Rama: E drejta është me Kosovën. Serbia t’u japë fund manovrave teatrale

Nga VOA-

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të hënën në Prishtinë se zbatimi i reciprocitetit për targat me Serbinë është e drejt e ligjshme e Kosovës, e cila tha ai duhet të trajtojë me kujdes situatën dhe në bashkërendim me partnerët e saj strategjik.

Kryeministri Rama po qëndron për një vizitë në Prishtinë në një periudhë kur Kosova po përballet me tensione në veriun e saj ku grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Të hënën e kaluar qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme të policisë pë të zbatuar vendimin mbi targat. Kjo nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, i cili tha se ka ngritur shkallën e gatishmërisë ushtarake, ndërsa avionët e tij fluturuan afër vijës kufitare me Kosovën.

E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Nuk është me Serbinë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë t’i kthej targat e automjeteve të përdorimit të përgjithshëm në një përditshmëri konfliktuale ku mizën po e bën buall, a thua që qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë kur në fakt thjesht po e bën zbatimin e një marrëveshjeje reciprokisht të dakordësuar”, tha kryeministri Rama, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të trajtojë me kujdes dërgimin e njësive të posaçme në zonë që të mos shndërrohet “në një problem mes vet Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtar”.Kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare është e bindur se problemi duhet të zgjidhet me dialog dhe “unë besoj fort se janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodh duke e shmangur ngrirjen e konfliktit në këtë pikë ku demonstrimet e uniformave ushtarake duhet t’ia lënë vendin demonstrimit të forcës së arsyes dhe të argumenteve në rrafshin diplomatik”.

Kryeministri Kurti tha se Kosova është e hapur për bisedime të cilat janë refuzuar nga Beogradi, ndërsa ritheksoi se masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

Ne kemi bërë një ofertë me të cilën kemi thënë që nuk ja vlen të kemi targa të përkohshme. Edhe Republika e Kosovës edhe e Serbisë po i heqim ato të dyja palët dhe besoni se pakrahasueshmërisht më shumë kanë arsye shqiptarët që t’iu pengoj targa e Serbisë që ka “katër S” me çirilicë aty e të cilin keni mundur ta gjeni në shumë shtëpi të rrënuara gjatë luftës e madje të bërë me thikë në gjokset e shqiptarëve se sa do të duhej t’ua vriste sytë harta e Kosovës serbëve në Serbi, mirëpo ne kemi thënë po i heqim targat e përkohshme, ata le të vijnë lirisht, ne po shkojmë lirisht dhe qarkullimi i lirë, liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit të jetë sa më e kollajshme dhe pa asnjë vonesë”.

Ai tha se njësia e posaçme e policisë nuk ndodhet në veri për të demonstruar forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët kufitarë.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ulin tensionet dhe të punojnë së bashku në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ulin tensionet në terren duke tërhequr menjëherë njësitë e posaçme të policisë dhe hequr barrikadat, ndërsa paralajmëroi një takim në të negociatorëve të të dyja palëve, në ditët në vijim.

SHKARKO APP