Presidenti Meta: Një popull, që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së edicionit të 6-të të “Ditëve të Kujtesës”, me temë “30 vite më pas – Sa e njohim regjimin komunist?”, të organizuar nga Instituti shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin gjerman “Konrad Adenauer” (KAS).

Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë, historianë të shquar vendas e të huaj, merrte pjesë edhe kreu i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Vincenzo del Monaco, si dhe historiani i mirënjohur austriak, Prof.Dr. Oliver Schmitt.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh 30 vite pas rrëzimit të diktaturës, aspiratat e shoqërisë shqiptare nuk janë realizuar ende.   “30 vjet më parë, më 20 shkurt 1991, në sheshin “Skënderbej” u krye akti simbolik i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.  Një akt, që shënoi rënien e sistemit më të ashpër totalitar të gjithë Europës Lindore dhe fillimin e një periudhe të re për vendin, atë të demokracisë.  Sot, pas 3 dekadash, një sërë aspiratash të të rinjve të asaj kohe, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, nuk janë realizuar ende. Ndërkohë, që shumë problematika të asaj kohe, i mbartim ende në forma të reja në shoqërinë tonë edhe pas 30 vjetësh, të pazgjidhura ose pjesërisht të zgjidhura si: qasja ndaj së shkuarës,  pranimi i fajit për krimet e bëra gjatë asaj periudhe, vlerësimi dhe kompensimi i personave që kanë vuajtur dënime të padrejta, kthimi dhe kompensimi i pronave, madje edhe për komunitetet fetare, e shumë çështje të tjera”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti tha se është e rëndësishme të kujtojmë çfarë ky vend ka kaluar gjatë kësaj periudhe të errët, për të ecur të sigurtë në të ardhmen.

“Është e rëndësishme të dëgjojmë dhe të njohim dëshmitë e intelektualëve, që ju desh të përballen me terrorin e regjimit, por që nuk u dorëzuan dhe që ashtu si At Zef Pllumi: “rrnojtën për me tregue.”

Këto janë ditët e kujtesës së një periudhe të errët në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve,  la gjurmë dhe pasoja të rënda traumatike për vendin, të cilat edhe sot i ndjejmë. Sepse reminishencat dhe modelet arbitrare të drejtimit, ende përpiqen të mbijetojnë edhe në kushtet e demokracisë”,- tha kreu i shtetit.

Kreu i shtetit tha se krimet duhen kujtuar, sepse një popull, që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë. “T’i kujtojmë ato kohë të zymta, për të na kujtuar dhe rikujtuar se sa e brishtë është demokracia dhe institucionet e saj. Për të na kujtuar se shtypja e reagimit qytetar, e shprehjes dhe e lirisë së mendimit është në fakt instalim i diktaturës. Për ta na kujtuar se, një popull që fle në demokraci, mund të zgjohet në diktaturë”,- tha kreu i shtetit.

SHKARKO APP