Qarqet me kriminalitetin më të lartë, kryeprokurori Çela: Gjirokastra në vend të parë, më pak Berati

Këtë të martë në Komisionin e Ligjeve, kryeprokurori Olsian Çela ka prezantuar raportin për vitin 2022, lidhur me kriminalitetin në vend. Ai tha se qarku i Gjirokastrës rankohet me përqindjen më të qartë të kriminalitetit, ndërsa Berati me përqindjen më të ulët. Shqetësim sipas Çelës, është edhe vepra penale e “pastrimit të parave”, për të cilën kryeprokurori tha se, nuk ka pasur një bashkëpunim të institucioneve në këtë drejtim.

“Gjatë vitit 2022, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 61114 materiale në shqyrtim, që përbën një rritje prej 0,16 % në krahasim me vitin 2021. Janë ndjekur gjithsej 48315 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,69 % në krahasim me vitin 2021, nga të cilat janë 25737 procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,27 % në krahasim me vitin 2021, dhe 695 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 26,06 % në krahasim me vitin 2021. Janë mbartur 21883 procedime penale me rritje prej 20,21 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2021.

Është vendosur mosfillimi i procedimit për 12799 referime dhe kallëzime penale, me ulje prej 5,21 % në krahasim me vitin 2021. Numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 33,88 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi ose me rritje 2,57 % të këtij raporti krahasuar me vitin 2021.

Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berat ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, që rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021”,-tha Çela.

SHKARKO APP