto vite ka krijuar qindra vende pune, sidomos për të rinj, që Durrësi dhe Shqipërinë kanë dy mundësi konkrete për të qenë kompetitiv në rajon dhe më gjerë.

E para është tërheqja e kapitalit nga jashtë duke shfrytëzuar projektin që sapo diskutuam të zonave të lira ekonomike. Me lejoni të them se kjo kërkon edhe një proces orientimi me të kualifikuar dhe më të riorganizuar, për të rinjtë tanë drejt një shkollimi që duhet të ketë si qëllim injektimin e njohurive dhe të aftësive të nevojshme për të qenë konkurrues në treg dhe për të qenë sa më tërheqës në sytë e investitorëve të huaj. Pra, është shumë e rëndësishme klima fiskale, është e shumë e rëndësishme që kompanitë e mëdha vijnë sepse gjejnë komoditete dhe një mikëpritje fiskale të mirë në qytetin tonë dhe vendin tonë, por po kaq e rëndësishme është që ata të kenë një treg të burimeve njerëzore të kualifikuar. E kam vënë re dhe në kompanitë e mia, ku kemi një përqindje të madhe të rinjsh me shkollim shumë të mirë, por po shkojmë drejt një ekonomie globale ku kërkohen profesione të reja dhe politika ka përgjegjësinë që këta të rinj të mirëorientohen në tregun e punës. Pra, kur mbarojnë shkollën e mesme të dinë mirë se cilat janë sfidat e së ardhmes dhe çfarë duan kompanitë

E dyta, që ka të bëjë me kompanitë vendase është fuqizimi i Shqipërisë në sektorin agroushqimor dhe agroturizëm Made in Albania. Është një sektor ku e kemi më të lehtë për të konkurruar me vendet e tjera, për shkak të klimës së favorshme dhe pozicionit tonë gjeografik.  Një nga iniciativat që mund të ndërmarrim, sidomos për një qytet si Durrësi, është krijimi i një regjimi cilësie për produktet tona duke krijuar disa patentime të produkteve me lëndë të parë të një zone të caktuar. Krijimi i një strukture të tillë mundëson që produkti të jetë më i shitshëm në tregun vendas dhe duke garantuar cilësinë e tij edhe në tregjet jashtë vendit. Pra, t’u japë mundësi bizneseve tona që edhe të eksportojnë.

Dua ta mbyllë ndërhyrjen, pasi çfarë nuk po dëgjojmë kohët e fundit, me apelin që politika jonë duhet ta ketë gjithmonë synimin drejt perëndimit, sepse ajo është shtëpia e shqiptarëve. Ajo është shtëpia ku ndjehemi ideologjikisht, shpirtërisht, pse jo dhe ekonomikisht dhe politikisht afër. Nuk jam kundër mundësisë për të shitur produkte dhe në tregje të tjera, por fokusi ynë do të jetë gjithmonë perëndimi”.

SHKARKO APP