Home POLITIKE Qendra rajona...

Qendra rajonale e inovacionit në Elbasan, zv/kryeministrja Balluku: E vetmja në Ballkanin Perëndimor

82
0

Në Elbasan është ngritur qendra rajonale e inovacionit të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për lëndët e para. Kjo qendër e vetmja në Ballkanin Perëndimor, synon të nxisë kërkimin shkencor në sektorin minerar, vazhdimësinë e kërkimeve, zbulimin dhe përpunimin e lëndëve të para, duke u mbështetur në inovacion.

Zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se qendra do të rivitalizojë një nga sektorët më të rëndësishëm, atë minerar. Ajo theksoi se për shkak të të gjithë situatës globale të viteve të fundit, si pandemia apo dhe lufta në Ukrainë, fokusi kryesor i qeverisë apo edhe i qeverive të tjera në Europë dhe me gjerë, nuk ka qenë padyshim tek sektori minerar.

“Filluam të kuptojmë që edhe vendet e vogla, siç është Shqipëria, mund të jenë shumë të rëndësishme për kontributin e industrisë minerare dhe si rrjedhojë e lëndës së parë që mund të përdoret nga industria automotive sot dhe deri tek burimet e energjisë së rinovueshme. Kjo lëndë e parë kaq e rëndësishme mund të ndodhet edhe në një sipërfaqe të vogël, ashtu siç është Shqipëria, vetëm 28 mijë kilometra katrorë, por me pasuri të jashtëzakonshme që ju e dini shumë më mirë se unë”, theksoi ajo.

Zv/kryeministrja vuri në dukje se edhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, si një partner strategjik i vendit tonë, kemi arritur për të hapur një fole të re, një inkubator të ri të ideve, të kërkimeve akademike, të nxitjes të një sektori që është sektori minerar në Republikën e Shqipërisë.

“E gjitha kjo do të ndodhë falë Qendrës Rajonale të Inovacionit të Institutit Europian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para, duke shënuar kështu një gur kilometrik në zhvillimin e industrisë minerare në vendin tonë. Kjo Qendër është e vetmja në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë falënderojmë të gjithë kolegët tanë të Bashkimit Europian që zgjodhën Shqipërinë”, u shpreh Balluku.

Për të kjo qendër përveç nxitjes të kërkimit dhe zbulimit, patjetër do të kthehet në një inkubator për të rritur profesionistët e rinj. Balluku u shpreh se viti 2024, është një vit ku qeveria shqiptare ka vendosur në fokus të saj pa dyshim kapitalin njerëzor.

“Kapitali njerëzor si një pasuri e vyer për vendin, si diçka e pazëvendësueshme nga teknologjia dhe nga inovacioni, por pa lënë mënjanë këto dy të fundit. Ky është viti i parë ku ne kemi ngritur në vendin tonë një qendër të dedikuar të inovacionit, është shumësektoriale e cila do të mbulojë të gjithë sektorët, siç do të mbulojë energjinë e rinovueshme, fushat minerare, transportin, infrastrukturën kritike, shëndetësinë, arsimin dhe gjithçka tjetër, por që do të bashkëpunojë ngushtësisht me këtë Qendër të re të krijuar këtu”, tha ajo.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit