Home Turizem Qyteti smart ...

Qyteti smart më i madh në Europë po ngrihet përgjatë bregdetit të Athinës

49
0

Përgjatë bregut të Athinës, një kompleks i madh shtëpish, hotelesh, marinash dhe më shumë, po merr formë.

Në vijën bregdetare jugore të kryeqytetit të Greqisë, një plan i shumëpritur për të shndërruar ish-aeroportin e qytetit, në qytetin inteligjeng (smart city) më të madh në Europë, më në fund po merr vrull.

Pas një dekade vonese, po shfaqet vizioni i Ellinikon. Kulla Marina, qe së shpejti që do të jetë qiellgërvishësi i parë i Greqisë, ka filluar të ngrihet. Skeletet prej hekuri të apartamenteve, po marrin formë. Qyteti i ardhshëm do të ketë burime të qëndrueshme energjie dhe hapësira të gjelbra të bollshme, që Athinës i mungojnë aktualisht.

“Kishte mosbesim të justifikueshëm” tha Odisseas Athanasiou. Athanasiou është drejtuesi ekzekutiv i Lamda, zhvilluesi që qëndron pas këtij projekti.

I shtrirë në 6200 hektarë, rreth 20 minuta larg Athinës, Ellinikon do të transformojë, si vijën bregdetare, ashtu edhe vendin. Është lloji i projektit, që shihet normalisht në Kinë ose Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe një shenjë e ringjalljes së Greqisë pas krizës, si dhe entuziazmit pasues të investitorëve. Zhvilluesit, parashikojnë se do të shtojë 2.5 pikë përqindje në PBB-në e Greqisë, do të krijojë deri në 80,000 vende të reja pune dhe do të gjenerojë të ardhura tatimore, prej më shumë se 10 miliardë euro, pas përfundimit të tij në 2037. Gjithashtu, pritet të tërheqë një milion turistë shtesë në vit, të cilët do të zgjedhin të qëndrojnë në Mandarin Oriental Hotel apo një resort-kazino të integruar.

Sektori i turizmit në Greqi, është rimëkëmbur, që nga epoka Covid, me 32 milionë vizitorë vitin e kaluar dhe është në rrugën e duhur këtë vit, për të parë një numër rekord hyrjesh.

Për ata, që duan të qëndrojnë përgjithmonë, tashmë janë nxjerrë në shitje 243 njësi, në lagjen e quajtur Athina e Vogël dhe 140 janë rezervuar. Apartamentet Marina Tower, vilat dhe apartamentet buzë plazhit, u shitën të parat dhe Lamda njoftoi në fillim të këtij muaji, se të ardhurat nga shitja e pronave, kanë arritur në 641 milionë euro, që nga marsi i kaluar. Shumica e blerësve, kanë qenë shtetas grekë dhe qyteti pritet të strehojë deri në 20,000 njerëz, në rreth 10,000 rezidenca, brenda 13 viteve të ardhshme.

Duke punuar sipas konceptit të planifikimit urban të ‘qytetit 15-minutësh’ (15-minute city), banorët e Ellinikon, do të kenë mundësi të shkojnë në shkolla, parqe, zyra, dyqane dhe madje edhe plazh, në më pak se një çerek ore. Softueri, për të mbikëqyrur shërbimet e mbetjeve, ujit dhe energjisë, do të instalohet në të gjithë kompleksin. “Është një qytet smart, nga fillimi në fund,” tha Athanasiou, duke shtuar, “ne na pëlqen ta quajmë atë “Parajsa e kodit postar”.

Procesi i fillimit të zbatimit të projektit, nuk ka qenë i qetë. Kur Lamda bleu tokën në vitin 2014, pjesë të saj, ishin të mbushura me rrënojat e ish-aeroportit – duke përfshirë avionët e braktisur – ndërsa pjesët e tjera, strehonin refugjatë dhe emigrantë pa dokumente. Zona e plazhit, kishte godina dhe objekte sportive të harruara prej kohësh. Vonesat, në procesin e dhënies së lejeve, i zvarritën gjërat më tej, dhe fakti që Greqia, ishte në fakt e falimentuar, kur projekti u propozua, e bëri të dukej edhe më e pamundur, që ai të realizohej.

