Punëtorë të huaj në vend, ministri Gonxhja: Nisma të rëndësishme për të lehtësuar procesin e lejeve unike

Kërkesa e bizneseve për të pasur mundësi të punësojnë të huaj, ka mbledhur bashkë autoritetet për të koordinuar procesin e aplikimit dhe miratimit të lejeve unike të punës, në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja së bashku me ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, dhe drejtues nga AKPA, AKSHI, MB e MEPJ, zhvilluan sot një takim për të adresuar sfidat që lidhen me procesin e aplikimit dhe miratimit të lejeve unike të punës, në Shqipëri.

Gonxhja tha se janë ndërmarrë nisma të rëndësishme për të lehtësuar procesin e lejeve unike. “Përmirësimet në aplikimin e sistemit online, do të jenë të aksesueshme nga bizneset brenda muajit qershor. Rrisim efikasitetin për të siguruar një dialog të ndërsjellë mes sektorit publik dhe atij privat”, deklaroi Gonxhja.

Shërbimi elektronik “Aplikim për leje unike” u mundëson shtetasve të huaj, që kërkojnë të qëndrojnë dhe të punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkese për t’u pajisur me leje unike në Republikën e Shqipërisë.

SHKARKO APP