“Ne kishim një sektor ndërtimi në Greqi, që ishte në pikën më të ulët në dhjetë vjet, për shkak të krizës,” shpjegoi Athanasiou. “Njerëzit ishin larguar nga vendi, dhe kompanitë e ndërtimit, nuk ishin aq të forta sa dikur. Rritja e kostove të ndërtimit, për shkak të krizës energjetike, pas problemit në Ukrainë, e përkeqësoi situatën.”

Ndërkohë që këto sfida janë zbutur, Lamda ishte – dhe është – ende duke u përballur me mungesën e fuqisë punëtore. Rreth 7,000 punëtorë do të nevojiten, kur ndërtimi të fillojë vitin e ardhshëm, rreth ndërtimit të qendrës tregtare Ellinikon. Lamda ka rreth 2000 punëtorë për momentin dhe është në bisedime të avancuara me kontraktorët, për importimin e punëtorëve të ndërtimit nga vende të tjera.

Megjithatë, Athanasiou e përshkroi sfidën më të madhe të kompanisë, si “mungesa e besueshmërisë”. Përpara se të fillonte ndërtimi, CEO tha, “Vendi ishte i falimentuar, projekt ishte i madh edhe për standardet europiane, e aq më shumë për Greqinë dhe një kompani, që nuk kishte marrë kurrë më parë një projekt si ky”.

Megjithatë, këto pengesa janë zbehur gradualisht, pasi qyteti i ri është bërë realitet.

Deri në fund të verës, shtatë ndërtesa të reja apartamentesh, do të jenë të dukshme nga bregu, së bashku me qiellgërvishësin në ndërtim. Deri në fund të vitit, ndërtesa shumëkatëshe do të ketë arritur lartësinë 100 metra dhe numri i ndërtesave rezidenciale buzë detit, do të jetë rritur në 15. Deri në fund të vitit 2025, një qendër sportive me fusha futbolli, fusha tenisi dhe pishinat, do të hapen për publikun.

“Deri në Krishtlindjet e vitit 2026,” tha Athanasiou, “ne duam, që banorët të jetojnë në shtëpitë e tyre.”

Ndërsa ekonomia e Greqisë, rimëkëmbet nga kriza dhjetëvjeçare, interesi po rritet edhe nga investitorët.

Pavarësisht rritjes me gati 16% në vitin 2023, aksionet e Lamda kanë mbetur të ngecur rreth 7 euro, gjë që Athanasiou ia atribuon ‘dhimbjes’ më të gjerë, në tregun e pasurive të paluajtshme. “Qëllimi ynë strategjik është të diversifikojmë asetet e investimit, qendrat tregtare dhe marinat,” tha CEO. Kompania ka vendosur investitorë të mundshëm në MB dhe SHBA, në marinat e Ellinikon, dhe po pret çastin e duhur, për të listuar në bursë qendrat tregtare.

Ka gjithashtu arsye, për të menduar se Ellinikon, do të jetë fitimprurës që këtu e tutje. Lamda, e blerë nga shteti grek për 915 milionë euro në vitin 2014, rezidencat buzë plazhit tani shiten për 15,000 euro për metër katror. “Ka një vlerë të madhe të fshehur” në rezultatet e kompanisë, thotë Athanasiou. Ofertat për sipërfaqet e tokës përreth qendrës tregtare dhe zyrave, kanë kaluar gjithashtu 2000 euro për metër katror. “Kjo është pothuajse trefishi i vlerës në librat tanë,” vuri në dukje ai.

Shkurtimisht, optimizmi është i lartë. Dhe sa i përket shqetësimit, se turistët, që dynden në Athinë, mund të jenë më të interesuar për historinë e qytetit të lashtë, sesa për pajisjet e tij moderne, CEO i Lamda nuk është i shqetësuar.

“A ka ndonjë arsye pse dikush, që viziton Ellinikon, do të vendosë të mos shkojë të shohë edhe Akropolin apo Sounion?” U habit Athanasiou. Në të njëjtën kohë, “a ka ndonjë mënyrë, që ata të dëgjojnë për një vend aty pranë me ndërtesat më të larta, një resort kazinoje, dhe të zgjedhin të qëndrojnë vetëm në Akropoli?”

 

Monitor/ Bloomberg

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Turizem

Më shumë nga Turizem

Lajmet e Fundit

Te Fundit